Skandali te Onkologjiku, shkarkohen mjekët dhe ish-zv.drejtoresha e QSUT! Ministrja: Neveri, s’mund të ndotin bluzat e bardha

25 Qershor, 16:47| Përditesimi: 25 Qershor, 17:53

  • Share

TIRANË- Ish-zv.drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi, dy mjekët dhe koordinatori i Onkologjikut janë shkarkuar nga detyra me urdhër të ministres Albana Koçiu, pas zbulimit të skandalit ku pacientëve me tumor nuk u ofrohej shërbimi, po ri dërgonin në privat.

Brikena Qirjazi ka qenë zv.drejtoreshë e QSUT gjatë kohës që është kryer kjo skemë, ndërsa aktualisht mbante pozicionin e shefes së ORL-së. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë tha se ndjen neveri për këtë situatë dhe se ata mjekë nuk mund të ndotin bluzat e bardha.

“Ngjarja e sotme të krijon një neveri të madhe, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish, mbi të gjitha kur flasim për punonjës të sistemit të shëndetësisë, të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetës se njerëzve, ndihmën shëndetësore për ta. Është ngjarje e paprecedentë, jam e neveritur nga kjo histori”, tha Koçiu.

Ministrja tha se këta mjek nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm.

“Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndotin bluzat e bardha. Këta lloj personazh nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik”, tha ministrja.

Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. Prokuroria ka zbuluar se pacientëve që ishin të sëmurë me tumor këta mjekë nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi. Në dosje është evidentuar edhe një tjetër skandal, ku të sëmurëve që bënin kimioterapi në Onkologjik nuk u jepej doza e plotë e ilaçeve, dhe kjo dozë nxirrej më pas në shitje në disa farmaci në Tiranë.

Ndërkohë, sa i takon ish.zvdrejtoreshës së Onkologjikut, Qirjazi, ajo po hetohet në këtë dosje pasi emri i saj del në lidhje me aparaturën e Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve me sëmundje tomorale. Radioterapia nuk u vu kurrë në punë edhe pse aparatura e lënda e rrezikshme kimike “Kobalto” ka qenë në spital prej vitit 2021.

Po ashtu, Qirjazi ka fshehur të dhënat e matjes së disa ekspertëve të huaj për rrezatimin nga kjo aparaturë, që rezultoi se ishte 20 herë më i lartë se normat normale. Madje edhe një mjek kishte ngritur zërin, ishte zhvilluar një mbledhje, por Qirjazi dhe të tjerë mjekë e kundërshtuan dhe më pas ai u largua nga puna. Për këtë dosje, Prokuroria e Tiranës ka vënë në hetim7 persona.  

Mjekët e shkarkuar nga detyra me urdhër të ministres Koçiu
1- Edmond Gashi (Mjek prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT)  - akuzohet për “Shpërdorim të detyres” – masa e sigurisë ‘arrest shtëpie”
2- Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT) - akuzohet për “Shpërdorim të detyres” – masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”
3- Brikena Qirjazi (ish.zDrejtoreshe ne QSUNT, aktualisht mbante detyrën si shefe e ORL) - akuzohet për “Shpërdorim të detyres” – masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”
4- Emiljano Lela - Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT, - akuzohet për shpërdorim detyre, masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”

Ora 17:51
Zheni Gjergji dhe Albana Vokshi reagojnë për skandalin tek Onkologjiku: Prangat duhet të kërcasin lart! Prokuroria të shkojë në zemrën e korrupsionit

1695732035_zhenigjergjidhedeputetjaalbanavokshi.jpg

Deputetja e PD Zheni Gjergji, ka reaguar lidhur me skandalin në Spitalin Onkologjik.

Sipas deputetes, për këtë skandal duhet kërkuar përgjegjësi kryesor, që është qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

Gjergji, e cila është dhe kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, shprehet se për krimet në shëndetësi prangat duhet të kërcasin lart.

"Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Ilir Beqaj apo Albana Koçiu, gjenin lekët që duheshin për koncesionet, ndërsa nuk shtuan buxhetin për medikamente dhe pajisje tek Onkologjiku. Ndaj janë sot ata të parët që duhet të mbajnë përgjegjësi. Krimet në shëndetësi kanë emër, dhe për të pasur drejtësi të vërtetë, prangat duhet të kërcasin lart, në krye të punëve”, tha ajo.

Gjergji e ka cilësuar si çnjerëzore që pacientëve me sëmundje tumorale u është mohuar trajtimi me kimioterapi apo radioterapi.

