Skënder Gega, trajneri i Partizanit

Sport

Skënder Gega rigjen një derbi, paralajmëron Tiranën: Duhet të jemi agresiv për maksimumin

6 Prill, 16:46| Përditesimi: 6 Prill, 16:49

  • Share

TIRANË - Të hënën e 7 prillit në orën 20:00 në "Arenën Kombëtare" luhet derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, sfidë që vlen për raundin e 33-të në Superligë. Në prag të këtij dueli para medieve doli Skënder Gega, trajneri i Partizanit.

I rikthyer vetëm pak ditë më parë në krye të të kuqve, Gega thotë se sfida është historike dhe vlerëson rivalët që sipas tij kanë bërë historinë së bashku me Partizanin. Dueli i së hënës është i 178 në histori mes tyre dhe peshorja anon nga ana e "Demave", teksa Tirana e gjen veten në vendin e fundit të Suerligës dhe rrezikon mbijetesës, ndërsa Partizani do të mbetet në zonën "Final 4" për të garuar për titullin kampion.

“Secili derbi ka pasur vështirësitë në klubet e tyre dhe ne kemi problemet tona dhe gati në pak ditë janë luajtur tre ndeshje. Të trija kanë qenë të domosdoshme. Ju i patë, i kemi kaluar me sukses. Kemi harxhuar energji, por në të njëjtën kohë edhe na ka bërë mirë sepse po ingranohemi siç duhet me kërkesat që kemi.

Tirana - Derbi mbetet derbi, në çdo situatë, në çdo kohë, pavarësisht situatës në klasifikim të ekipeve. Ne jemi rivalë, rivalë të përjetshëm dhe mua më takon si trajner dhe ish-futbollist të flas me respekt për historinë e Tiranës, me një pjesë të madhe të tyre jemi shokë dhe kemi përfaqësuar Shqipërinë bashkë.

Kështu që në këtë aspekt ka vlera kjo ndeshje. Pikët janë të domosdoshme për ne, se jemi në një pozicion që ne duhet të bëjmë mirë, për 90 minuta jemi rivalë, secili do suksesin. Nuk është e lehtë dhe nuk di çfarë do të ndodhi, por ne do të hyjmë me besim që të bëjmë detyrat tona.

Në çdo vend që shkon trajneri, mundohet të bëjë më të mirën, ky është pozicioni. Këtu ka një dozë më shumë dashamirësie e mikpritje, kjo të bën që të japësh edhe rezervat që ke. Për fat të mirë jam pritur nga klubi me mikpritje dhe ka bërë çdo gjë që unë të ndjehem komod. Por edhe me lojtarë çdo ditë të njihem e kuptohem më mirë, të mundohem që gjatë 90 minutave që është detyra ime, të luajnë në mënyrën që ne kemi caktuar.

Kështu që jam i kënaqur, shumë i kënaqur. Do të doja që të isha përgjithmonë, të isha çdo kohë. Por i tillë është futbolli, planet e çdo klubi. sot jam këtu, e dua të shoh para, nuk kam qejf të kthehem mbrapa. Nuk jemi ne që caktojmë ecuritë e kundërshtarëve dhe rivalëve, historikisht është ajo që thashë, në çdo pozicion që është Tirana apo Partizani, kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme të Superiores, pavarësisht klasifikimit, por është edhe për qytetin, tifozeritë.

Kanë shanset e tyre, mundohen të mbështetin ekipin në mënyrën e vet, kështu që çdo gjë është pozitive. Pastaj kush ia del është gjë tjetër, bëhen analizat më vonë. Por është një ditë që të jep adrenalinë. Kur ta kuptojnë sportistët që unë drejtoj se çfarë klubi përfaqësojnë e çfarë mbështetje kanë rreth e rrotull, doza që të japin më tepër do të jetë shumë e madhe. Por çdo gjë shkon mirë deri tani.

Ekipi - Skuadra po mundohet të punojë shumë mirë, lojtarët me shumë ngarkesë si Bintsuka, të rikuperohen. Deri nesër nuk kemi vendosur asgjë. Grup serioz dhe i ri, kanë nevojë për mbështetje dhe besim.

Gjendja - Deri nesër shpresoj të pushojnë më tepër. Është fundi i kampionatit, gjendja për shkak të ndeshjeve të ngjeshura dhe kalendarit ka bërë të rendohen. Nuk janë të gjithë në një prerje, do mundohemi t’i fusim në pozicionin e duhur. Kemi dhe të tjera rezerva, çdo njeri ka marrëveshje me klubin. Duhet me respekt dhe çdo gjë, pasi kështu funksionon.

Sot nuk luhet futboll pa pasion dhe agresivitet. Është për detyrë të jesh ashtu. Duhet të vendosin njerëz që e bëjnë këtë punë. Mënyra si do vendosemi, do mundohemi t’i japim të gjitha. Derbi i bën lojtarët emocionale, po do mundohemi të jemi gjithmonë të vëmendshëm, jam i kënaqur si po përgjigjen dhe nesër nga minuta e parë deri sa të bie bilbili, të jenë të qetë dhe pa presion. Unë jam natyrë që i bën gjërat e qarta. Në moment që fillon ndeshja, kam dëshirë të shkojnë gjërat mirë, por kam guximin të bëj korrigjime.

Të mos jesh agresiv në derbi, është diçka e papranueshme, të shton dozën, por “fair play”. Duhet të ruajmë veten, të jemi në fokus. Shpresojmë t’ja dalim. Ne do hyjmë nesër të marrim maksimumin, maksimumi dihet, ka 3 pikë, ka 1. Nuk jam natyrë që parashikoj. Derbi i pranueshëm, por të shikojmë, nuk e di nëse do jetë barazim por do hyjmë për maksimumin”, tha trajneri i Partizanit.

STATISTIKAT - Sfida e nesërme është e 178 mes tyre në histori, me bilancin që anon nga ana e të kuqve. Nga viti 1947 deri më 2024 në të gjitha kompeticionet dy skuadrat janë përballur 177 herë, me Partizanin që ka 73 fitore, kundrejt 47 të Tiranës; ndërsa 57 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Partizani me 47 pikë mban pozitën e katërt që të dërgon në "Final 4" për të garuar për titullin kampion. Tirana kërkon patjetër fitoren pasi ndodhet në vendin e fundit me 32 pikë dhe rrezikon mbijetesën katër raunde nga fundi i sezonit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?