TIRANË- Në katedralen që e ndërtoi vetë, një prej të bukurave të krishtërimit ortodoks, “Ngjalla e Krishtit” në Tiranë, e gjitha e bota e Krishterë u mblodh sot (30 janar 2025) për t’i dhënë lamtumirën një prej prelatëve më të respektuar e të dashur të saj, Anastasit të Shqipërisë, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë.
Drejtues të kishave nga të katra anët e botës e kthyen Tiranën, kryeqytetin e ortodoksisë. Tre krerët e shtetit shqiptar, Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe kryeministri Edi Rama ishin të parët në rreshtin e nderimit, ndërsa e gjithë politika shqiptare i kishte lënë mënjanë këtë të enjte kuvendi debatet. Deputetë apo drejtues të partive politike u panë të kryenin homazhet Kryepeshkopit, mes të cilëve Kryeministri Rama dhe kryeopozitari Berisha.
Të dy këta të fundit i ndante në rresht të parë Kryeministri i Greqisë, i cili udhëhoqi një delegacion të gjerë, me 5 ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Athina, përfshirë edhe opozitën greke. Në tokën e bashkëjetesës fetare nuk mund të mungonin drejtuesit e feve të tjera të shqiptarëve. Ndërsa qindra besimtarë u mblodhën jashtë në oborrin e kishës për t'i dhënë lamtumirën kryepeshkopit Anastas.
Mesha njëorëshe u drejtua nga Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, i cili u shoqërua nga anëtarët e Sinodit të shenjte të Kishës shqiptare, ndërsa ceremonia zgjati 2 orë.
Fjalën e parë para të pranishmëve e mbajti Joani i Korçës, mitropoliti mbikëqyrës i Fronit të Kryepeshkopit, i cili theksin e vuri te punët e mira në 33 vite nga Kryepeshkopi, përshirë ringritjen e kishës dhe shërbimin ndaj besimtarëve, nevojtarëve dhe të pamundurve.
“Sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet për të gjithë ne madhështia e veprës së Kryepiskopit Anastas. Shpesh habitem dhe mrekullohem, ashtu si shumë të tjerë, duke pyetur veten sesi ka arritur të realizojë një vepër kaq të madhe dhe në këto dimensione. Përgjigjja qëndron në disa elementë thelbësorë: një besim i palëkundur, një dashuri e pakufishme për Zotin dhe njerëzit, një talent i rrallë dhe një hir i madh nga Perëndia” tha Joani, Mitropoliti i Korçës
Në emër të gjitha kishave të botës foli, Kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, institucion që Kryepeshkopi Anastas e kishte drejtuar, episkopi, Heinrich Bedform-Strohm.
Kryepiskopi Anastas ishte një autoritet i madh shpirtëror: një teolog mbresëlënës, i rrënjosur thellë në traditën e tij dhe në të njëjtën kohë me një horizont jashtëzakonisht të gjerë. Ai ishte një vëlla i dashur në Krishtin, i dashur nga të gjithë për përulësinë, hirin dhe dashurinë e tij, tha Heinrich Bedform-Strohm
Prekëse ishte fjala e mbesës së Anastasit, familjares së vetme në ceremoni, e cila mban edhe emrin e nënës me origjine nga Preveza të Kryepeshkopit, Roksiani.
“Ju e dini se sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë të vendit që u bë atdheu i tij i dytë' tha Roksani Janullatos, mbesa e Kryepeshkopit Anastas
Për kryeministrin e Greqisë, Mitsotakis Anastasi, përveçse rilindjen e kishës shqiptare, ishte një urë miqësie mes shqiptarëve dhe grekëve.
"Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet "diplomati i dashurisë." Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur" tha kryeministri grek.
Teksa praninë e homologut të tij grek në këtë ceremoni funebre e cilësoi si tregues të pandashmërisë mes dy kombeve në gëzim e zi, Rama ngriti lart figurën e Kryepeshkopit që sipas tij erdhi si prift nga Greqia dhe u bë Anastasi i Shqipërisë.
“Anastasi erdhi mes nesh 33 vite si një prift nga Greqia dhe pas 33 vitesh ndahet nga jeta si Anastasi i Shqipërisë. Është shumë vështirë të gjendet në kujtesën tonë historike dikush që të jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim, me fjalë dhe me vepra në emër të Shqipërisë sa Kryepeshkopi Anastas. Ka plot shqiptarë që nuk pajtohen, por durim dhe ata të reflektojnë të paqtë...çfarë njeriu, çfarë bariu, çfarë greku në kombësi dhe çfarë shqiptari në shtetësi
Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhlisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri dhe zjarret e konflikteve fëmijërore të fqinjësisë sonë, të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e Kishës" tha Rama.
