Një rrugë që ka marrë miliona dollarë dhe që duhej të kishte përfunduar së ndërtuari, kërkon miliona të tjera shtesë. Qukës-Qafë Plloçë ka një afat të ri. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku në interpelancë në Kuvend tha se projekti ishte i pastudiuar dhe për këtë arsye ajo do të përmbyllet në 2022.
"Punimet duhet të kishin përfunduar në vitin 2018 në këto dy lote por gjatë implementimit janë hasur problematikat e njohura që ne kemi të trashëguara me të gjitha projektet që janë dizenjuar 2010-2013, dhe sidomos me problemet e gjeologjisë që janë prezentë në të gjitha projektet. Ndryshimi i projektit është shoqëruar edhe me efekte financiare shtesë për secilin lot si dhe me shtyrje të afatit të këtyre punimeve për në prill 2021. Ndërsa afati i fundit për këto dy disbursime është caktuar data 30 prill 2021 ARRSH ka kërkuar shtyrje të afatit për vazhdim të punimeve deri në 31 dhjetor 2022, ku përfshihet edhe një vit garanci punimesh dhe dorëzim së bashku me dokumentacionin. Aktualisht kjo kërkesë po shqyrtohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë", u shpreh ministrja Balluku.
Përfundimi i këtij projekti që nisi në vitin 2011 sipas ministres Balluku kërkon edhe 106 milionë USD shtesë financim.
"Ndërtimi është i ndarë në 3 lote. Loti i parë ndodhet sot në realizim fizik të punimeve në 86.52% dhe pagesat e certifikuara 72.78%. Loti i dytë sot ndodhet në realizim fizik të punimeve 84.36% dhe pagesat e certifikuara janë në masën e 81.58%. Për realizimin e Loti 1 dhe 2 me të gjithë elementët e tij nevojitet një fond shtesë prej 56.8 milionë dollarë për të cilat kanë filluar bisedimet me kreditorët dhe MFE është dakordësuar për këtë shtesë. Referuar preventivit të përllogaritur në 2011 vlera e projektit për lotin 3 ka qenë rreth 50 milionë dollar, financimi i këtij projekti nga fondi saudit mbulon vetëm 25 milionë dollar, ndërkohë që duhen edhe 25 milionë dollarë të tjera. Si pasojë e formacioneve gjeologjike të paqëndrueshme dhe planeve të rrugës të pa identifikuara në projektin fillestar, dhe gjatë studimit të munguar të gjeologjisë, duhet forcim skarpatesh prej 24 milionë dollarësh. Për realizimin e lotit 3 pjesa 25 milionë që mungonte në kontratë dhe 24 milionë dollarë për skarpatet që nuk ka pasur studim", tha Balluku.
Segmenti prej 43 kilometrash i rrugës, Qukës Qafë-Plloçë është pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë rrugën nga kryeqyteti për në juglindje, dhe kostoja fillestare bashkë me shpronësimet shkonte në 180 milion dollarë. Ndërkohë me ndryshimet që ka pësuar projekti kërkohet financim shtesë edhe 106 USD, pra në finale pritshmëritë janë që investimi të kushtojë 286 milionë dollarë.
Lajmi kryesor:
Opozita e re si e vjetra/ Përmeti-PS: Sillni propozim të ri për lista të hapura 100% ose bojkot! Hajdari me draft të ri: Të hiqet pragu elektoral
//ReportTv.al