Sot ditë zie kombëtare! Shqipëria nderon viktimat e tërmetit në Turqi e Siri! Rama ndez qirinj nga kryeministria, qytetarët homazhe në të gjithë vendin

13 Shkurt 2023, 07:55| Përditesimi: 13 Shkurt 2023, 19:35

  • Share

Shqipëria është në ditë zie kombëtare në nderim të të mijëra viktimave nga tërmeti në Turqi e Siri. Flamuri shqiptar u ul gjysmë shtizë në të gjitha institucionet publike në vend.

Nga kryeministria, presidenca, ministritë e deri tek institucionet arsimore kjo ditë zie u respektua në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tërmetit shkatërrues në kufirin turko-sirian.

Ndërsa protesta mbante opozitë jashtë Kuvendit, kryeministri Edi Rama publikoi një video duke ndezur qirinj nga kryeministria në nder të viktimave.

Homazheve iu bashkuan edhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Në Shkodër, Kukës, Elbasan, Fier, Korçë u ndezën qirinj në këtë ditë zie kombëtare.

Ky vendim erdhi si pasojë e tërmeteve të fuqishme që u regjistruan në Turqi dhe Siri, ku deri më tani janë konfirmuar mbi 34 mijë viktima, mijëra të plagosur dhe qytete të rrafshuara. Ndërkohë më herët, edhe Kosova u solidarizua Turqinë dhe Sirinë, ku shpalli ditë zie 8 shkurtit.

Po ashtu, 13 shkurti do të jetë ditë zie kombëtare edhe në Maqedoninë e Veriut. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, qeveria vendosi që sot flamujt të ulen në gjysmështizë në nderim të viktimave të tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri.

Ora 22:54
Teatri i Operës dhe Baletit mban homazhe për viktimat e tërmetit në Turqi e Siri

 

Teatri i Operës dhe Baletit ka mbajtur homazhe për të gjithë njerëzit që humbën jetën në tërmetin tragjik të 6 shkurtit, në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë. Kjo përmes performancave të Ansamblit Popullor, Kuartetit të Harqeve, trupave të baletit dhe solistëve të TKOB-së.

Ka qenë drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, e cila përcolli mesazhe ngushëlluese për popullin turk, duke theksuar se “do vijojmë të jemi krah popullit turk, për t’u rikuperuar dhe ringritur pas kësaj fatkeqësie”.

“Si në ato momente kur populli dhe Qeveria Turke na u gjend pranë, ashtu edhe ne, në bazë të muzikës, e cila shpreh ndjenjat më të pastra dhe më të bukura humane, jemi krah popullit turk sot”, tha Voshtina, duke e paralelizuar me situatën kur Turqia iu gjend pranë Shqipërisë në tërmetin e 26 nëntorit të 2019-s.

Orkestra e Ansamblit Popullor, performoi Kabanë e shquar për Klarinetë “Gjeneral Gramafoni”, në nder të viktimave që vdiqën nga tërmeti i rënë në Turqi dhe Siri dhe Kuarteti i Harqeve të TKOB-së debutoi “Intermezzo” të “Pietro Mascagni”.

Ndërsa dy solistët bas bariton, Artur Vera, dhe pianistja Herta Cane, ekzekutuan arien “Ah, per sempre” të Vincenzo Bellini, balerinët profesionistë u përfaqësuan me një duet nga Adela Muçollari dhe Enea Qirici, me operën "La fida ninfa" të A. Vivaldi.

Ora 21:55
Ditë zie në Shqipëri, Rama publikon fotot: Qytetarët shqiptarë iu bashkuan homazhit për viktimat e tërmetit shkatërrimtar në Turqi dhe Siri

Kryeministri, Edi Rama ka postuar në facebook, foto nga qytete të ndryshme të vendit nga ku qytetarët në formë nderimi mbajtën homazhe për viktimat e tërmetit shkatërrimtar në Turqi dhe Siri.

“Sot qytetarët shqiptarë iu bashkuan homazhit për viktimat e tërmetit shkatërrimtar Respekt për solidaritetin”-shkruan Rama.

 

Ora 19:46
VIDEO/ ‘Lutemi për Turqinë dhe Sirinë’, nxënësit e gjimnazit Ali Demi në Vlorë ndezin qirinj në nder të viktimave

 

Nxënësit e gjimnazit Ali Demi në Vlorë i janë bashkuar homazheve në nder të viktimave në Turqi e Siri. Siç shihet edhe nga fotot që sjell Report Tv ata kanë ndezur në qirinj, të cilëve u kanë dhënë formën e shprehjes ‘Pray for Turkey and Syria’ (Lutemi për Turqinë dhe Sirinë).

