Bizneset që operojnë përgjatë pedonales së qytetit të Korçës kanë reaguar në një mënyrë simbolike, por mjaft të qartë ndaj vendimit të autoriteteve nga i cili u kërkohet lirimi i hapësirave publike, në kulmin e sezonit turistik dhe me një afat shumë të shkurtër.
Nëpërmjet fletëve të ngjitura në xhamat e një lokalit në pedonalen e Korçës, ata kanë shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë për mungesën e dialogut dhe njoftimin e vonuar nga institucionet.
Disa nga mesazhet e shkruara:
“Nuk jemi zaptues, por taksapagues - duam dëmshpërblim!”
“Pse njoftohemi vetëm 4 ditë para dhe në mes të sezonit?”
“A ka partneritet pa konsultim? Bizneset tona nuk janë armiku juaj.”
“Kërkojmë shtyrje të afatit deri në fund të sezonit turistik.”
“Përse kjo arrogancë, përse kjo prepotencë? Pse ky diktat?”
“Ku fshihet qëllimi real? Doni të na zboni nga Shqipëria?”
Ky reagim vjen në një periudhë kur aktiviteti turistik është në kulmin e tij dhe shumë prej këtyre bizneseve bazojnë të ardhurat vjetore pikërisht në këtë sezon. Ata kërkojnë jo vetëm shtyrjen e afatit, por edhe një proces të drejtë dhe të bazuar në komunikim të hapur me institucionet.
Ndërkohë 31 korriku është afati i fundit për bizneset, të cilat duhet të lirojnë vullnetarisht hapësirat pranë akseve kombëtare dhe të respektojnë distancën 20 metra nga kanalet e rrugës.
Qeveria u kujton këtë afat të gjitha subjekteve private, të cilat e kanë marrë një paralajmërim nga IKMT-ja për të çliruar hapësirat e shkelura të sigurisë rrugore.
Pas këtij afati, në 1 gusht, do të nisin gjobat dhe ndërhyrja e IKMT, të cilat sikur rikthekson kryeministri Edi Rama, do të nisin nga ata që refuzojë të zhvendosen. Masat ndëshkuese do të shkojnë deri në kallëzim penal.
Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo në lidhje me lirimin e hapësirave publike në këtë qytet në një prononcim për mediat tha se një ditë më parë ka pasur edhe një takim me bizneset në zonën e pedonales, ky thekson se i ka informuar për standardet e reja të trajtimit të hapësirës publike.
“Bashkia e Korçës ka nisur aksionin e lirimit të hapësirave publike në qytet, në vijim edhe të aksionit kombëtar. Ky aksion do të prekë hapësirat publike që janë zënë nga bizneset, hapësirat publike që rrethojnë pallatet. Dje kam patur një takim me bizneset të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e pedonales, e cila preket nga ky projekt, ku i kam informuar për standardet e reja të trajtimit të hapësirës publike. Aspekti i parë janë elementët e mobilimit urban që do të lejohet të vendosen në këtë hapësirë publike, që do të jenë vetëm çadra, karrige e tavolina duke hequr të gjithë elementët e tjerë që janë pedanat, ndarjet anësore apo vazo rreth e rrotull bizneseve. Elementi i dytë është madhësia e hapësirës publike që do të vihen në dispozicion të bizneseve, për të respektuar raportin 25% për bizneset dhe 75% në dispozicion të kalimtarëve”, tha Sotiraq Filo.
Filo nënvizon se u ka dhënë afat bizneseve deri më 17 gusht për lirimin e hapësirave të zaptuara.
“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve. Shqetësimi ka qenë që nuk arrijmë dot të prodhojmë çadrat për të kaluar nga tendat e kioskat. Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri në 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që ti heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri në 17 gusht, e më pas të zëvendësohen”, shtoi ai.
“Brenda ditës së sotme do tju vihet në dispozicion hapësira që ata do të mund të përdorin, duke respektuar raportin që thamë, si edhe u janë dhënë elementët e reja të mobilimit urban, ngjyra e çadrës, lloji”, thekson Filo.