Kryeministri kujtoi dhe fjalët e kryepeshkopit në një intervistë të fundit të tij se misioni në Shqipëri ishte për të ndërtuar një kishë autoqefale shqiptare.
"Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam mësuar ta respektoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme. A do ta pranonim ta drejtonte kishën e Greqisë një bullgar apo një serb? Sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni. Ne shkuam për të bërë një kishë autoqefale të Shqipërisë. Ajo nuk është pjesë e kishës së Greqisë. Ajo është një ndër 14 kishat ortodokse autoqefale të botës” kujtoi Rama.
Fjala e fundit i takoi kujt nisi ceremoninë me liturgjinë e shenjtë, kreut global të Kishave Ortodokse, Bartolomeu i Konstandipojës, ai që i dha bekimin si kryebari të ortodoksëve shqiptarë në vitin 1991, i cili mes lotësh garantoi mbështetjen për Kishën Ortodokse Autoqefaqe të Shqipërisë.
"Anastasi, si personalitet dhe si Kryepiskop, është padyshim i pazëvendësueshëm! Megjithatë, jemi të bindur se uratat e tij, së bashku me ndërmjetësimet e të gjithë shenjtorëve të Ilirisë, do të ndihmojë në zgjedhjen e pasardhësit më të denjë dhe të përshtatshëm për fronin e tij. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepiskopin e ri, kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë! Vëlla Anastasi! Të përshëndesim nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës, duke u lutur që të prehesh me të drejtët dhe shenjtorët!" tha Bartolomeu i Konstandipojës
Dhe në fund një duartrokitje e gjatë vlerësimi dhe mirënjohjeje, ndërsa trupi i Kryepeshkopit Anastas u nxor nga Katedralja për t’u varrosur në kriptën e posaçme të Kishës, në tokë shqiptare.
Pjesëmarrësit në ceremoni
Kryeministri grek, Mitsotakis u shoqërua me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar, por edhe Kryepeshkopi i Athinës. Nga Greqia kanë mbërritur dhe lideri i Pasok dhe përfaqësues nga opozita greke. Të pranishëm ishin dhe Patriarku Izraelit Theofili i Jerusalemit; Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi; Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj. Mungoi vetëm partiarku i Serbisë dhe Rusisë, ndërkohë që në homazhe ndodhet i pranishëm ambasadori rus në Shqipëri.
Kisha Ortodokse shpalli 5 ditë zie për nder të kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë. Trupi i tij mbërriti në Shqipëri më 28 janar dhe u vendos në katedralen "Ngjallja e Krishtit" ku dhe u mbajtën homazhe për 2 ditë, ndërsa nga sot Kryepeshkopi Anastas prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.
Krypeshkopi fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë në moshën 63-vjeçare. Fortlumturia e tij arriti të ringrinte nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Katedralja Ngjallja e Krishtit, e vendosur në qendër të Tiranës është kisha e tretë më e madhe ortodokse në Europë, është një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar.
Papa Françesku
Në ditën e varrimit të kryepiskopit ortodoks Anastas Janullatos, Papa Françesku, në një letër, që u lexua gjatë funeralit nga kreu i delegacionit të Vatikanit, kujton takimin e tij me të ndjerin gjatë vizitës në Shqipëri, nënvizon impenimin e tij për të depërtuar në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, pa e humbur bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse, si edhe kontributin në dialogun e në bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera
Letra e Papës, lexuar gjatë funeralit
Pikërisht sot, Papa Françesku i shkruan mitropolitit të Korçës, Hirësisë së tij Joanit, i cili kryen aktualisht funksionet e nevojshme për të çuar përpara jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare, derisa të mblidhet Sinodi i saj, i cili, 40 ditë pas vdekjes së kryepiskopit Anastas, do të zgjedhë kreun e ri. Atij, Sinodit, klerit dhe gjithë besimtarëve ortodoksë, Ati i Shenjtë Françesku u shpreh ngushëllimet për humbjen e kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke u siguruar lutjet që Zoti, Ati ynë i mëshirshëm, ta vlerësojë për punën e lodhjen.
