Vetëm 6 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Report Tv sjell ekskluzivisht sondazhin e fundit në bashkëpunim me institutin Piepoli. Si ndahen 3 mandatet për qarkun e Kukësit?
Sipas sondazhit të Piepolit, gara mbetet e përqendruar mes dy forcave kryesore politike. Koalicionit PD-ASHM ruan 2 mandatet në këtë qark, njëjtë si në zgjedhjet e 2021, ndërsa mandati tjetër shkon për Partinë Socialiste.
Por, edhe pse merr 2 mandate, Berisha ka rënie në qarkun e Kukësit, ku sipas të dhënave të sondazhit të Piepolit, kryeson me 55.8% të votave, por një rënie 6.6%, krahasuar me vitin 2021, kur në këtë qark mori 62.4%.
Ndërkohë, Partia Socialiste renditet e dyta me 38.5%, duke shënuar një rritje të lehtë prej gati 3%, pasi në 2021 mori 35.8% të votave. Por edhe pse një rritje e lehtë e votave, kjo nuk i mjafton PS për të marrë një mandat të dytë.
Partitë e tjera të vogla, sipas sondazhit të Piepolit nuk marrin asnjë mandat. 2% e kuksianëve do votojnë ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, 1.7% partinë ‘Mundësia’ të Agron Shehajt, 0.4% partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit, 0.1% ‘Koalicionin Euroatlantik’ të Bashës dhe po 0.1% e kuksianëve më 11 maj do votojnë koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ të Alibeajt.
Ndërkohë, as PSD e Tom Doshit nuk merr asnjë mandat, sipas projeksioneve të Piepolit, ndonëse vetë Doshi ka shprehur publikisht ambicien për t’i marrë një mandat Berishës në Kukës. PSD ka një rritje të lehtë nga 0.5% në 2021, në 1.3% këtë vit.
Lajmi kryesor:
Sondazhi ekskluziv i Piepolit për 11 majin/ PS fiton me 75 mandate, konfirmon rezultatet e 2021-shit! PD me aleatët rënie drastike, 9 deputetë më pak! 10 për Lapajn e Shehajn! Parashikimet në 12 qarqe
SI.E./ReportTv.al
