Skandali me publikimin e pagave, Meta: Akt kriminal që rrezikon paqen sociale! Të nisin hetimet dhe të merren masat për mbrojtjen e të dhënave personale

22 Dhjetor 2021, 13:50| Përditesimi: 22 Dhjetor 2021, 16:03

  • Share

 

'Akt kriminal që rrezikon paqen sociale', kështu e ka konsideruar Presidenti Ilir Meta skandalin me publikimin e pagave dhe të dhënave personale të mbi 630 mijë punonjësve shqiptarë në sektorin publik dhe privat.

Me një postim në Facebook, Meta shkruan se ky akt është në shkelje flagrante të lirive dhe drejtave të dinjitetit njerëzor, teksa bën thirrje që të nisin hetimet. Po ashtu Meta kërkon që të merren masa të menjëhershme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.

Postimi i Metës:

U njoha nga mediat për daljen në publik, të një liste me të dhënat sensitive personale të 637,138 qytetarëve të punësuar, në shkelje flagrante të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të ligjeve dhe të Kushtetutës, një rast paligjshmërie i përsëritur, pas skandalit të patronazhistëve.

Të dhënat personale të çdo shtetasi, që depozitohen në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit.

Çdo lloj përdorimi i ndryshëm i tyre është akt kriminal, që rrezikon paqen sociale duke cenuar sigurinë private të çdo qytetari.

I bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe të ndjekjes penale, të vihen menjëherë në lëvizje, të nisin verifikimet dhe hetimet, të faktojnë këtë veprimtari të përsëritur të paligjshmërisë, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.


Lajmi kryesor:

Skandal me të dhënat private, pagat e mbi 637 mijë shqiptarëve dalin në publik! Nisin hetimet për Drejtorinë e Tatimeve! Qeveria: Nuk ka rrjedhur nga Ministria e Financave


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?