“Feja e bashkësisë ortodokse shqiptare - shkruan Papa Françesku, në mesazhin e lexuar gjatë funeralit nga imzot Flavio Pace - sigurisht që u mishërua në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi baritor i zellshëm i të cilit i ndihmoi njerëzit ta rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e saj, pas vitesh ateizmi të imponuar nga shteti dhe pas persekutimit. Për këtë, ruaj kujtime të bukura nga takimi im me Fortlumturinë e Tij, me rastin e udhëtimit tim të parë apostolik jashtë Italisë, si edhe janë të dashura për mua përqafimi vëllazëror dhe fjalët e shkëmbyera me atë rast.
Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe shërbesës së tij si prift dhe peshkop – vijon Ati i Shenjtë - ai tregoi gjithmonë një përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke i shërbyer dhe duke e shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri. E bëri këtë, duke ndjekur shembullin e Shën Palit apostull, i cili iu përkushtua aq shumë Krishtit sa mundi të thoshte: "Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin" (1 Kor 9, 22).
Duke marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, deshi të depërtonte në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, veçanërisht në traditën dhe identitetin e tyre, pa e humbur asnjëherë bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse. Njëkohësisht, u impenjua me vullnet të mirë në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.
Kur mbërriti në Shqipëri – thuhet në mesazhin e Atit të Shenjtë - disa priftërinj e pritën me urimin e Pashkëve në greqisht “Christos Anesti!”. Ai u përgjigj shqip, duke shprehur dëshirën e tij të zjarrtë për të jetuar me popullin dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit, e cila mposht çdo errësirë dhe shtypje, mes atyre që kishin vuajtur shumë.
Tani që jeta e tij tokësore arriti në fundin e saj – e mbyll Papa letrën, që mban datën e 27 janarit - lutem që, me mëshirën e Zotit, Atit të Gjithëpushtetshëm, Fortlumturia e Tij ta lëvdojë në amshim Trininë Shenjte, së bashku me të gjithë dëshmitarët e fesë dhe barinjtë, që u kanë shpallur fjalën e shpëtimit popujve, kudo dhe në çdo kohë”./ Vatican News
Report Tv siguron foton e varrit të Kryepeshkopit Anastas brenda Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë.
Kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë u varros sot në një ceremoni solemne ku morën pjesë primatë të kishave simotra të Shqipërisë në të gjithë botën si dhe me pjesëmarrjen e krerëve të shtetit shqiptar dhe liderë politikë të Greqisë.
Shërbesa e varrimit të Kryepeshkopit Anastas u kryesua nga Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Tërëshenjtëria e Tij, Bartolomeu.
“Shtylla e madhe e Kishës Orthodhokse në Shqipëri ka rënë. Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka ndërruar jetë pranë Zotit! ” Kështu e nisi fjalimin e tij patriarku Ekumenik Vartholomeu gjatë Shërbesës së Varrimit Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit.
Patriarku Ekumenik tha se Anasatas me përkushtim dhe urtësi u bë një figurë e spikatur dhe e respektuar në Kishë dhe përmbushi një mision të lavdishëm kishtar dhe njerëzor dhe kujton përzgjedhjen e tij si patriark në Shqipëri.
Sigurisht, shërbesa e tij baritore nuk ishte pa furtuna! Ai e udhëhoqi Kishën nëpër rrugë të ngushta dhe përmes sfidave të mëdha, duke ecur shpeshherë në tehun e shpatës. Megjithatë, ai zotëronte hirin për të zgjedhur bashkëpunëtorët e duhur, për të hapur shtigje aty ku dukej se çdo rrugë ishte e mbyllur dhe për të gjetur burimet e nevojshme për ringjalljen e Kishës nga hiri. Kishat, manastiret, shkollat, Seminari Teologjik dhe Klerikal, spitalet dhe institucionet e tjera në shërbim të komunitetit janë vetëm disa nga arritjet e shumta të tij. Nga natyra ishte i ëmbël dhe i butë, i durueshëm aty ku duhej, por i patundur dhe i palëkundur aty ku interesi i Kishës e kërkonte. Si diplomat me aftësi të rralla, ai dinte të lëmonte gjembat, të shmangte konfliktet, të shëronte plagët, të formonte shpirtrat dhe të ndërtonte Kishën në përputhje me vullnetin hyjnor’
Patriarku tha se kisha mëmë do vijojë të mbështesë kishën autoqefale shqiptare dhe pasardhësin e kryepeshkopit Anastas.
