Politikë

Dita e tretë e rinumërimit të votave për Tiranën, hapen 342 kuti! PD humb 167 vota, PS 118! Edhe Mundësisë i zbriten 3

20 Qershor, 08:56| Përditesimi: 20 Qershor, 21:23

  • Share

Pa surpriza dhe me të njëjtin trend ka vijuar edhe këtë të premte dita e tretë e rinumërimit të votave për qarkun Tiranë. Krahasimisht me numrin e kutive gabimet janë të vogla njerëzore pse interpretim subjektiv të votave të pavlefshme. Për sot, procesi nisi në orën 09:00, dhe sipas të dhënave të KQZ, janë hapur 342 kuti nga 1282 në total të qarkut (deri në orën 21:15), ku janë konstatuar gabime, por që deri më tani nuk prodhojnë ndryshime në rezultatin e mandateve. 

Nga rinumërimi, sipas të dhënave të deritanishme, PD rezulton se ka 167 vota të pamerituara, ndërsa PS 118, të cilat iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë. Këto janë vota të pavlefshme ose vota që i kanë marrë në ‘kurriz’ të partive të vogla. Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 20 vota të pamerituara, Lëvizja Bashkë 15, ndërsa Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezulton të ketë përfituar 3 vota që s'i takonin, që po ashtu i zbriten. Partia Social Demokrate e Tom Doshit humbet 18 vota që i ishin shtuar padrejtësisht më 11 maj.

Ndërkohë partive të vogla iu shtohen disa vota, konkretisht Koalicioni i Lulzim Bashës nga rinumërimi merr 17 vota më shumë, 4 vota më shumë shkojnë për koalicionin e Enkelejd Alibeajt.

Për sa u takon kandidatëve, në 333 kuti të rinumëruara deri tani, Ilir Alimehmetit të PD, i cili nisi betejën ligjore për rinumërimin me pretendimin se mund t'i kenë marrë vota, në fakt rinumërimi ia ka pakësuar me 37 vota, që i ka marrë padrejtësisht nga numërimi i parë. Tabaku, deri më tani rezulton se ka 9 vota që i janë hequr padrejtësisht numërimin e parë dhe iu shtuan në tabelë. Ilir Meta ka 25 vota të pamerituara. 

Edhe në kampin socialist ka pasur humbje votash. Olta Xhaçka, e cila fitoi me një rezultat të ngushtë kundrejt Blerina Gjylametit, rezulton se ka 16 vota të pamerituara. Gjylametit i janë hequr 5 nga 11 maji, që tani i janë shtuar pas rinumërimit. Rinumërimi ka treguar deri tani se Fatmir Xhafaj ka marrë 59 vota padrejtësisht, Xhemal Qefalia 113 vota.

Për votat e kandidatëve PS paraqiti një kërkesë në KAS që të llogariteshin si të vlefshme edhe ato vota kur ‘x’ apo ‘+’ është vendosur jashtë kutisë së kandidatit, por kërkesa u rrëzua.  

Vetëm për qarkun e Tiranës, procesi i rinumërimit sipas KQZ mund të zgjasë rreth 10 ditë, ku në total do të hapen  1282 kuti votimi ose rreth 400 mijë fletë votimi. Pas Tiranës, do rinumërohen 587 kuti të qarkut të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).

Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit

Ora 15:33
KAS rrëzon kërkesën e PS, Braho: Udhëzimi është i qartë, kur shenja e votimi është jashtë kutisë, vota i shkon vetëm partisë

KAS rrëzon PS, e cila kërkoi që edhe në rastet kur shenja e votimi x ose +, është vendosur jashtë kuadratit në rastin e votës për kandidatët, por është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, të llogaritej si votë e vlefshme. Në një komunikim për mediat, anëtari i KAS, Ledio Braho sqaroi se përse vendosën ta rrëzojnë këtë kërkesë të PS. Megjithatë ai tha se socialistët e kanë edhe mundësi e ankimimit.  

Pyetje: Çfarë vendosi KAS për kërkesat e Partisë Socialiste?

