Julian Sinanaj është konsideruar si një prej vrasësve serialë më të rrezikshëm në Shqipëri i akuzuar për një sërë ekzekutimesh me pagesë në Shqipëri dhe Greqi. Sinanaj është i dyshuar dhe nga drejtësia Greke për një sërë vrasjesh me pagesë të kryera atje, por dhe pse hetuesit grek kanë ardhur 4 herë në Tiranë, ai ka refuzuar të bashkëpunojë, duke heshtur.
Sinanaj i përket të ashtuquajturës “Banda e Tritolit” në Vlorë si dhe autor i vrasjes së Sokol Veizit, Julian Metushajt, Agron Çelës, tritoli në banesën e Ardian Kollozit ish kreut të PD-së në Vlorë, tritoli në automjetin e ish perfektit Besnik Dervishi dhe vrasja e mbetur në tentativë ndaj shtetasit P.B.
Në fakt është vetë ai i cili ka ndihmuar prokurorët për këto vrasje, një lëvizje e cila e shpëtoi atë nga burgimi i përjetshëm. Ai u dënua me 35 vite burg në vitin 2016 ndërkohë që Sinanaj u prangos në fillim të vitit 2014 i cili pasi kishte marrë një banesë me qira po përgatiste vrasjen e biznesmenit P.B.
Për kryerjen e vrasjeve, Julian Sinanaj ishte i stërvitur mirë në Greqi. Ai paguhej me shuma të mëdha parash, çka dëshmohet dhe nga jeta e luksit që ai bënte. “Pjesën më të madhe të parave që merrja nga vrasjet ia dërgoja familjes në Greqi, ndërkohë që pjesën tjetër e mbaja për vehte, duke e përdorur për kazino, femra dhe udhëtime jashtë shtetit”.
Kështu është shprehur Julian Sinanaj, i penduari drejtësisë kur është pyetur nga prokurorët e Krimeve të Rënda, se çfarë i bënte lekët që u merrte Marjon Mitros dhe dy kushërinjve Mëhillaj. Në dëshminë e tij, Sinanaj ka rrëfyer se një pjesë të lekëve e ka përdorur për t'i plotësuar dëshirat vetes, ku kryesisht luante kazino, shkonte me femra si dhe kryente udhëtime jashtë shtetit. Sipas Sinanajt, një pjesë të parave i përdorte edhe për blerjen e armatimit dhe tritolit, me të cilat e furnizonte gjithmonë i penduari tjetër Ndriçim Gjokona.
Sipas Sinanaj, herë pas here shoqërohej me femra në mënyrë që të mos binte në sy të policisë, por edhe të personave që ai kishte piketuar për të vrarë. Nëpërmjet shoqërisë së femrave ai “maskohej”, nga ku me aparatin fotografik kryente dhe fotot e biznesmenëve të ndryshëm. Sipas tij, ka pasur raste kur ulej shumë afër njerëzve që do i vrite në lokale dhe restorante të ndryshme, duke i dëgjuar dhe rreth bisedave që ata bënin në tavolinë.
Lajmi kryesor:
Atentati ndaj Marjon Mitros në Vlorë, shoqërohen 8 persona, nuk gjendet asnjë gëzhojë! 2 persona qëlluan ndaj ish anëtarit të bandës së vrasësve me pagesë (VIDEO)
K.T.//ReportTv.al