 

Ora 19:05
Tërmeti tragjik në Turqi e Siri, qytetarët në gjithë Shqipërinë ndezin qirinj në nder të viktimave

Qytetarët në të gjithë vendin janë bërë bashkë në sheshet kryesore dhe kanë ndezur qirinj në nder të viktimave të tërmetit në Turqi e Siri. Vendi ynë ishte ditën e sotme në zi kombëtare, ndërkohë që qirinj janë ndezur në Elbasan, Korçë, Shkodër, Kukës, madje ka qenë edhe vetë kryeministri Edi Rama ka ndezur një qiri në kryeministri.

Pas thirrjes së bashkisë Elbasan për të ndezur qirinj në qendër të qytetit kanë qenë të shumtë ata qytetarë që i janë bashkuar thirrjes në nderim të jetëve të humbura. Me këtë rast në ditën e zisë kombëtare, drejtues të institucioneve lokale, nëpunës të administratës shtetërore dhe qytetar, ndezën  qirinj dhe mbajtën 1 minutë  heshtje në përkujtim dhe nderim të viktimave.

Në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe, stafi i Universitetit “Fan S. Noli” pedagogë e studentë në bashkëpunim edhe me stafin e Prefekturës Korçë kanë ndezur qirinj në respekt të jetëve të humbura në Turqi e Siri.

Këtij solidarizimi i janë bashkuar edhe banorët të Shkodrës të cilët ndezën qirinj në nder të viktimave. Qytetare te shumte, anëtarë të këshillit bashkiak, Prefektja e qarkut, kreu i këshillit te qarkut si dhe deputeti Benet Beci kanë ndezur qirinj si dhe kanë kontribuar edhe në vlera monetare në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

Edhe bashkia Fier është solidarizuar me dhimbjen dhe lutjen për viktimat e tërmetit ne kufirin turko - sirian. Përveç respektimit te simbolikës për uljen e flamurit në gjysmë shtizë ka organizuar edhe homazhe. Dhjetëra qytetarë me qirinj në duar kanë marshuar nga bashkia drejt qendrës duke mbajtur edhe një minute heshtje në nderim të viktimave.

Kryebashkiaku Armando Subashi ka theksuar se përveç ndihmave të banorëve këshillit bashkiak i është propozuar akordimi i një vlere monetare prej 35 000 euro për te prekurit nga ky tërmet.

Bashkia Kukës, në ditën e zisë kombëtare, organizoi ndezjen e qirinjve në sheshin qendror të qytetit. Prefekti i Qarkut Ali Hallaci, Kryetari i Bashkisë Safet Gjici dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Abdulla Domi së bashku me qytetarët ndezën nga një qiri në në shenjë dhimbjeje njerëzore dhe lutje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në Turqi dhe Siri. Qirinjtw u ndezën edhe ne institucionet shtetërore dhe arsimore.

Ndërkohë me qindra pako janë mbledhur nga qytetarët kuksianë, në ndihmë të popullit turk e sirian, pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit. Ndihma e qytetarëve kuksianë, konsiston në ato më emergjente. 

Ora 18:29
VIDEOLAJM/ Rama ndez një qiri në dritaren e Kryeministrisë në nder të viktimave në Turqi

 

Kryeministri Rama ka ndezur qirinj në dritaren e Kryeministrisë në nder të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Shqipëria sot ishte në Ditë Zie Kombëtare.

Ora 14:41
FOTO-LAJM/ Në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi e Siri, në të gjithë pikat doganore sot flamuri në gjysmështizë

1676295057_page.jpg

Në të gjitha pikat doganorë sot flamuri është ulur në gjysmështizë, si shenjë solidariteti për viktimat e tërmetit tragjik në Turqi e në Siri, që goditi vendet pak ditë më parë.

 

Ora 13:09
VIDEOLAJM/ Nga Tirana në Londër, flamuri shqiptar ulet në gjysmë shtizë në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri

 

Kryeministri Rama ka ndarë një video ku tregohen flamujt gjysmë shtizë dhe një minutë heshje për viktimat e tërmetit.

“Flamuj në gjysmë shtizë, një minutë heshtje dhe solidaritet në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në botë pas tërmetit tragjik në Turqi dhe Siri.”-shkruan Rama.

 
Ora 13:02
Fieri solidarizohet me Turqinë dhe Sirinë, qytetarët mbledhin ndihma! Flamuri ulet në gjysmështizë

 

Bashkia Fier, në këtë ditë zie kombëtare, në shenjë solidarizimi me dhimbjen dhe lutjen për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, përveç respektimit të simbolikës për uljen e flamurit në gjysmështizë, do të organizojë homazhe ku të përfshijë të gjithë qytetarët.