Anastasi, si personalitet dhe si Kryepiskop, është padyshim i pazëvendësueshëm! Humbja e tij përbën një tronditje të thellë për Kishën lokale. Megjithatë, jemi të bindur se uratat e tij, së bashku me ndërmjetësimet e të gjithë shenjtorëve të Ilirisë, do të ndihmojë në zgjedhjen e pasardhësit më të denjë dhe të përshtatshëm për fronin e tij. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepiskopin e ri, kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë
Gjatë fjalimit të lamtumirës për Anastas Janullatos, patriarku Ekumenik Vartholomeu u përlot.
(Lexoni këtu fjalën e plotë)
Kryeministri Edi Rama ishte në ceremoninë e lamtumirës për kryepeshkopin Anastas Janullatos, të cilin e vlerësoi si një figurë të shquar që i kushtoi jetën ringritjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
"Komuniteti ortodoks është sot në zi, Kisha Ortodokse është sot e vetmuar," tha Rama, duke theksuar se Anastas Janullatos e përmbushi misionin e tij me përkushtim të jashtëzakonshëm për 33 vite në Shqipëri. Ai e cilësoi jetën e Kryepeshkopit si një rrugëtim të gjatë dhe domethënës, ku pasioni dhe këmbëngulja e tij shërbyen për të ndërtuar nga e para institucionet e kishës.
Rama vuri në dukje se veprimtaria e Janullatosit ka qenë e debatuar, shpeshherë edhe e kontestuar, por mbi të gjitha ai mbeti një figurë që mishëroi përkushtimin dhe stoicizmin.
"Është vështirë të gjendet në kujtesën tonë dikush i çfarëdo kombësie tjetër që të jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim me emrin e Shqipërisë, sa Kryepeshkopi Anastas," u shpreh kryeministri, duke iu drejtuar skeptikëve që ta vlerësojnë figurën e tij përmes veprave që la pas.
"Plot 33 vite në viset e Shqipërisë nga ‘92 deri më sot, janë një shifër tejet domethënëse. Nga këto 33 vite, 30 shërbyen për të punuar si zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Jeta e Anastas Janullatos ishte një jetë e përmbushur, përderisa përmes saj u realizuar ëndrra e një fëmijë. Kur isha fëmijë, kujtonte Kryepeshkopi, nuk më mjaftonte ti jepja diçka Perëndisë, por duhej ti jepesha plotësisht atij, doja që qenia ime të jetonte me Krishtin. Vepra e tij në krye të kishës janë janë admiruar bekuar, qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur ne mexhlisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike e njeriut qe deshi apo deshi mori në supe zjarret e konfliktit të fqinjësisë sonë. Por edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi e rrallë në një kohë e një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era.
S’kam për qëllim të bëj nekrologjinë e këtij prelati, të cilin gjithë çfarë mban rruzulli në njerëz të nderuar të fesë, të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetar, ia patën shumë zili kishës ortodokse, autqefale. Këtë opinion e ndan me mua edhe mit që nderon me praninë e tij, për të nderuar figurën e tij,
Anastasi erdhi mes nesh 33 vite si një prift nga Greqia dhe pas 33 vitesh ndahet nga jeta si Anastasi i Shqipërisë. Është vështirë të gjendet në kujtesën tonë dikush i çfarë do kombësie tjetër, që të jetë identifikuar me aq krenari dhe përkushtim me fjalë dhe vepra me emrin e Shqipërisë, sa kryepeshkopi Anastas. E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thash, por durim. Dhe ata le të kundrojnë në reflektim të paqtë dhe çliruar nga paragjykimet apo dyshimet fqinjësorë, vetëm disa nga veprat e tij, ku ashtu siç njihet pema e mirë nga frytet e saj, lexohet edhe identifikimi i tij me Shqipërinë tonë.
Komuniteti ortodoks jo vetëm në Shqipëri, por kudo është në zi. Humbët në këtë jetë Kryepeshkopin e 33 viteve, por fituat Anstasin e Shqipërisë, fituat një avokat atje lart pranë zotit”, tha Rama.
(Lexoni këtu fjalën e plotë)
Mes lotëve, mbesa Roksana Janullatos i dha lamtumirën Kryepeshkopit Anastas. Në fjalimin e saj gjatë ceremonisë mortore, iu drejtua me fjalë të ngrohta popullit shqiptar, duke falënderuar për dashurinë e treguar ndaj xhaxhait të saj. Roksana Janullatos tha se xhaxhai i saj e deshi shumë popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet dhe se Shqipëria u bë atdheu i tij i dytë.
