Sot '8 Marsi'/ 12 gra e vajza u vranë vitin e kaluar, 10 prej tyre në familje! 629 gra e denoncuan dhunën në polici

8 Mars, 10:28| Përditesimi: 8 Mars, 16:23

  • Share

Krahas dhunës në familje, edhe rastet e denigrimit të tyre online janë shtuar ndjeshëm. Ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri thirrje për denoncime, ndërsa foli për nevojën e ndryshimeve ligjore për dënimin e këtyre rasteve.

Ky 8 mars, e gjen Shqipërinë me nivele të larta të dhunës dhe vrasjeve të grave. Vetëm vitin e shkuar, 12 gra e vajza u vranë, pjesa më e madhe e të cilave në krime brenda familjes. Por, shifrat prej 2010-ës tregojnë një panoramë thuajse të pandryshuar, 159 gra u vanë në 14 vjet.

Ky vit nisi me vetëflijimin e Bedrie Lokës në Durrës, e shtyrë nga një dhunë e paprecedentë nga bashkëshorti. Në 2 muajt e parë raporti i denoncimeve të grave dhe burrave për dhunë ishte 3 me 1, njëjtë si kërkesat për urdhër mbrojtjeje.

“Kemi dy muaj në 2024, janar-shkurt; kemi 629 vajza dhe gra që kanë denoncuar dhunë. Dhe në 890, që është numri i përgjithshëm i rasteve të dhunës brenda në familje. Pra është një raport 3-1 i dhunës së ushtruar ndaj vajzave dhe grave dhe pjesa tjetër. Janë 465 të dëmtuar, që kanë marr urdhra mbrojtje, nga të cilat 350 janë vajza dhe gra. Pra nuk ka asnjë dyshim që nga këto të dhëna statistikore, pjesa më e prekur janë vajzat dhe gratë.”- tha Balla.

Sot dhuna ndaj grave dhe vajzave përveçse në familje, bëhet edhe online. Grupe të ndryshme po denigrojnë figurën e tyre dhe denoncimet sa vijnë e shtohen.

‘Kam identifikuar disa forma të dhunës. E parë është përndjekja kibernetike; nuk ekziston fare në legjislacionin tonë. Ngacmimi kibernetik; bota e quan “cyber harassment”. Gjuha e urrejtjes në internet, nxitja e dhunës përmes urrejtjes, abuzimi me imazhin intim pa vullnetin e palës, shantazhimi seksual. Pastaj janë një sërë termash që nuk ia gjejmë dot në shqip, psh., “trolling”, një akt i qëllimshëm i joshjes, se hyn në diskutime të padobishme dhe pastaj bie pre. Dhe sa vajza e gra raportojnë çdo ditë në DVP Tiranë për disa kanale të çuditshme që hapen në “Telegram” apo në rrjete sociale.’- u shpreh Balla.

Ndërkohë, statistikat e 2023-shit flasin për nivel të lartë edhe të krimeve seksuale. Nga 125 në total, 103 prej tyre janë gra dhe vajza. Institucionet janë të shqetësuara pasi këto shifra konsiderohen maja e ajsbergut, pasi pjesa më e madhe e rasteve të dhunës nuk denoncohen.

‘Fqinjët të mos qëndrojnë indiferentë.’- tha Balla.

Ora 11:17
Krimet online dhe përndjekja kibernetike! Balla: Koha për t'i adresuar në ligj

 

Foto: Taulant Balla
 

Tirane- Ka ardhur koha për të ndryshuar Kodin Penal dhe për të bërë pjesë dhe krimet që sa vijnë e evidentohen online dhe po shkaktojnë viktima.

“Pjesën e dhunës që ndodh online e kemi të pambuluar me ligj” tha sot ministri Balla në aktivitetin e organizuar sot nga Avokati I Popullit me rastin e 8 Marsit, ditës së gruas

Disa forma që nuk mbulohen me ligj janë
-Përndjekja kibernetike
-Ngacmimi kibernetik
-Gjuha e urrejtjes në internet dhe nxitja e dhunës përmes urrejtjes
-Abuzimi me imazhin intim pa vullnetin e palës
-Shantazhimi seksual
-Trolling, akt i qëllimshëm provokues në internet

"Në sa raste vajza bien pre në kanale të çudishme më Telegram. Kemi vendosur disa kontakte të dobishme me kompanitë më të mëdha të rrjeteve sociale, me Tik Tok, presim me kompaninë Meta që zotëron Instagram e facebook. Por këtë duhet ta kemi me vëmendje të posacme për ti adresuar" tha Balla.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?