Kronikë

SKEDA/ Dosja ‘Babale’, nga inskenimi në 2018, te dënimi për kallëzim të rremë në 2024, ‘beteja’ 6-vjeçare e Salianjit me drejtësinë që i kushtoi mandatin e deputetit

8 Korrik, 12:30| Përditesimi: 8 Korrik, 13:59

  • Share

Ishte pranvera e vitit 2018 kur Ervin Salianji, publikoi materiale të prezantuara si audio-përgjime përmes së cilave pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni, ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Nga selia blu, Salianji i shfaqi publikut një komunikim sipas tij, të Agron Xhafajt, me një ish-trafikant, Albert Veliun, me pseudonimin Babalja, emër me të cilin më pas do të njihej e gjithë kjo çështje.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës, zbuluan se audio-përgjimi ishte një material i montuar, pasi personi që dëgjohet në audio nuk ishte Agron Xhafaj, por një tjetër person në rol, Fredi Alizoti, kunati i ‘Babales. Biseda ishte e tëra e simuluar. 

Krimet e Rënda në atë kohë lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audio-përgjimit, Albert Veliun dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti, i cili më pas pranoi se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi të dyve u ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti demokrat Salianji. Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.

Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin të zërit të tij në prokurori për t’u bërë ballafaqimi audio, dhe u largua për t’iu dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur një dënim të dhënë ndaj tij në mungesë, në fillim të viteve 2000.

Më 18 dhjetor të vitit 2019 Gjykata e Tiranës e dënoi me 1 vit burg Ervin Salianjin për “kallëzim të rremë”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Albert Veliu me 3 vite e 6 muaj burg. Gjithashtu një dënim me 5 muaj burg të shndërruar në 100 orë punë në komunitet pati edhe për gazetarin Jetmir Olldashi, i cili i kishte dhënë Babales pajisjen përgjuese.

Përveç Babales, të tjerët, e ankimuan vendimin e shkallës së parë.

5 vite më pas, Apeli i Tiranës, pas zvarritjes të njëpasnjëshme, vendosi më 26 shtator të vitit 2024, të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke i dhënë formë të prerë dhe të zbatueshme dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit. 

Me këtë vendim Ervin Salianji humbi mandatin e deputetit dhe të drejtën për t’u zgjedhur në funksione publike për të paktën 5 vite të tjera pas përfundimit të dënimit

Vendimi u shpall në një sallë të mbushur plot nga thuajse i gjithë grupi parlamentar i PD, ndërsa vetë Salianji e quajti proces politik vendimin e Apelit edhe pse 2 nga 3 gjyqtarët ishin ata që dhanë vulën PD-së në qershor të 2024-ës.

Në pritje të urdhrit të ekzekutimit për arrestimin e tij, Ervin Salianji gjeti strehë në selinë e Partisë Demokratike, aty ku u hodh në tryezë edhe skenari për të mos e dorëzuar atë. Madje një pjesë e kolegëve, kryesuar nga Gazmend Bardhi, u konsultuan në banesën e kryedemokratit Sali Berisha në arrest shtëpie në atë kohë, për aferën “Partizani”.

Salianji zgjodhi të paraqitet vetë, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, një ditë pas vendimit, për t’u transferuar më tej në burgun e sigurisë së zakonshme të Fierit.

Demokratët nga ana tjetër, nisin një valë protestash.

Në atë kohë, vendimin e Apelit kryeministri Edi Rama e komentoi nga Nju Jorku ku tha se dosja “Babale” ishte një inskenim kriminal kundër drejtuesit të procesit të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj dhe vetë Partisë Socialiste si forca udhëheqëse e asaj reforme.

Çështja u gjykua në Gjykatën e Tiranës, pasi në atë kohë nuk ishte krijuar SPAK dhe as Gjykata e posaçme e cila filloi funksionimin më datë 19 dhjetor 2019. Gjykata e Krimeve të Rënda të Tiranës e kishte shpallur moskopentencën pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda hetonte vetëm dosjet e trafikut të drogës.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vlora: 08/07/2025 14:14

    Papa shpetoi zagari te pakten 20 vjet burg ti bente ky kulishi sales

    Përgjigju
  • Ayla: 08/07/2025 13:12

    Dhe tani bene hero,ketij duhet ti hiqet perjet e drekta per te ber politik vetem keshtu mund te pastrohet politika e korruptuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?