Sociale

Skandal mjedisor në Parkun Kombëtar të Vjosës, Albpetrol derdh naftë në 'zemër' të lumit të fundit të egër të Evropës! Ngordhin gjallesat (FOTO+VIDEO)

27 Qershor, 10:59| Përditesimi: 27 Qershor, 16:36

  • Share

Parku Kombëtar i Vjosës është përballë një krimi të rëndë mjedisor. Një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, ku jetojnë më shumë se 1000 lloje kafshësh dhe bimësh, kërcënohet seriozisht nga nafta që buron nga stacioni i Gorishtës në Selenicë, e cila ka vërshuar në formën e një përroi drejt lumit Vjosa siç shihet në këto pamje.  

Park Kombëtar i Vjosës ende kërcënohet nga mbetjet e përpunimit të naftës, një ndotje kjo e vazhdueshme dhe e denoncuar edhe më herët nga Report Tv. I pari që dokumentoi ndotjen në lumin e Vjosës ishte fotografi dhe aktivisti i RiverWatch Joshua David Lim, përmes një video të ndarë në rrjetet e tij sociale, i cili e përshkruan zonën e Vjosës si një “një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.

Reagimi i autoriteteve mungon, ndërsa një muaj më parë u aplikua për ta përfshirë Vjosën në UNESCO, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës. Organizata “EcoAlbania” ka ndarë këto pamje të ndotjes skandaloze në të cilat dallohet se nafta derdhet në lumin e Vjosës, aq sa ka shkaktuar edhe ngordhjen e gjallesave. Siç shihet edhe në pamje, një gjarpër ka ngordhur për shkak të ndotjes nga nafta.

Pamjet janë kapur në afërsi të Poçemit në Mallakastër, i cili shtrihet në këmbë të krahinës së Vllahinës, aty ku ndodhet fusha burimore naftëmbajtëse Gorisht-Kocul, që administrohet nga kompania Albpetrol. Nafta e Gorishtit vërshon nga stacioni në Vjosë pasi i bashkohet Përroit të Madh të Mërtirajt.

Janë 150 puse nafte aktive në zonën e Gorisht-Kouculit, të shtrira në një sipërfaqe prej 6 km2, të cilat shfrytëzohen nga kompania Albpetrol, në varësi të ministrisë së Energjetikës. Edhe pse pikat e shpimit dhe depozitimit janë jashtë kufijve zyrtarë të parkut kombëtar të Vjosës, ndikimi siç shihet, është i drejtpërdrejtë. 

Në një intervistë për Report Tv, biologu Olsi Nika nga EcoAlbania thotë se problemet në këtë zonë nuk janë të reja, por kanë ekzistuar edhe përpara shpalljes së zonës si Park Kombëtar. “Jemi munduar t’i hartëzojmë presionet që ndodhen në Parkun Kombëtar të Vjosës. Ka disa kategori presionesh dhe i kemi evidentuar me pamje dhe materiale filmike. Është një raport i mirëfilltë që liston dhe analizon të gjitha këto ndikime mbi park”, shpjegon ai.

Kjo pasuri e madhe nëntokësore, mund të shndërrohet në katastrofë për mjedisin, nëse nuk menaxhohet si duhet. Olsi Nika tregon pasojat që ka sjellë kjo ndotje për gjallesat që jetojnë në Vjosë. “Ka gjarpër, ka shpendë, zogj që i kemi gjetur të ngordhur amfibë sidomos”, thekson Nika duke u shprehur se jeta në atë mjedis ndalon.

“Gjallesat janë të destinuar të ngordhin, ai është si një shtëpi e shkatërruar që nuk ofron mundësi për të jetuar gjallesat”, thekson Nika.

Ndotja nga nafta e Gorishtit nuk mbetet vetëm në një përrua, por ajo shpërhapet edhe në pjesë të tjera të ekosistemit.

“Ajo naftë rrjedh përgjatë Vjosës dhe ndotja shpërhapet edhe në pjesë të tjera të ekosistemit dhe krijon të gjithë atë ngarkesën me të gjithë substancat që nafta krudo ka në të gjitha metalet e rënda, ndërhyjnë në prishjen ekuilibrave normal të ekosistemit. Ndodh në një ekosisteme kaq të veçante, kaq delikat ë është edhe i mbrojtur siç është parku kombëtar. Ai është fenomen që nuk duhet të ndodhë, por ku është Park Kombëtar vëmendja duhet të jetë e shtuar”, thekson Nika.

