Gjirokastra është qarku me numrin më të ulët të popullsisë në vend dhe prodhon numrin e dytë më të vogël të mandateve parlamentare, 4 të tillë.
Me një shifër prej 114 399 zgjedhësish ky qark ndër vite është dominuar nga Partia Socialiste. Aktualisht, gjashtë prej shtatë bashkive të qarkut kontrollohen nga Partia Socialiste.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 2021, zgjedhje kur Gjirokastrës iu hoq një mandat për shkak të rënies së ndjeshme të popullsisë, 3 vende në parlament, u fituan nga PS dhe 1 nga PD.
Ndërsa LSI, ndonëse me një kandidat të fortë në garë Vangjel Tavon, me të cilin lidhej ngushtësisht hambari i votave të kësaj force politike, nuk mori dot mandat deputeti. (Tabelë rezultati dhe ndarja e mandateve)
Këtë herë Tavo nuk është më në garë, por ndikimi i tij i shkon Partisë Socialiste e cila i besoi drejtimin e Bashkisë së Himarës. Me zbehjen e peshës së Partisë së Lirisë, ish LSI-ja, gjasat për një ndryshim raportesh në Gjirokastër janë fare të vogla.
Socialistët, të cilët në këtë Qark drejtohen nga ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, duket se zgjodhën megjithatë të luftojnë për të ruajtur fort pozitën dominuese. Ata hodhën në garë dhe Tërmet Peçin, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i Bashkisë së Përmetit.
Demokratët, ia besuan sërish drejtimin, Tritan Shehut. Për disa mandate radhazi ai mbetet figura kryesore që ka përfaqësuar të djathtën në parlament nga ky qark duke ‘monopolizuar’ karrigen e Gjirokastrës në parlament nga radhët e PD-së. (Tabelë kandidatët)
Vetëm një kandidat është në listë të mbyllur. Ndërsa 8 të tjerët, në të dyja partitë e mëdha zbritën në fushëbetejën elektorale, për dy mandatet e mbetura.
Rreth 8,500 qytetarë të qarkut janë regjistruar për të votuar në distancë, dhe më shumë se gjysma e kanë dërguar votën përmes postës. Por diferenca e thellë që ekziston mes palëve, e konfirmuar dhe në zgjedhjet vendore të 2023, e bën të papërfillshëm, ndikimin e votës së emigrantëve.
Komente
