Lumi i Vjosës rrjedh 168 milje (270 km) nga malet e Pindit në Greqi përmes kanioneve të ngushta, fushave dhe pyjeve në Shqipëri deri në bregdetin e Adriatikut.
I lirë nga digat apo pengesat e tjera artificiale, ai është i pasur me specie ujore dhe numëron kafshë të egra të panumërta, duke përfshirë vidrën, shkabën e rrezikuar egjiptiane dhe rrëqebullin ballkanik të rrezikuar në mënyrë kritike, nga të cilët vetëm 15 vlerësohet të mbeten në Shqipëri.
Sipërfaqja nën mbrojtje është 12.727 hektarë dhe përfshin gjithë sipërfaqen ujore dhe bregore të lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë.
Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar nënkupton se në të nuk lejohet asnjë ndërtim që cenon lumin dhe ruajtje të biodiversitetit.
Diçka e tillë nënkupton edhe lehtësi në zgjidhjen e sfidave me të cilat përballet ekosistemi, si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.
Gjithashtu, shpallja e Parkut Kombëtar krijon edhe mundësi ekonomike për komunitetet lokale, nëpërmjet turizmit të përgjegjshëm.
Marrja e statusit të Kategorisë II të IUCN-së, Park Kombëtar nënkupton që Vjosës do t’i ofrohet mbrojtje, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke siguruar integritetin e saj ekologjik, duke lejuar që të ndodhin procese natyrore dhe duke mbështetur popullatat e të gjitha specieve vendase.
Por si zuri fill beteja për Vjosën?
Disa leje për hidrocentrale ngritën alarmin. Në atë moment ishin planifikuar rreth 45 hidrocentrale në të gjithë rajonin.
Hidrocentrali i parë në Vjosë është ai i Kalivaçit, leja e të cilit daton që në vitin 1997. Ndërtimi i digës filloi në 2007, por është ndaluar disa herë.
Hidrocentrali i dytë më i madh në Vjosë është ai i Poçemit dhe diga e tij ishte planifikuar të ndërtohej afër fshatit Poçem.
Propozimi i 45 digave në Vjosë, 8 në lumin kryesor dhe 37 në degët e tij, sipas shoqatave dhe organizatave ambientaliste do të shkatërronin sistemin lumor. Kështu nisën protestat e para dhe ankimimet në gjykata vit pas viti.
Fushata për mbrojtjen e Lumit Vjosa ka nisur që nga viti 2013 e një vit më pas mori edhe vëmendjen e medieve ndërkombëtare.
Në 2013-ën, Besjana Guri dhe Olsi Nika themeluan organizatën mjedisore “EcoAlbania”, me qëllimin për të shpëtuar Vjosën nga ndërtimi i HEC-eve.
Që prej 2014-tës, Eco Albania është në partneritet të vazhdueshëm me organizatën mjedisore EuroNatur me bazë në Gjermani dhe RiverËatch në Vienë, të cilët kanë apeluar vazhdimisht ndalimin e hidrocentraleve.
Konferenca e parë për shtyp për Vjosën ka qenë në mars 2014 në Qesarat, në breg të lumit.
Media e parë e huaj që shkroi për Vjosën ishte “Der Speigel”, pasuar nga “The Guardian”, e më pas shumë media të tjera vendase e të huaja, të cilat i dhanë jehonë kësaj kauze.
Përveç mbulimit mediatik, EcoAlbania formoi dhe grupin “Miqtë e Vjosës”, ku kryheshin takime të vazhdueshme dhe ftoheshin individë të ndryshëm, përfshirë politikanë, artistë, njerëz të njohur, në mënyra që të flitej sa më shumë për këtë çështje.
Në maj të 2016-tës, kajakistët nga Sllovenia, Greqia, Italia, Gjermania, Austria, Holanda dhe Amerika zbarkuan para dyerve të kryeministrisë në Tiranë dhe kërkuan t’i jepnin një dhuratë të veçantë kryeministrit Rama.
Për 35 ditë, ata kishin ndërmarrë “Turin e lumenjve të Ballkanit”, ku ishin pedaluar 23 lumenj, përfshirë dhe Vjosën, që ishte destinacioni përmbyllës. Ata dëshironin t’i dorëzonin Kryeministrit Edi Rama kajakun e firmosur nga 1000 aktivistë nga Ballkani, ku parashtrohej dhe kërkesa për ndalimin e projekteve për ndërtimin e digave në Vjosë dhe shpalljen e Parkut të parë Kombëtar të Egër në Evropë.
Në vitin 2017 u bë koncerti i parë protestë në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të kauzës së Vjosës.
Shumë artistë iu bashkuan këngëtareve Eda Zari dhe Elina Duni, të cilat ndërmorën këtë nismë. Disa prej këtyre artistëve i dedikuan edhe një këngë lëvizjes kundër HEC-eve në lumenj, që tashmë kishte marrë një jehonë shumë të madhe edhe prej çështjes së hidrocentrale në Valbonë.
Kënga e titulluar “Lum, lumi i lirë”, kënduar nga Elina Duni, Eda Zari, Shpat Deda, Vlashent Sata dhe Linda Rukaj, përsëriti kërkesën për ndalimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe Valbonë.
Në vitin 2017, Gjykata e shpalli të pavlefshme kontratën koncensionare për hidrocentralin e Poçemit, pasi rezultoi se kompania nuk kishte kryer asnjë dëgjesë publike me komunitetet e Bashkisë Mallkastër që preken nga ky projekt, por me 50 banorë të Fierit.
Fushata për mbrojtjen e Vjosës mori një shtysë kur Leonardo DiCaprio postoi në lidhje me të në Instagram në vitin 2019, duke thënë: “Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës: por për sa kohë?” Thirrja e DiCaprios mori mbi 300 mijë pëlqime.
Por ai nuk është personazhi i vetëm i famshëm që ka dalë në krah të lumit Vjosë. Aktori Edëard Norton dhe këngëtarja Ellie Goulding kanë rishpërndarë materiale rreth ndalimit të HEC-eve dhe shpalljes së saj park kombëtar.
Kompania amerikane “Patagonia” ka qenë po ashtu një ndër kontribuesit kryesorë në kauzën e Vjosës.
Prej muajit maj, lumi Vjosa është më pranë se kurrë përfshirjes në listën e UNESCO-s, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.
Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka miratuar dosjen e aplikimit.
Në datat 17–21 shkurt 2025, gjatë takimit të 31-të të Komitetit Ndërkombëtar të Këshillit për Rezervat e Biosferës, Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe të Tokës pranë UNESCO-s konkludoi se dosja e Vjosës përmbush kriteret dhe rekomandoi miratimin përfundimtar.
Nëse gjithçka shkon sipas pritshmërive, në shtator 2025 Vjosa do të shpallet zyrtarisht Rezervat i Biosferës në listën e UNESCO-s, duke forcuar statusin e saj si simbol i mbrojtjes së natyrës në Europë dhe model i bashkëjetesës së komuniteteve me mjedisin.
Komente
