Champions League ka mbyllur këtë të mërkurë raundin e pestë në fazën e ligës. Liverpool mposhti 2-0 Real Madridin në ndeshjen më të rëndësishme të mbrëmjes, duke marrë vendin e parë.
Gjithçka nisi në orën 18:45 me fitoren 1-0 të Sturm Graz kundër Gironas, ndërkohë që në Beograd vendasit e Crvena Zvezda mposhtën 5-1 Stuttgartin. Gjatë ditës ultrasit serbë u përleshën me tifozët miq, teksa pati të lënduar.
Në orën 21:00 spektakli u zhvendos në ‘Anfield’, aty ku Liverpool mposhti 2-0 Real Madridin, në atë që mund të ishte edhe një finale e këtij kompeticioni. Mac Allister dhe Gakpo vendosën ndeshjen në pjesën e dytë. Për t’u theksuar se Kelleher i priti penalltinë Mbappe kur ndeshja ishte në avantazhin e një goli për vendasit, ndërsa më vonë edhe Salah gaboi nga 11 metra. Me këtë sukses Liverpool rikthehet në vendin e parë.
Ndeshja e vetme pa gola ishte ajo e Birminghamit, ku Aston Villa dhe Juventus barazuan 0-0. Italianët vinin në këtë sfidë me tetë mungesa dhe vetëm 14 lojtarë të gatshëm, teksa rastet nuk munguan. Dramë deri në fund, aty ku në aksionin final Aston Villa shënoi, por VAR e anulloi për faull ndaj portierit Di Gregorio. Juve tre ndeshje radhazi pa fitore në Champions.
Në Zagreb, vendasit e Dinamos u mposhtën 0-3 nga Dortmund me golat e Gittens, Bensebaini dhe Guirassy. Në Principatë Monaco u përmbys në fund 2-3 nga Benfica. Edhe PSV fitoi në fund 3-2 kundër Shakhtar.
Tri pikë edhe për Lille, me francezët që fituan 1-2 kundër Bolognas në Itali. Zhegrova luajti vetëm 17 minuta për Lille, për shkak të një lëndimi.
Champions League, raundi 5:
E mërkurë, 27 nëntor 2024
18:45
Crvena zvezda 5-1 Stuttgart
Sturm Graz 1-0 Girona
21:00
Aston Villa 0-0 Juventus
Bologna 1-2 Lille
Celtic 1-1 Club Brugge
Dinamo Zagreb 0-3 Dortmund
Liverpool 2-0 Real Madrid
Monaco 2-3 Benfica
PSV 3-2 Shakhtar Donetsk
Renditja:
Këtë të mërkurë në orën 21:00 Juventusi luan në Birmingham kundër Aston Villas. Me tetë mungesa për shkak të dëmtimeve, italianët kërkojnë vazhdimësinë dhe për këtë foli para medieve edhe trajneri Thiago Motta.
“Ne do të futemi në fushë me përqendrim maksimal dhe të kujdesshëm, për tu përballur me një ekip të madh. Kemi respekt maksimal për kundërshtarin. Më pëlqen ky format i Ligës së Kampioneve, sepse përballemi me ekip të ndryshme dhe përgatitja e punës është ndryshe. Jemi të fokusuar ndaj Aston Vilës, por jemi të vendosur për të bërë një paraqitje të mirë.
Dua vazhdimësi në skuadër, për të vazhduar atë që bëmë ndaj Milanit, që të mos i lejojmë rinisjet e shpejta. Anglezët janë të rrezikshëm në kundërsulme dhe për këtë arsye duhet të jemi solidë në mbrojtje. Është një ndeshje ku duhet të sulmojmë mirë dhe të mbrojmë mirë”, deklaroi Motta.
Juventus është pa Douglas Luiz, Nico Gonzalez, Adzic, Milik dhe amerikano-jugorëve Bremer dhe Cabal, për të cilët sezoni tashmë ka përfunduar. Thiago Motta nuk do të mund të llogarisë as Vlahovic e McKennie.
Për raundin e pestë, Champions League ka sot në 21:00 në program sfidën mes Liverpool dhe Real Madrid. Në ‘Anfield’ përballen dy klube që kanë bërë historinë në futbollin evropian, teksa para medieve kanë dalë dy trajnerët.
Holandezi Arne Slot që drejton Liverpoolin tha se kundërshtarët janë për t’u marrë shembull. Hera e fundit kur Real Madridi u takua me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve ishte dy vite më parë, me gjigantin spanjoll që triumfoi 5-2.
“Nuk e di, kemi luajtur ndaj Real Madridit shumë herë. Mendoj se e kam përdorur atë ndeshje (5-2) si një shembull për ekipin tim tek Feyenoordi sepse Real Madridi gjithmonë gjen një mënyrë. Kjo është ajo që i bën të veçantë. Kjo është ajo që i bën ata klubin më të mirë në botë në 5-10 vitet e fundit dhe duhen marrë shembull”, tha Slot.
Nga ana tjetër, italiani i madrilenëve, Carlo Ancelotti e cilëson një ndeshje të madhe mes dy klubeve historike.
‘’Do të jetë shumë argëtuese. Ne jemi dy klube historike. Ne kemi karakteristikat tona dhe do të shohim kush do të jetë më i mirë. Liverpooli është gjithmonë garues, ishte me Klopp dhe është më trajnerin e ri.
Formacioni dhe dëmtimet - Unë marr shumë këshilla, por kam luajtur 1,300 ndeshje, kam bërë 1,300 formacione dhe kam bërë pothuajse 4000 mijë zëvendësime. Askush nuk mund të më këshillojë në këtë drejtim.
Çdo fitore të jep më shumë besim. Liverpooli po bën shumë mirë në këtë garë, por ne jemi rikthyer dhe shpresojmë të bëjmë mirë me një formacion të fortë. Ka ende një rrugë të gjatë para përfundimit të sezonit’’, tha Ancelotti.