Safet Bajri, një nga krerët e dyshuar të organizatës kriminale 'Bajri'
Safet Bajri (Rustemi) është një nga emrat e cilësuar si drejtuesi i organizatës kriminale “Bajri” në Shkodër, prej dy dekadash i akuzuar dhe hetuar për krime të ndryshme, por vetëm pak herë i dënuar, dy prej tyre në Belgjikë për plagosje dhe drogë.
Ishte i arrestuari kryesor i operacionit të bujshëm “Oaz” të vitit 2018 në Shkodër, si kreu i organizatës bashkë me kushërinjtë e tij Ilir dhe Behar Bajri, se vendosnin gjoba dhe kryenin aktivitete ilegale, deri te shitja e drogës.
Por më shumë do të dilnin në skenë për konfliktin e përgjakshëm me fisin Lici në qytet, që deri tani ka shkaktuar mbi 7 viktima në po kaq vite. Arrestimi i sotëm i tij erdhi për një krim të vitit 2018, pikërisht ekzekutimi në atentat i Fatbardh Licit, vëllai i këshilltarit bashkiak Mustafa Lici, (babai i Ibrahim dhe Muhamet Licit), teksa grupi po hetohet si i dyshuar edhe për masakrën e Dobraçit disa muaj më parë (30 Tetor) në Shkodër ndaj fisit Lici, me 4 të vrarë, mes të cilëve 2 të pafajshëm. Gjithashtu edhe për përplasjen e armatosur të vitit të kaluar në Bushat për çështje droge me fisin Prendi, ngjarje për të cilën ka disa të arrestuar.
Belgjika e kishte dënuar për dy ngjarje njëra pas tjetrës me 20 vite burgim në total, si plagosje, grabitje, prostitucion. Ai u dënua më 25 janar 2017 nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vite burg, si kreu i një organizate kriminale të trafikut të drogës dhe prostitucionit në kryeqytetin belg, teksa kishte marrë edhe rreth 13 të tjera për plagosje të rëndëm vendim i 22 shkurtit 2014.
Më 2018, pas kthimit nga Belgjika, u arrestua gjatë operacionit të koduar “Oaz” bashkë me kushëririn Ilir Rustemi (Bajri), Emrah Plaku, ish-kampionin e boksit Astmer Bilali dhe Erogen Brajoviç, për një sërë krimesh, por u lirua pak më vonë, pasi nuk u provuan akuzat e kërcënimeve dhe gjobvënieve.
Ai vuajti vetëm disa vite burg të mbetura nga Belgjika, në Burgun e Reçit. Ekstradimi nuk u mundësua për shkak të mungesës së marrëveshjes mes dy vendeve. Dosja “Oaz” përfundoi mes zvarritjeve sa te Krimet e Rënda në Shkodër dhe Gjykata e Rrethit zbuti akuzat dhe dënimet, deri në gjykim të shkurtuar. Safet Bajri mori vetëm 2 vite e 6 muaj burgim.
Deri tani ai nuk figuron në dosjen “Metamorfoza” dhe as në atë ‘Revanshi’ si Behar Bajri (Bajroviç), por po hetohet për ngjarje të tjera kriminale, si përplasja e armatosur me fisin Prendi në Bushat apo dhe masakra e Dobraçit.
Lajmi kryesor:
RENEA arreston Safet Bajrin, masë sigurie edhe për krahun e djathtë, Astmer Bilali e kushëririn Behar Bajri! SPAK: Ekzekutuan Fatbardh Licin në 2018, morën hak për vrasjen e ish-policit Bërçana (VIDEO)
A.Q/ReportTv.al
