Instituti italian Piepoli pasqyroi sonte në Frontline sondazhin paraelektoral për qarkun e Durrësit. Duke marrë në konsideratë vetëm zgjedhësit që jetojnë në qarkun e Durrësit, PS rezulton forcë e parë me 49-53% të votave, llogaritur në mandate 6-8 deputetë.
PD projektohet 37-4%, me 4-6 deputetë. Më e mundshmja për të qenë forcë e tretë është Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, 2-6%, pra 0-2 mandate deputetësh.
Lëvizja ‘Bashkë’ e Arlind Qorit dhe ‘Mundësia’ e Agron Shehajt, me nga 1-5% luftojnë për një mandat deputeti në qarkun Durrës. Ndërkohë, duke llogaritur zgjedhësit në Durrës dhe ata zgjedhës në qarkun Durrës që jetojnë në Itali, sondazhi nuk sheh ndryshim për forcën e parë, Partinë Socialiste.
Sa i përket PD-së duke bashkuar dhe votat e diasporës në Itali, ka një rritje me 0.5%, megjithatë marzhi i mandateve është 4-6. Ndryshim me diasporën italiane të Durrësit, ka dhe Partia Mundësia e Shehajt, me 0.5% rritje, duke iu afruar mandatit të deputetit në këtë qark. Kujtojmë se në zgjedhjet e 2021, PS mori 8 mandate në Durrës, ndërsa PD-ja mori 6.
Lajmi kryesor:
EKSKLUZIVE/ Sondazhi i parë i Piepolit dhe Report Tv për 11 majin! PS drejt 19 mandateve në Tiranë, PD rënie në Durrës! Lapaj e Shehaj në 'luftë' për vendin e tretë, PL nuk arrin mandat
G.K/ReportTv.al