“Lejomëni t’iu drejtohem vëllezërve të Shqipërisë. Vëllezërit e mi, ne emër të familjes sonë do t’iu dëshiroja t’iu falënderoj për dashurinë që keni treguar për xhananë tonë gjatë këtyre viteve. Për ne, ai është xhaxhai ynë që gjithmonë na ka mbështetur nga afër dhe nga larg përmes lutjes së tij. Ju e dini se sa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vjet, popullin e Shqipërisë të vendit që u bë atdheu i tij i dytë. Vëllezërit e mi, ne të krishterët ortodoksë e dimë se për është dashuria dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në perëndi dhe perëndia qëndron në të. Kjo ishte jeta e Anastasit, dashuri, ofrim, drejtësi, vërtetësi, përulësi, përpjekje, guxim, shpresë. Le të përpiqemi vëllezërit e mi të ndjekim shembullin e tij, që pati dashur për perëndinë e dashurisë. Dhe le të sjellim ndër se dashuria nuk bën dallim mes racave, kombeve, shteteve dhe feve. Krishti u ngjall vëllezërit e mi”, tha Roksana Janullatos.
Roksana, mbesa e Kryepeshkopit mban emrin e mamasë së tij, e cila ishte me origjine nga Preveza.
Foto:Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis
'Guximi dhe shpresa ishin dy busullat që gjithmonë udhëhiqnin Anastasin në rrugëtimin e tij të Mrekullueshëm", tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në fjalimin e tij gjatë Shërbesës së Varrimit Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit mbajtur më 30 janar 2025 në katedralen Ngjallja e Krishtit”
Duke e quajtur shembull të ndritur të urtësisë por dhe të veprimit, kryeministri grek tha se kryepeshkopit Anastas rigjallëroi Orthodhoksinë në Shqipëri dhe pas do të lërë një boshllëk të pazëvendësueshëm
Përulemi me nderim para madhështisë së këtij personaliteti të veçantë. Sepse Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëherazi një intelektual i besimit dhe një shërbëtor i përulur i të afërmit të tij. Me fjalë të tjera, një shembull i ndritur i urtësisë, por edhe i veprimit. Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë.
Kryeministri kujton dhe një bisedë me kryepeshkopin
"Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë," thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë "ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla." E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet "diplomati i dashurisë." Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur.
(Lexoni këtu fjalën e plotë)
Në Katedralen Ngjallja e Krishtit po mbahet mesha e lamtumirës për Kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Në fjalën e tij të mbajtur gjatë nderimit të Kryepshkopit Anastas, Mbikëqyrësi i Fronit Kryepeshkopal , Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, theksoi se vepra e Kryepshkopit Anastas është një testament i përjetshëm i dashurisë dhe dedikimit për Kishën dhe shoqërinë.
Ai theksoi se veprat e Kryepeshkopit Anastas janë një mision shpirtëror që ka ndikuar thellësisht në jetën e besimtarëve dhe të gjithë popullit shqiptar. Mitropoliti i Korçë, Joani tha se vepra e Kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike.
Fjala e përmotshme e Mbikëqyrësit të Fronit Kryepeshkopal, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Joani
Të lumtur janë që tani ata të vdekur, që vdesin në Zotin. Po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; edhe veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ata (Zb. 14:13). Këto fjalë të Perëndisë na mësojnë se veprat tona nuk harrohen me mbarimin e jetës tokësore. Ato kryhen brenda një periudhe të kufizuar kohe, por fitojnë një dimension të përjetshëm, duke na ndjekur në jetën e përtejme. Ka momente kur këto fjalë të Perëndisë shfaqen më qartë dhe bëhen më të kuptueshme. Sot, ndodhemi përballë një momenti të tillë. Vepra e Kryepiskopit Anastas në rindërtimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri është madhështore dhe unike.
Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtua dhe restaurua infrastruktura kishtare, u hapën kopshte, shkolla dhe institute profesionale, si dhe u mbështet arsimi publik. Kulmi i kontributit të tij ishte themelimi i Kolegjit Universitar "Logos", institucioni i parë i arsimit të lartë orthodhoks në Shqipëri.
I shtyrë nga dashuria e tij për të gjithë njerëzit, pa dallim origjine apo bindjesh, ai nuk u kufizua vetëm në ndërtimin e objekteve kishtare, por e shtriu kujdesin ndaj mbarë shoqërisë, duke dhënë një dëshmi të gjallë se Kisha nuk ekziston vetëm për veten e saj, por për të gjithë, sepse dashuria nuk njeh kufij.