Olsi Nika bën thirrje për ndërhyrje urgjente dhe hartimin e një plani të plotë rehabilitimi.

“Ka një reagim minimal, kompanitë që operojnë janë munduar ta pastrojnë atë pjesën e përroit që bashkohet me Vjosën, por është reagim amator. Të gjitha palët duhet të ulemi të diskutojmë edhe qeveria edhe te operatorët dhe të ndërtojmë një plan rehabilitimi gjithë përroit. Parimi ndotësi paguan duhet të vendoset në fuqi. Do një plan të mirëfilltë rehabilitimi dhe kjo duhet të qasja për ta fenomen", thekson Nika. 

Sipas tij, problemi nuk është vetëm përroi, por i gjithë ndikimi që ai sjell në Vjosë. “Nuk është thjesht ndotja e një përroi. Ai përçon ndotjen në gjithë Vjosën. Duhet rehabilituar edhe përroi vetë, që nuk është më shumë se 5-6 kilometra i gjatë, por me pasoja të jashtëzakonshme për gjithë ekosistemin.”

Kjo nuk është situata e parë. Ndotja që buron nga stacioni i Gorishtës në Vlorë është një shqetësim i përvitshëm që rrezikon Vjosën por masat nga autoritetet kanë qenë thuajse inekzistente. Këtë vit situata është bërë edhe më alarmante për shkak të sasisë së madhe të naftës së papërpunuar që është derdhur në lum, ndërsa pastrimi është bërë edhe më i vështirë për shkak të temperaturave të larta dhe shkrirjes së naftës duke u përhapur edhe më tej. Situatën e ka cilësuar alarmante edhe organizata ndërkombëtare “Blue Heart River” e cila ka bërë thirrje për marrjen urgjente të masave. Asnjë reagim deri tani nga institucionet.

Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa u themelua më 13 mars 2023, duke u bërë parku i parë dhe i vetëm kombëtar i një lumi të egër në Evropë. I vendosur në jug të Shqipërisë, parku shtrihet në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, dhe përfshin lumin Vjosa së bashku me degët e tij kryesore: lumenjtë Drino, Shushicë dhe Bënçë. Parku mbulon një sipërfaqe prej 12,727 hektarësh. 

 

 

 

Ora 13:19
Skandali i ndotjes në Vjosë, nën hetim përgjegjësi i sektorit të dekantimit të naftës në fshatin Gorishtë

1751023369_vjosa.jpg

Pas denoncimit në media, policia e Vlorës njoftoi se nisi hetimet për skandalin e derdhjes së naftës në Vjosë.

Policia e Selenicës thotë se ka referuar në prokurori Përparim Memajn, 59-vjeç, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës të Albpetrol, në fshatin Gorisht

"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. M., 59 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, Selenicë, pasi dyshohet se nga ky sektor janë derdhur mbetje nafte në vendin e quajtur “Përroi i Madh” të Gorishtit, duke shkaktuar ndotje", njoftoi Policia e Vlorës.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 27/06/2025 17:09

    Njehere ankohen se ka gjarperinj, pastaj ankohen se po ngordhin gjarperijte. Natyra njerezore si gjithmone e pakenaqur or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Qwtillvb: 27/06/2025 15:54

    Respekte per alpetrolin bravo i qoft sa me shume para..lereni popullin te bertasi se nuk e degjon kush..

    Përgjigju
  • Roni: 27/06/2025 15:41

    Po po pergjegjesidhe roja e kane fajin. Drejtoret dhe ministrat jane me puahime nuk dine gje.

    Përgjigju
  • Peqin Dozhala: 27/06/2025 13:33

    Mehandertala jugut mor, skon me pas kurrsesi asi fij pergjegjshmeriet. Mi kap pe bothet mi rras mren tan kush prek natynen!

    Përgjigju
  • Shteti: 27/06/2025 12:33

    Un si shtet se kam problem, ca keni qe ankoheni se nuk po e kuptoj???!!!

    Përgjigju
  • Turi: 27/06/2025 11:51

    Po bejn dizinfektimin kundrra gjarperinjve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?