Gjatë takimit me pronarët e bizneseve kryebashkiaku ka qenë i prerë me ta, ku ndër të tjera tha se për pikat që janë abuzive nga bizneset, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë mirëkuptues.
"Kam bërë një kronologji të ecurisë të zonës pedonale që nga momenti kur ky investim është bërë nga bashkia. Ky aks është transformuar nga një rrugë kalimi për makinat në një zonë pedonale. Situata atje ka qenë që fillimisht bizneset që u hapën të parat dhe operonin si bar kafe, kanë qenë pikërisht në situatën që po kërkojmë tani. Pra kanë patur çadra dhe karrige, tavolina dhe sidomos ajo pika kritike ka qenë fillimi i zbatimit të ligjit për ndalimin e pirjes së duhanit brenda lokaleve, filloi krijimi i këtyre strukturave jashtë lokalit që morën pamjen e kioskave.
E vërteta është që unë si kryetar bashkie dhe këtë besoj duhet ta dëshmojnë pjesa më e madhe e bizneseve, nuk i kam inkurajuar asnjëherë që ta bëjnë këtë lloj ndërhyrje, madje ka një periudhë disa vjeçare kohe që i kam informuar që janë në një drejtim jo të duhur dhe këtu do të duhet të bëhet një projekt për ta rikthyer zonën pedonale ashtu si ka qenë më parë.
Një pjesë e bizneseve nuk janë lejuar ti vendosin këto struktura por kanë vazhduar me çadra, karrige e tavolina, një pjesë tjetër janë lejuar por gjithnjë kanë thënë vetë që në momentin që do të ketë një projekt nga ana e bashkisë, ne jemi të gatshëm që ti heqim vullnetarisht këto struktura. Kjo është një hapësirë publike, e cila administrohet nga bashkia dhe rregullat e shfrytëzimit të kësaj hapësire i vendos bashkia. Kam qenë dhe jam i gatshëm, dje kam diskutuar dhe kam qenë i mirëkuptuar për ato pika që ishin shqetësim si afati i ndërrimit të çadrave që do një kohë fizike për tu prodhuar çadrat, por për pikat që janë abuzive, nuk kam qenë e nuk jam fare mirëkuptues”, përfundoi ai.
Komente

Taksapagues jane dhe baret,klubet e pubet tek ne,por ama asnje nuk guxon te zere as dy kembe pertej ambienteve te percaktuara se u vjen takse ekstra shume e larte.Takse eshte dhe ajo,por eshte aq e larte sa duket si gjobe.
PërgjigjuZaptuesa qe e mbani veten taksapaguesa.lironi rruget dhe trotuaret se si intereson njeriu a jeni pagues a jo. Zaptues lironi hapsirat publike.shkoni paguani per metrat qe blini me hipoteke jo metra te zaptuara cdo dite e nga nje karrige para deri sa dilni ne rruge makine.hu jeni per burg sna duhen taksat tuaja per sa kohe nenat me karroca nuk kalojne dot ne trotuar.
PërgjigjuNuk eshte ai biznes armiku im?1 po sigurisht qe je armiku im se me ze rrugen ku kaloj dhe me ngushton hapesiren publike. shkulini dhe pastrojeni se boll keni shire si keni dashur.
PërgjigjuMetevertete nuk i duket gje gjithe ai trotuar qe ka zene!!!! Po te ikesh pse jo, nderto e zapto ne ate vend ku te shkosh dhe e shikon se si shkon punet pastaj. Kjo eshte ajo malokerija e "qyteteruar" e Korces.
PërgjigjuPo ik o mos na e shpifni. Taksapagues jemi te gjithe por nuk zeme vendet publike. Une mendoja se shumica ishin me leje por qe abuzonin duke shtuar ndonje tavoline apo strukture me shume. Keta qenkan te gjithe pa leje. Per mua duhet procedim penal qe ketej e tutje pa paralajmerim fare. Cdo lulishte apo vend i perbashket eshte bere kafene, shitje fruta perimesh, ose parkim makinash.
Përgjigju