Veprimtaria e gjerë sociale dhe humanitare e Kishës, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme. Janë mbështetur një sërë programesh sociale, përfshirë projekte për zhvillimin e zonave malore, përparimin e bujqësisë, ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve, si dhe programe për kujdesin shëndetësor. Janë ndihmuar jetimore, spitale, institute për persona me aftësi të kufizuara, qendra rezidenciale për të moshuar, qendra për të burgosur, janë ofruar dreka për të varfrit etj.
E gjithë kjo veprimtari e gjerë ka kontribuuar ndjeshëm në përpjekjet për zhvillimin e Shqipërisë dhe ka pasur një ndikim të madh në shoqërinë dhe ekonominë e vendit. Me mijëra njerëz janë punësuar, duke mbështetur në këtë mënyrë mijëra familje, ndërsa dashuria dhe solidariteti janë shndërruar në themele të qëndrueshme për një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.
Mbi të gjitha, Kryepiskopi Anastas është përkushtuar me të gjitha energjitë e tij që kontributi më i madh i Kishës në shoqëri të jetë edukimi dhe formimi i njerëzve të drejtë, të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Ai ka punuar pa u lodhur për të përhapur shpresë aty ku mbizotëron dëshpërimi, kurajë aty ku sundon frika, dritë aty ku mbizotëron errësira dhe dashuri aty ku ka konflikte.
Kjo është ana e dukshme dhe e prekshme e kësaj vepre madhështore, por dua të theksoj edhe një herë diçka që e kam përmendur më parë; një dimension tjetër të veprës së tij, ndoshta edhe më të rëndësishëm, për të cilin nuk është folur sa duhet. Kryepiskopi Anastas nuk u mjaftua vetëm me ndërtimin e mureve të Kishës dhe krijimin e infrastrukturës së saj fizike; përpjekja e tij për të dhënë një frymë të drejtë dhe të mirë brenda Kishës ka qenë gjithmonë një prioritet. Qëllimi i tij ka qenë të ndërtojë një Kishë ku Perëndia të adhurohet “në frymë dhe në të vërtetën” (Jn 4:23). Për Kryepiskopin Anastas, veprat ndërtimore nuk ishin një qëllim në vetvete, por një mjet për të realizuar misionin shpëtimtar të Kishës.
Ndërtesat janë ngritur për njerëzit dhe në shërbim të tyre, duke qenë mjete që i shërbejnë adhurimit dhe jetës shpirtërore të besimtarëve. Predikimi i tij, si në publik ashtu edhe në bisedat private, ka qenë gjithmonë i përqendruar te dashuria dhe respekti për çdo qenie njerëzore, duke përhapur një frymë pajtimi dhe faljeje brenda Kishës. Vendi ynë ka pasur dhe vazhdon të ketë nevojë për këtë frymë. Në fakt, e gjithë bota ka nevojë për këtë frymë, sepse vetëm mbi këtë themel hyjnor mund të
ndërtohen marrëdhënie të drejta ndërmjet njerëzve. Vetëm përmes saj mund të ngrihet një shoqëri vërtet njerëzore.
Kryepiskopi Anastas, me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fuqizimin e dialogut ndërmjet popujve të ndryshëm anembanë botës, me librat dhe artikujt që ofrojnë një mbështetje të thellë teologjike për këtë dialog, si dhe me përpjekjet e tij për respektimin e dinjitetit dhe lirisë së çdo individi, është kthyer në një pikë referimi të rëndësishme, jo vetëm në fushën e dialogut ndërfetar, por edhe në atë të mendimit njerëzor në tërësi. Fjalët e tij të njohura, se "vaji i fesë nuk duhet të përdoret nga asnjëra palë për të ndezur konfliktet, por për të shëruar plagët dhe për të qetësuar zemrat," janë bërë tashmë një lajtmotiv i fuqishëm kur flitet për rolin që feja duhet të luajë në botën e sotme konfliktuale.
Me shembullin e tij të gjallë, ai ka forcuar tek të gjithë ne besimin e palëkundur tek Perëndia. Sa herë që është përballur me vështirësi apo sfida të ndryshme, ai nuk është tërhequr asnjëherë. Me një besim të thellë tek Perëndia dhe i bindur se po kryen punën e Tij, ai ka qëndruar i fortë si shkëmb, por gjithmonë me dashuri dhe dhembshuri, duke mbrojtur Kishën dhe misionin e saj. Thënia e tij tashmë proverbiale, “Perëndia nuk do të na braktisë,” ka përhapur besim dhe shpresë te të gjithë besimtarët, duke i frymëzuar ata në çdo hap të rrugës shpirtërore.
