Sociale

Protestë në Spitalin Psikiatrik Vlorë, 25 sanitare dy muaj pa paga dhe kontrata: Na kërcënojnë me pushim! Na trajtojnë si kafshë

18 Gusht, 16:21| Përditesimi: 18 Gusht, 23:15

  • Share

Prej gati dy muajsh, 25 sanitare të Spitalit Psikiatrik nuk kanë marrë pagat e tyre dhe vijojnë të punojnë pa kontrata.

Me një protestë që u zhvillua sot, punonjësit denoncojnë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për të firmosur kontratat e punës, drejtuesit nuk ua japin, ndërsa i kërcënojnë me largim nga puna nëse vazhdojnë të ngulin këmbë.

Kompania që e ka fituar tenderin e pastrimit në këtë spital është “Rej sh.p.k”, në pronësi të Luan Kaprit, që rezulton i afërmi i ish-kryebashkiakut demokrat të Pogradecit, Eduart Kapri dhe që ka fituar gjithashtu edhe tendera të tjera në bashki të ndryshme.

Sipas tyre, deklarimet që kryhen në bankë janë të pasakta, duke i regjistruar me pagë minimale, ndërkohë që realisht punojnë me nga tre turne të lodhshme. Ata thonë se prej një muaji përpiqen të takojnë drejtoreshën e spitalit, por nuk e gjejnë kurrë, ndërsa firma private që ka marrë përsipër pagesën e tyre nuk u përgjigjet.

Sanitaret theksojnë se u mohohen të drejtat më minimale, si pagesa e festave zyrtare, kompensimi për ditët e pushimit dhe deklarimi i plotë i pagës së vërtetë. 

Për punonjëset, situata është kthyer në një abuzim të hapur, ku përveç mosmarrjes së pagës dhe mungesës së kontratës, ato ndihen të pambrojtura përballë presionit të vazhdueshëm dhe mungesës së reagimit institucional.

“Ne kërkojmë vetëm të drejtat tona: kontratën e punës, deklarimin e plotë të pagës, pagesën e festave dhe të ditëve të pushimit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa na takon me ligj,” deklarojnë ato.

Ndërkohë, protestuesit paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen deri në marrjen e përgjigjeve konkrete dhe se do të vazhdojnë me forma të tjera proteste nëse situata nuk zgjidhet.

Teksa shpjegojnë hallet e tyre ekonomike dhe sociale, deri edhe tek kreditë e borxhet që kanë, duke shtuar se edhe ushqimet i blejnë me listë, punonjëset thonë se kanë shumë probleme me firmën dhe institucionin, të cilat nuk u japin asnjë sqarim.

“Ka shumë probleme, nga kontratat, tek rroga. Jemi hallexhinj, kemi kredi, kemi borxhe për të larë. U bë muaji, nuk na japin asnjë shpjegim. Drejtoria thotë se jeni privat, ne nuk e dimë se ku janë, s’i kapim dot. Jemi në qiell të hapur, jemi familjarë. Jemi te buka e gojës që vijmë këtu, na ndihmoni që të kalojë ajo e shkretë rrogë. Ne për atë rrogë vijmë se është puna më e vështirë, nuk është normale. Puna është shumë e vështirë, na kalojnë nga një firmë te tjetra, që në shkurt kjo punë. Ne atë rrogë presim, me atë ushqehemi. Thonë se do ketë edhe shkurtime, kë të zëjë lapso. Na trajtojnë si kafshë, punojmë për tre persona, na trajtojnë shumë keq!”, thonë ato të dëshpëruara.

Vetë Spitali Psikiatrik ka bërë një deklaratë zyrtare ku shprehet se punonjëset e pastrimit nuk janë në varësi të tyre, pasi tenderi është fituar nga kompania përkatëse që kujdeset edhe për pagat. Më tej spitali sqaron se ka marrëdhënie korrekte me kompaninë dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim.

“Bashkëpunimi ynë me kompaninë dhe stafin vijon normalisht, duke garantuar cilësitë dhe standardet e higjienës në të gjitha ambientet spitalore”, thuhet mes të tjerash.

Reagimi i plotë i Spitalit Psikiatrik Vlorë për rastin në fjalë

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • viron: 18/08/2025 22:38

    Çfar bëhet kështu ky është një skandal,jo vetëm që këto mjerane kanë rroga minimale por nuk ja japin as ato.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?