Shqipëria fitoi në qershor të vitit të kaluar gjyqin në Arbitrazhin Ndërkombëtar me kompaninë Bankers Petroleum. Kompania naftë-nxjerrëse në Patos-Marinzë kishte kërkuar që t’i njihen si shpenzime 236 milionë dollarë, por kjo kërkesë ishte refuzuar nga AKBN. Përplasja mes palëve daton që në vitin 2015, kur kompania ishte ende në duart e pronarëve të atëhershëm kanadezë.
Në arbitrazhin ndërkombëtar kishte shkuar kompania Bankers, e cila kërkoi që t’i mbajë të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove.
Përmes një njoftimi, Ministria e Energjetikës, bëri të ditur atë kohë, se arbitrazhi është shprehur se kostot e pretenduara nga Bankers janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme. Pra shteti nuk ka për detyrim t’ia njohë këtë vlerë.
Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, tanimë kompania duhet të paguajë tatim mbi fitimin për aktivitetin e saj. Në rastin e kontratave të hidrokarbureve siç është me Bankers, Tatimi mbi Fitimin nuk është 15% por 50%. Pra mbi shumën 236 mln dollarë do të bëhet një verifikim se sa janë kosto reale dhe më pas do të nxirret detyrimi i kompanisë ndaj shtetit shqiptar.
Mosmarrëveshjet me kompaninë kishin nisur në vitin 2011-2012 kur AKBN, nga një audit i kryer konstatoi se kompania kishte fryrë shpenzimet e deklaruara për investimet që po bënte, me qëllim që të dilte pa fitim dhe të shmangte tatimin. AKBN në auditet e saj kishte konstatuar se Bankers Petrolium kishte raportuar vetëm humbje në bilancet e saj, vetëm për të mos paguar tatim fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.
“Rezultati i mosmarrëveshjes është se Bankers do të duhet t’ i kthejë Shqipërisë shuma për llogari të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Kjo do të rrisë fitimet historike të fushës së naftës dhe do të çojë në pagesa të tatimit mbi fitimin ndaj shtetit”, saktësonte në njoftimin e saj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më tej në reagimin e ministrisë shpjegohej se Gjykata konkludoi se nuk mund të pretendoheshin as kostot e kundërshtuara që ishin bërë, të tilla si investimet në marrëdhëniet me komunitetin që kane qenë të ekzagjeruara ose pagesat për qiratë e tokës. Marrëveshja me kompaninë Bankers është lidhur në vitin 2004, me jetëgjatësi 25 vjeçare.
Komente
