Vlorë- Skafi me tre persona në bord pëson avari gjatë lundrimit nga bregdeti i Himarës për në Durrës, Policia Kufitare ndërhyn në kohë dhe i shpëton para se të fundoseshin me gjithë mjetin lundrues.
Ngjarja ka ndodhur natën e kaluar, teksa Kapiteneria e Portit Vlorë dhe Policia Kufitare u njoftuan dhe kryen operacionin e shpëtimit të mjetit lundrues tip skaf, me flamur shqiptar.
Avaria në motor ka ndodhur pikërisht teksa ata lundronin në afërsi të “Gjirit të Gramës”, kurse mjeti bëhet me dije se pavarësisht përpjekjeve për ta nxjerrë në breg, u fundos.
“Drejtuesi i mjetit lundrues pasi i ka ndodhur defekti, ka kontaktuar me Kapitenerinë e Portit Vlorë dhe ka kërkuar asistencë teknike dhe rimorkimin e mjetit lundrues, pasi ishte në kushte "pa motor" dhe nuk mund të lundronte më”, bëri me dije policia.
Të tre personat njoftohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kurse mjeti lundrues, pavarësisht përpjekjeve për ta tërhequr drejt portit, u fundos pas përmbytjes.
Njoftimi i Policisë Kufitare:
“Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative e DRKM Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë punën për t’i shkuar në ndihmë një mjeti lundrues skaf në zonën Grame-Brisanit.
Pas kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi i skafit që kishte pësuar defekt teknik dhe po përmbytej. Në bord ndodheshin 3 shtetas, të cilët u morën dhe u shoqëruan me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore.
Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesionalizmit të shërbimeve të Policisë Kufitare, u sigurua shpëtimi i këtyre 3 shtetasve, të cilët i falënderuan shërbimet e Policisë, për ndihmën që iu dhanë.
Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të Policisë Kufitare për ta tërhequr dhe për ta nxjerrë skafin në breg, ai u fundos në det.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar 24/7 në shërbim të qytetarëve dhe turistëve. Ftojmë çdo qytetar që, në rast nevoje apo emergjence në det, të telefonojë menjëherë në 112”.
Komente