Rreth orës 18:00, në çdo dritare të institucionit të Bashkisë Fier do të ndizet nga një qiri, sikurse çdo qytetar mund ta bëjë këtë në banesën e tij. Në mënyrë të organizuar do të jetë edhe ndezja e qirinjve në sheshin qendror të qytetit, i cili do të kthehet në një fushë lutjesh dhe ceremonial përkujtimore në shenjë solidariteti me këtë dhimbje të madhe që i kapërcen kufijtë tanë.

Përtej kësaj simbolike, Bashkia Fier që prej ditës së djeshme mori nismën për të organizuar grumbullimin e ndihmave të qytetarëve të saj që kanë dëshirë të mbështesin sadopak të prekurit nga kjo tragjedi. Për këtë nismë është vënë në dispozicion holli i Teatrit “Bylis”, i cili do të jetë i hapur për të pritur ndihma të ndryshme sipas dëshirës dhe mundësisë së qytetarëve si: veshje dimërore; orendi; batanije; jorganë; çarçafë; etj.

Po ashtu, 35 mijë euro është propozimi i kryetarit të bashkisë Fier, Armando Subashi drejtuar këshillit bashkiak të këtij qyteti si kontribut i qytetarëve fierakë për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Ora 11:06
Tërmeti në Turqi e Siri, Berisha: Shpreh ngushëllimet, kërkoj shtimin e ndihmave nga Shqipëria

1676223680_berisha.JPG

Ish kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për viktimat e tërmetit në Sarandë dhe Siri. Berisha kërkoi shtimin e ndihmës nga Shqipëria.

"Tërmet me pasoja kataklizmike!

Të dashur miq, tërmeti që godit Turqinë qendrore dhe Sirinë verilindore ishte një kataklizëm e vërtetë. Numri i viktimave të këtij tërmeti arriti në të paktën 34.179 të dielën. Numri i të plagosurve është shumë më i madh.

Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës për Turqinë, që nga viti 1939. Edhe dje, pas 6 ditësh, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat disa të mbijetuar. Ndihma të mëdha kanë shkuar nga e gjithë bota.

Ndonëse Shqipëria dërgoi ekip kërkim-shpëtimi dhe ndihma në Turqi, këto nuk ishin në lartësinë e duhur dhe në detyrimin tonë ndaj një vendi fqinj dhe mik.

Dhe njëherë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjeve të viktimave të këtij tërmeti kataklizmik dhe lutem për shërimin e shpejtë të të plagosurve.

Gjithashtu kërkoj shtimin e ndihmave të Shqipërisë për kapërcimin e pasojave të tmerrshme të tërmetit."- shkruan Berisha. 

Ora 10:01
Sot ditë zie kombëtare për viktimat e tërmetit në Turqi e Siri, Begaj: S’do ta harrojmë kurrë ndihmën e Turqisë

1676276304_33091052213571845683682679147868417217323058n.jpg

Sot është ditë zie kombëtare në Shqipëri si një shenjë solidariteti për Turqinë, e cila ka qëndruar pranë vendit tonë pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Vendimi është marrë nga qeveria shqiptare, e ndërsa u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama. Presidenti Bajram Begaj, teksa shpreh solidaritet për të prekurit, thotë se Shqipëria s’do ta harrojë kurrë ndihmën e Turqisë në 26 Nëntor 2019

Kryeministri Edi Rama ka publikuar gjithashtu një foto ku duket flamuri në gjysmeshtizë.

“Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019”, shkruan Begaj.

 

 

Ora 10:01
Sot ditë zie për viktimat tërmetit në Turqi e Siri, Bashkia e Elbasanit ul flamurin gjysmë shtize, fton qytetarët të ndezin qiri

1676279087_gj.JPG

Dita e sotme, është shpallur nga qeveria shqiptare, ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.

 Bashkia Elbasan, ka ulur flamurin në gjysmë shtize, në shenjë zie për humbjen e jetëve të mijërave njerëzve në shtetin turk.

 Ndaj, në këtë ditë zie, Bashkia Elbasan, fton të gjithë qytetarët që në orën 18.00 të mblidhemi të gjithë së bashku dhe të ndezim një qiri në shenjë dhimbjeje njerëzore për të gjithë jetët e humbura!.

 Shqipëria i është bashkuar që në orët e para dhimbjes që ka shkaktuar tërmeti shkatërrimtar në Turqi, ndërsa ka dërguar edhe një numër të konsiderueshëm forcash të kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti.

Thirrja për qytetarët
M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Durresi: 13/02/2023 19:30

    Po kur ra termeti ne shqiperi edhe kto mbajten dite zie o bajram turku

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 13/02/2023 11:15

    Vetem Sali Berisha nuk njeh zi

    Përgjigju
    • Or tej: 13/02/2023 16:02

      Per termetin Sala e ka fajin or teeeejjjjj

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?