Sollën lesh xhami e 15 fuçi me vaj trageti nga Italia, Apeli i Vlorës liron dy nga të ndaluarit, burg vetëm shoferit të furgonit

12 Mars 2020, 20:55| Përditesimi: 12 Mars 2020, 20:58

  • Share

Gjykata e Apelit Vlorë, ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për zëvendëskapitenin e anijes “St-Damian” ku në ambientet e të cilit, në muajin shkurt 2020, u gjetën dhe sekuestruan 15 fuçi të dyshuara me lëndë kimike dhe 40 metër kub lesh xhami. Kujtim Xhaferllari, me detyrë zëvendëskapiten i “St-Damian” ndodhej në masën e sigurisë “arrest në burg” për një periudhë dy mujore, por sot Apeli i Vlorës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për të, duke caktuar masën e “arrestit në shtëpi”. Gjithashtu një tjetër person i arrestuar për këtë çështje dhe që ndodhej në burg, ishte dhe Zamir Kormuzi administratori i kompanisë së mbetjeve, por sot ai është liruar nga qelia, duke caktuar gjykata një masës “arresti në shtëpi” për të. I vetmi mes personave, që është lënë në burg është shoferi i furgonit Arbër Çuni, që transportonte mallrat nga ambientet e tragetit “St-Damian” tek pika e grumbullimit të mbeturinave. Për personat e tjerë si Agron Brataj, Elisabeta Çuni dhe Festim Tafa, janë lënë masat e pandryshuara.

Gjashtë persona u arrestuar për transportimin e mbetjeve të dyshuara me lëndë kimike nga Italia në drejtim të portit të Vlorës. Hetimi i kryesuar nga prokurori i çështjes Arjan Xhaferaj, ka zbuluar se trageti “St-Damian”, i linjës Vlorë-Brindizi, disa kohë më parë është përfshirë në një procedurë rikonstruksioni në Itali, por çuditërisht mbetjet si xhami i leshit dhe inertet e tjera si sfungjerë e filtra të ndryshëm, të dala nga rikonstruksioni, nuk i ka lënë në Itali, por i ka sjellë në Shqipëri, ku i merrte me furgon mallrash Arbër Çuni, i cili i nxirrte nga hambari i tragetit dhe i çonte në pikën e grumbullimit të mbeturinave që ai zotëronte në Vlorë. Nga hetimi i kryer është konstatuar se mes kompanisë “Delfini 1” dhe agjencisë “Euroferris” me përfaqësues Agron Brataj, është lidhur një kontratë pastrimi çdo ditë në bankinë apo dhe në radë, duke kryer shërbimin e tërheqjes së mbeturinave të ngurta dhe të lëngëta nga trageti dhe anijet që përpunon agjencia detare “Euroferris”, ku mes të cilave ishte dhe trageti “St-Damian”. Sipas dosjes së prokurorisë sasia e mbetjeve prej gati 40 metër kub me material lesh xhami dhe gati 15 fuçi, janë sekuestruar në brendësi të tragetit “St-Damian”. Duke pasur këtë kontratë ekskluzivitet dhe përdorur argumentin se po pastronin tragetin nga mbeturinat, Arbër Çuni, ngarkonte forgonin e tij me plehra, përfshirë dhe xhamin e leshit e mbeturinat e tjera dhe i nxirrte ato në drejtim të Vlorës. Mbeturinat e ngarkuara në furgon por edhe ato që ndodheshin në hambarin e tragetit nuk janë shoqëruar me asnjë dokumentacion përkatës dhe nuk është pasqyruar as dhe në manifestin e mallrave të tragetit. Po kështu rezulton se këto mbetje nuk janë deklaruar as në autoritetin portual dhe as në Degën e Doganës Vlorë, në momentin e mbërritjes së tragetit.“...shkarkimi i këtyre mbetjeve dhe më tej depozitimi i tyre në pikën e grumbullimit të mbetjeve tek Zamir Kormuzi, është kryer pa njoftuar më parë asnjë prej institucioneve shtetërore…”-thuhet në dosjen e akuzës së Vlorës. Për hetimin e kësaj çështje kaq të ndjeshme, një grup oficerët të policisë së Vlorës kanë shkuar në pikën e grumbullimit të mbetjeve që ndodhen në lagjen “24 Maji” në Vlorë, administrator i së cilës është Zamir Kormuzi. Gjatë kontrollit në këtë pikë mbeturinat është gjetur një sasi mbetjesh të njëjta me ato të bllokuara në hambarin e tragetit “St-Damian” si dhe në furgonin me targa AA417SC që drejtohej nga Arbër Çuni. Veprimet hetimore kanë nxjerrë në dritë se shoqëria “Kormuzi” nuk ka kapacitet e duhura për përpunimin e materialeve të tilla si lesh xhami dhe po kështu nga këqyrja në faqen e QKB-së, rezulton se ajo nuk ka asnjë objekt të veprimtarisë së trajtimit të materialeve të tilla. Po kështu nuk rezulton me lejet apo licencat përkatëse për trajtimin e këtyre mbetjeve. Nisur nga kjo situatë dhe pas dyshimeve se materialet janë kontrabanduar në mënyrë të paligjshme dhe se ato përmbajnë lëndë të rrezikshme për shëndetin, policia dhe prokuroria e Vlorës ka vlerësuar nisjen e hetimeve ndaj Kujtim Xhaferllari, Agron Brataj, Elisabeta Çuni,Arbër Çuni, Zamir Kormuzi dhe Festim Tafa.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?