Ilir Meta kishte një objektiv, të përfitonte 10 milionë euro nga afera CEZ-DIA. Shifra del nga dosja që e çoi në qeli ish Presidentin Ilir Meta dhe ish bashkëshortes së tij Kryemadhi, të dy tashmë zyrtarisht të pandehur.
Për shifrën 10 milionë euro në një prej aferave më të rënda në Shqipëri, atë CEZ-DIA, SPAK i referohet deklaratave të Elvis Matajt, ish bashkëpunëtor i ngushtë i Metës, një prej personave kyç për zbardhjen e dosjes, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Prokuroria e Posaçme i kushton pjesën më të madhe të hetimeve zbërthimit të kësaj çështjeje, ndërsa për këtë ka marrë dhjetëra dëshmi dhe është konsultuar me disa prej autoriteteve ligjzbatuese të vendeve evropiane dhe jo vetëm.
Historinë e aferës CEZ-DIA, SPAK e nis me krijimin e kompanisë së Kastriot Ismailajt, “Debt Internacional Advisory” në offshore në “Virgin Island” më 5 korrik 2010, ndërsa dega në Shqipëri më 4 gusht të po atij viti. Ndërkohë që një marrëveshje me bordin e CEZ u firmos më 1 shtator. Pra as një muaj më pas. Duket qartë se Prokuroria këtu dyshon se qëllimi i krijimit të kësaj kompanie ka qenë pikërisht kjo marrëveshje.
Gjatë periudhës së krijimit të kompanisë dhe diskutimit për marrëveshjen, SPAK thekson se Ilir Meta dhe Kastrioti Ismailaj kanë komunikuar plot 115 herë me njëri-tjetrin, telefonata ose mesazhe, në vetëm 5 muaj.
SPAK thotë se nga hetimet ka rezultuar se Ilir Meta, si ish-ministër i Energjetikës, përdori pushtetin për lidhjen e kontratës për borxhet e CEZ, ku DIA me administrator Kastriot Ismailin, fitoi 6.5 mln euro edhe pse nuk përmbushte kriteret ligjore. Në këmbim, SPAK thotë se Meta ka kërkuar dhe ka marrë shuma të konsiderueshme parash kur si ministër duhet edhe të monitoronte zbatimin e kësaj kontrate. Për të vërtetuar lidhjen mes Ismailajt dhe Metës SPAK ka pyetur shumë dëshmitarë, ndërsa e fortë është deklarata e gruas së Kastriot Ismailajt që thotë se ai ishte i shqetësuar se Meta e presiononte për para në fushata elektorale, ndërsa vetëm në një moment i kërkoi 300 mijë euro. Në dosje Ilir Meta pyetet nëse ka udhëtuar ndonjëherë me Kastriot Ismailajn jashtë dhe e mohon kategorisht këtë, por hetimet zbulojnë se ai ka marrë pjesë në mbledhjet e CEZ në Pragë, madje duke e prezantuar Ismailajn shpesh edhe se e ka si vëlla. Kjo marrëdhënie i shqetësonte edhe çekët e CEZ, me Josep Hejsek që thoshte se e shikonte si të rrezikshëm Kastriot Ismailajn, por mbanin marrëdhënie se ishte njeri i Ilir Metës.
Hetimi i dytë është ai i lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SPAK thotë se në vitet 2016-2017, Ilir Meta, si kryetar i LSI, lidhi kontrata lobimi me 2 kompani amerikane dhe vetëm një pjesë e parave është bërë përmes llogarive të LSI ndërsa shifra 463 mijë dollarë jo. Madje këto para as nuk janë pasqyruar në bilancet e shpenzimeve në KQZ. Një diferencë për mbi 369 mijë dollarësh thotë SPAK është paguar nga një entitet i pa deklaruar nga partia LSI.
Hetimi pasuror i Meta-Kryemadhi, zbuloi se në vitet kur ata ishin çifti bashkëshortor më i fuqishëm në politikën shqiptare kanë siguruar pasuri të paligjshme, të cilat dyshohet se i kanë pastruar dhe i kanë fshehur duke përdorur edhe familjarët.
Një episod që ngre dyshime për pastrim parash nga çifti Meta-Kryemadhi SPAK e lidh me blerjen e një apartamenti 310 mijë euro në zonën e ish-bllokut në Tiranë të justifikuar me një kredi të marrë nga nëna e Monikës, Fatime Kryemadhi. Por SPAK thotë se shuma e plotë 310 mijë euro u derdh cash nga vjehrra e Metës, dhe kredia u përdor si mbulesë për të pastruar paratë që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i Metës e Kryemadhit. Vetëm përmes lëvizjeve dhe skemës së pastrimit të parave me kredi bankare, Prokuroria e Posaçme thotë se vjehrra e Ilir Metës arriti të fusë në sistemin bankar 846 mijë euro, pikërisht në kohën kur Meta akuzohet për aferën CEZ-DIA. SPAK thotë se ajo nuk justifikonte burimin, madje është përpjekur të lidhur kontrata huamarrje pasi u mor në pyetje.
SPAK evidenton gjithashtu shpenzimet e padeklaruara mjekësore të çiftit, gjatë viteve 2013-2019, në total 106 mijë euro, 86 mijë prej të cilave paguar në CASH.
Një çështje tjetër në ngarkim të Metës dhe Kryemadhit shkon në vitin 2014, kur sipas SPAK të dy kanë ndërhyrë në institucione shtetërore dhe kompani celulare që një firmë e huaj të futej në tregun e fibrave optike për shërbimin e internetit. Bëhet fjalë për kompanitë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC, në pronësi të biznesmenit Adrian Shatku, kushëri i kryemadhit. Ata morën projektë milionëshe. SPAK thotë se Meta-Kryemadhi kanë marrë pjesën e tyre të fitimit dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i kompanisë, ndërsa të gjitha shpenzimet që kanë bërë me këto karta nuk i kanë deklaruar. Shatku i ka paguar edhe lobim në SHBA partisë së Meta-Kryemadhi, ndërsa kjo e fundit konsiderohej si ortake në bizneset e kushëririt.
Komente

SHTETI NUK EKZISTON,,,SHTETI KA RENE,,KUR TE VJEDHIN CAPACULE SI META,,,BERISHA,,APO RAMA...
Përgjigjuvjerra i pastroi parat? ajo vetem nje apartament kishte ….. sistem gogolash
PërgjigjuShume keq qe mbahen ne burg njerez pa akuza pavaresisht kush esht personi gjykije te lire dhe denoje pastaj
Përgjigju