Ai i dhuroi Kishës sonë gjithçka që kishte: pasurinë e tij të pazakontë shpirtërore dhe intelektuale, diturinë dhe urtësinë, mendimin e pjekur dhe të kthjellët, përkujdesjen plot dashuri të një bariu shpirtëror dhe përkushtimin e palëkundur të një të krishteri të ndërgjegjshëm për të tashmen dhe të ardhmen e njerëzimit. Ai na dhuroi të gjitha energjitë e tij fizike dhe emocionale, duke ofruar gjithë qenien e tij për ne. Me zemër të përulur dhe plot mirënjohje, dëshiroj të shpreh falënderimin tim të thellë për këtë dhuratë të madhe që Perëndia ka bërë për ne.
Sa më shumë kalon koha, aq më e qartë bëhet për të gjithë ne madhështia e veprës së Kryepiskopit Anastas. Shpesh habitem dhe mrekullohem, ashtu si shumë të tjerë, duke pyetur veten sesi ka arritur të realizojë një vepër kaq të madhe dhe në këto dimensione. Përgjigjja qëndron në disa elementë thelbësorë: një besim i palëkundur, një dashuri e pakufishme për Zotin dhe njerëzit, një talent i rrallë dhe një hir i madh nga Perëndia. Vetëm këto forca mund ta bëjnë një mrekulli të tillë të mundur. Duke nderuar veprën e këtij njeriu të madh, ne nderojmë veten tonë, Kishën tonë dhe vendin tonë. Veprat e tij, do ta ndjekin atë pas, drejt
Mbretërisë së përjetshme të Krishtit.
Sot, në këtë ditë të shenjtë të nderimit të Tre Hierarkëve, i japim përshëndetjen e fundit një hierarku të madh, një nxënësi besnik të tyre, të cilët frymëzuan mendimin, predikimin, jetën dhe veprën e tij. Ashtu si Tre Hierarkët kanë mbetur për shekuj shembuj dhe shtylla të besimit tonë orthodhoks, edhe jeta dhe vepra e Kryepiskopit Anastas, e frymëzuar prej tyre, do të vazhdojë të jetë një shembull i gjallë dhe një burim frymëzimi i pashtershëm, jo vetëm për ne sot, por edhe për brezat e ardhshëm.
Në këto ditë, zemrat tona janë të mbushura me pikëllim për Atin dhe Kryebariun tonë të dashur. Prania e tij na jepte gjithmonë siguri dhe tani e ndjejmë thellë mungesën e tij. Megjithatë, edhe pse jemi të trishtuar, e dimë se ai nuk na ka braktisur. Apostulli Pavli nuk na kërkon të mos pikëllohemi, sepse pikëllimi është një ndjenjë e natyrshme kur largohet një njeri i dashur. Por ai na fton që të mos pikëllohemi si ata që nuk kanë shpresë, sepse te Perëndinë nuk ka të vdekur. Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve (Math. 22:32).
Është e vërtetë që kemi humbur një Kryebari të rrallë, por kemi fituar një ndërmjetës të fuqishëm pranë Perëndisë, që do të lutet pa reshtur për ne dhe për Kishën tonë, të cilën e deshi aq shumë. Nëse jemi të pikëlluar, ne ende gjejmë ngushëllim – shkruan Shën Augustini – dobësia jonë na rëndon, por besimi na mban lart. Ne jemi të pikëlluar për gjendjen njerëzore, por shërimin tonë e gjejmë në premtimin hyjnor.
Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se ai ishte një pasardhës i denjë i Apostujve dhe, gjatë gjithë jetës së tij, një predikues i zjarrtë i Kryqit dhe i Ngjalljes, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Ai e mbajti mbi supe Kryqin e Krishtit dhe kështu nisi rrugën e tij drejt Ngjalljes. Jeta e tij ishte një jetë e vërtetë, dhe jeta e vërtetë nuk mbaron me vdekjen, sepse ajo është një jetë e shenjtë dhe e pavdekshme. Prandaj, nuk mund të trishtohemi si ata që nuk kanë shpresë.