Braho: Atëherë, kërkesa e Partisë Socialiste kishte dy elementë. Elementi i parë kishte të bënte me faktin që i kërkonte KAS që të ndryshonte standardin e vlerësimit të votave për listën preferenciale të kandidatëve, kur shenja është vendosur jashtë kuadratit të kandidatëve. Elementi i dytë ishte që ishte i paqartë në qoftë se ky vlerësim i ndryshëm duhet të cenonte standardin e ndjekur deri tani, apo nënkuptonte që edhe ato treqind kuti që janë hapur deri tani duhet të rinumërohen dhe një herë nga fillimi, në qoftë se do të ndryshonte ky standard. Kështu që për ne të dy elementët konsiderohen jo normal në këtë proces e para, sepse nuk mund ta ndryshojmë standardin në proces. E dyta është që nuk mundet që këto treqind kuti që janë hapur deri tani të rivlerësohen dhe njëherë vetëm sa i përket këtyre votave. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, ne vijojmë të qëndrojmë mendimit se vota duhet vlerësuar me objektivitet sa i përket kandidatit.

Pyetje: A mund të na kuptojnë ndjekësit tanë çfarë ka ndodhur? Çfarë keni zhvlerësuar juve që PS-ja është shqetësuar?

Braho: Edhe manuali i miratuar nga komisioni rregullator, sepse për vlerësimin e votave ne bazohemi tek udhëzimi i nxjerrë nga komisioni rregullator. Udhëzimi është i qartë për ato shembuj që ka, që kur kryqi i vendosur në kolonën e një subjekti, nuk është brenda, kuadratit që është për kandidatët, atëherë vota konsiderohet e vlefshme vetëm për subjektin zgjedhor dhe ne pikërisht këtë qëndrim kemi mbajtur. Pra, nuk e kemi konsideruar votën të pavlefshme, por e kemi konsideruar si votë vetëm për subjektin zgjedhor. Ndërkohë që për kandidatët, nëqoftë se nuk është në kutinë përkatëse të kandidatit, ajo nuk mund të llogaritet si votë e kandidatit. Pra, ne i kemi qëndruar vlerësimit objektiv, sepse duhet të kemi parasysh që fleta e Tiranës, në ndryshim sidomos nga qarqet e tjera, i ka kandidatët shumë afër dhe një kryq i vendosur në krahë të djathtë e bën të paqartë se për cilin kandidat është momenti që ajo nuk është e vendosur në kuadrat. Dhe pikërisht për të mos lejuar subjektivizëm, në raport me kandidatët, duke qenë se edhe pretendimet kryesisht janë ngritur nga kandidatët lidhur me këtë pjesë, kemi menduar që vota duhet të vlerësohet me sa më objektivitet. Megjithatë, duhet të kemi një gjë të qartë, kjo vendimmarrje e sotme ishte vendim i ndërmjetëm i KAS, i cili mund të ankohet më tej si nga Partia Socialiste apo edhe nga parti të tjera në Kolegjin Zgjedhor, bashkë me vendim përfundimtar. Në qoftë se kanë pretendime, mund t'i kërkojnë kolegjit që t'i rihapë dhe njëherë kutitë dhe t'i vlerësojë këto vota sipas asaj që pretendon Partia Socialiste.

Ora 14:38
Rinumërimi/ PS kërkesë KAS: Të quhen vota të vlefshme për kandidatët, edhe kur shenja e votimit është jashtë kutisë

1749628296_kas.jpg

Ndërsa në pallatin e sportit “Fahrie Horti” po rinumërohen votat për qarkun e Tiranës, Partia Socialiste i është drejtuar me një kërkesë KAS mbi votat që po konsiderohen të pavlefshme. Në kërkesën dërguar KAS, PS kërkon që edhe në rastet kur shenja e votimi x ose +, është vendosur jashtë kuadratit në rastin e votës për kandidatët, por është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, të llogaritet si votë e vlefshme. Këtë kërkesë, PS e bazon në një vendim të Komisionit Rregullator më datë 25.04.2025.  

“Subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë ka ardhur në dijeni të vendimmarrjes tuaj gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë, nga ku rezulton se fletët e votimit në të cilat shenja dalluese që shpreh vullnetin e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë, janë vlerësuar si të pavlefshme nga ana juaj, në kundërshtim me praktikën zgjedhore ndër vite, si dhe kuadrin ligjor.

Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për 'Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme.

Sa më sipër, duke qenë se vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si më lart si të pavlefshme, ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, duke sjellë si pasojë ndryshimin e tyre në tabelën përmbledhëse, siç na ka rezultuar deri në këtë fazë, kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave”, thuhet në kërkesën e PS.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Xh.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?