Pas përfundimit të seancës parlamentare, kreu i PD-së Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj mazhorancës se ka shkelur Kushtetutën! Më tej Berisha ka paralajmëruar se do të ketë protesta kundër qeverisë, të cilën e quan si ‘grup mafioz’.
“Siç e patë vetë, narkoparlamenti i Partisë Socialiste, vazhdoi edhe sot konsolidimin e aktit më antikushtetues në historinë e këtij parlamenti, votimin në errësirë të plotë të narkoqeverisë dhe programit të saj.
Qytetarët e panë se çdo gjë ëshët e pashpresë në rrugë procedurale dhe ligjore dhe rruga e vetme mbetet vendosmëria qytetare, protesta kundër këtij grupi mafioz që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe as moral”, tha Berisha.
Në një prononcim për gazetarët, kryedemokrati tha se kishte mundësi që seanca e sotme parlamentare të anulohej dhe të rivendosej Kushtetuta. Ndërsa po ashtu Berisha akuzoi drejtuesit e mazhorancës se janë përfshirë në korrupsion.
“Sot ishte një mundësi që të anullohej seanca dhe me anullimin e seancës rivendosej Kushtetuta. Por problemi është se këta janë Erion Veliaj. Janë copy-paste. Këta e kanë shumë të qartë se i pret fundi i Erionit. Këta e kanë të qartë se e drejta, e vërteta, vonon, por nuk harron. Lubi Balluku e ka të qartë se tuneli i Llogarasë është për të tuneli nga i cili nuk do dalë dot ndonjëherë. Le ta fshehë dhe të bëjë ç’të dojë me dosjen Altin Troplini, por ai tuneli mbetet monumenti më i shëmtuar i vjedhjes së Edi Ramës dhe Lubi Ballukut. Është e qartë se kur them që janë si Erion Veliaj, janë pa asnjë diskutim edhe më keq se ai në disa aspekte.
Janë 400 milionë të djegësave, të cilat kanë firmën e Edi Ramës, por aktualisht e mbron Altin Troplini. Mirëpo ai e di se drejtësia vonon dhe nuk harron. Këta i panë dje këshilltarët, të quajturit larva njerëzore, njerëz të cilët kishin dalë dhe ishin kacavjerrë dritareve dhe dyerve të prokurorisë dhe gjykatës në protesta kundër arrestimit të Erionit, kurse dje i bënin gjyqin Erion Veliajt, duke dëshmuar se nuk kanë as moral, as karakter, asgjë tjetër. Ju e patë se si ishin ata sot, ishin në zi, nxinin sepse panë secili në veten e tij, fatin e Erion Veliajt”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PD: Të ripërsëritet prezantimi i programit! PS refuzon: E dhunuat seancën e kaluar! Miratohet përbërja e komisioneve
A.D/SI.E./ReportTv.al