Sot 104 vite nga vdekja e Ismail Qemalit, kryeministri i parë shqiptar! Në 28 nëntor 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë

24 Janar 2023, 08:56| Përditesimi: 24 Janar 2023, 09:53

  • Share

Bëhen 104 vjet nga vdekja e atit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali i cili lindi në Vlorë në vitin 1844 ku bëri edhe shkollën fillore. Ismail Qemali më pas vazhdoi në shkollën e mesme Zosime në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, në moshë shumë të re, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll.

Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane. Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmakamit në Kesrije, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.

Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Nga martesa e dytë pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.

Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.

Ora 11:14
104-vjetori i vdekjes, Veliaj homazhe në nder të Ismail Qemalit: Përkujtojmë me nderim veprën e një burri të madh

Sot bëhen 104 vjet nga vdekja e atit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me nënkryetarët Anisa Ruseti dhe Andi Seferi, si dhe kryetaren e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Romina Kuko, kryen homazhe pranë bustit të Ismail Qemalit.

Veliaj vendosi një kurorë me lule në nder të njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

“Në 104-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit përkujtojmë me nderim veprën e një burri të madh dhe sakrificat e jashtëzakonshme për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë,” shkruajti Veliaj rrjetet sociale.

Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?