“Raporti i KLSH i vitit 2022 për Sëmundjet Tumorale ishte një ulërimë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kryeministrin Rama, por ata nuk kishin kohë ta shihnin realitetin e tmerrshëm me të cilin pacientët përballen çdo ditë në Spitalin Onkologjik. E kam ngritur këtë problem disa herë në Komisionin e Shëndetësisë e në Parlament, po kolegët e mi të mazhorancës nuk kishin dëshirë të dëgjonin, ata ishin të fokusuar tek propaganda e Manastirliut dhe Ramës për “shëndetësi falas” dhe i shërbyen asaj me sy e vëshë mbyllur! Eshtë më shumë se kriminale t’u mohosh pacientëve me sëmundje tumorale trajtimin me kimioterapi apo radioterapi. Eshtë çnjerëzore”, tha ajo.

Për deputeten Albana Vokshi, masat e sigurisë ndaj 8 zyrtarëve dhe mjekëve të QSUT janë një hap i vogël, i marr nga dretësia.

Sipas saj, duhet që të shkohet në radhët e zyrtarëve më të lartë.

“Masat e sigurisë ndaj tetë zyrtarëve dhe mjekëve të QSUT-së, janë vetëm një hap i vogël, krejt i pamjaftueshëm dhe i vonuar, që nuk prek as nuk e ç’rrënjos korrupsionin malinj në shëndetësi. Partia Demokratike u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, të mos hetojnë majën e ajsbergurt, por zemrën e korruptuar të sistemit, në qendër të të cilit nuk gjenden disa zyrtarët të vegjël, por radha e ministrave të Edi Ramës, nga Beqja te Manastirliu, rradha e drejtuesve te QSUT shefave etj”, tha ajo.

 

Ora 17:49
Skandali tek Onkologjiku, Basha: Pazar me jetën e pacientëve, Rama ka ndërtuar piramidën e korrupsionit që nuk kursen as të sëmurët

1717173138_lulzimbasha.JPG

Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me skandalin e Onkologjikut, ku mjekët bënin Pazar me jetën e pacientëve. Me anë të një postimi në facebook, Basha shprehet se kjo është dëshmia e degradimit të një sistemi korruptiv që qeveria e Edi Ramës ka ngritur.

Sipas tij, shëndetësia jo vetëm që nuk u bë falas, por piramida që ka ngritur Rama nuk kursen as të sëmurët dhe as ata që luftojnë me vdekjen. Basha gjithashtu thotë se politika e barnave është një tjetër skemë kriminale korruptive në kurriz të shqiptarëve, duke lejuar futjen në treg të ilaçeve me origjinë jo të sigurt dhe me cilësi të ulët.

“Shëndetësinë, sektorin jetik për jetën e shqiptarëve kjo qeveria e ka kthyer në vatër korrupsioni për të mbushur xhepat e saj. Rasti rrëqethës i Onkologjikut, ku bëhet pazar me jetën e pacientëve, është dëshmia më e fundit e degradimit të një sistemi korruptiv. I’u premtua shëndetësia falas, por sot shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve të shëndetësisë nga xhepi, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij kanë ndërtuar piramidën e korrupsionin që nuk kursen asgjë, as të sëmurët madje edhe ata që luftojnë me vdekjen.

Politika e barnave është një tjetër skemë kriminale korruptive në kurriz të shqiptarëve, duke lejuar futjen në treg të ilaçeve me origjinë jo të sigurtë me cilësi të ulët dhe pa efekt, si dhe duke mos përfshirë në listën e rimbursimit barna për sëmundjet e rënda, por vitamina.

Milionat e eurove që vidhen në tendera e koncesione korruptive do të mjaftonin për t’u ofruar qytetarëve shërbim shëndetësor kudo dhe pensionistëve për t’ua plotësuar nevojat me barna të rimbursueshme. Problemet e sistemit shëndetësor dhe ndalja e abuzimit kërkojnë zgjidhje urgjente, të cilat nuk mund të vijnë nga ai që ka 11 vite që mashtron dhe propagandon sukseset imagjinare të një sistemi në kolaps. Shqipëria meriton më shumë se gjendja në të cilën e ka futur korrupsioni i Edi Ramës, qytetarët shqiptarë meritojnë një qeveri që kujdeset për ta, e që nuk i trajton si kavie për klientelën e saj”, shkruan Basha.

SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?