Të dashur vëllezër dhe motra, le të lutemi me zemër që Zoti ynë Jisu Krisht, i cili është Ngjallja dhe Jeta (Jn. 11:25), ta prehë shpirtin e Atit dhe Kryebariut tonë të dashur, Kryepiskopit të ndjerë Anastas, në tendat e të drejtëve, ku nuk ka dhembje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të pasosur dhe të vërtetë.
Le të jetojmë me frymëzimin e tij dhe ta kujtojmë me nderim dhe dashuri përgjithmonë.
I përjetshëm dhe i bekuar qoftë kujtimi i tij. Amin
Mjekët i japin ndihmën e parë besimtarit që s'u ndje mirë
Një urgjencë mjekësore ka ndodhur gjatë homazheve dhe liturgjisë për kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos, që po mbahet sot (30 Janar) te Katedralja “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë.
Personeli mjekësor u pa në një moment të befasishëm të shfaqej para Katedrales dhe gjithashtu ambulanca e spitalit. Njoftimi ishte bërë për një person të pranishëm që nuk ishte ndjerë mirë.
Bëhej fjalë për një besimtar që ishte i pranishëm gjatë ceremonisë mortore në katedralen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Pas ndihmës së parë, qytetari u mor nga stafi mjekësor me ambulancën e urgjencës, për mjekim më të specializuar në spital.
Kryeministri Edi Rama dhe Sali Berisha janë bërë ‘bashkë’ në një moment gjatë ceremonisë së lamtumirës për Kryepeshkopin Anastas Janullatos në Kishën Ngjallja e Krishtit.
Shqiptarja.com sjell këtë foto, ku dallohen Rama e Berisha të ulur në karrige, para momentit se të bashkohej edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili po ashtu merr pjesë në meshë.
Personalitete të larta nga Greqia ndodhen në katedralen “Ngjallja e Krishtit’ për ti dhënë lamtumirën kryepeshkopit Anastas.
Të pranishëm presidenti Bajam Begaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama, kryetari i PD-së Sali Berisha, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i jashtëm grek Giorgos Gerapetritis.
Të pranishëm janë dhe lideri i PASOK, përfaqësues të opozitës greke dhe Fredi Beleri i zgjedhur nga Greqia si eurodeputet
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës për Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Mitsotakis mbërriti në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, i shoqërua nga një delegacion grek.
Pas homazhe para arkivolit të kryepeshkopit shtrëngoi dorën me kryeministrin Edi Rama e kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe u ul mes tyre.
Qytetarë të shumtë nderuan Kryepeshkopin, duke kryer homazhe, ndërkohë që në Katedralen Ngjallja e Krishtit u mblodhën dhe personalitete nga vendi dhe bota.
Foto: Edi Rama dhe bashkëshortja Linda
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama mbërritën në katedralen Ngjallja e Krishtit për ceremoninë e lamtumirës së kryepeshkopit Anastas.
Fredi Beleri, sot gjatë homazheve për Janullatos
Në homazhet dhe ceremoninë mortore të Kryepeshkopit të ndjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos, ditën e sotme (30 Janar), përveç personaliteteve të shumta vendase dhe të huaja, krerëve të shtetit dhe komuniteteve fetare, ishte edhe Fredi Beleri.
Ish-kryebashkiaku i Himarës, i dënuar për korrupsion në blerje votash për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023 me 2 vjet burgim dhe aktualisht i zgjedhur verës së vitit të kaluar eurodeputet për Greqinë në Parlamentin Europian, u pa teksa hynte në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, për t’i bërë nderimet e fundit Anastas Janullatos.
Ceremonia mortore për Kryepeshkopin do drejtohet Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, i pari mes të barabartëve në Kishën Ortodokse.
Ky i fundit ka mbërritur në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Tiranë.
Foto: Ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas
Ditën e sotme mbahet ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas. Ceremonia do të drejtohet Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu. Ndërkohë, fjalim do të mbajë edhe mbesa e Kryepeshkopit Anastas, si edhe dy kryeministrat Rama e Mitsotakis.
Fjala e përmortshme e Tërëshenjtërisë së tij, Patriarkut Ekumenik, z. Bartholome
Fjala e përmortshme e Mbikëqyrësit të Fronit, hirësi Joanit, Mitropolit i Korçës,
Fjala e përmortshme e Kryetarit të Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, Bishop Heinrich Bedford-Strohm
Fjala e përmortshme, jashtë programit, e mbesës së Kryepeshkopit të ndjerë, znj. Roksani Janullatos
Fjala e përmortshme e Shkëlqesisë së tij, Kryeministrit të Greqisë, z. Kyriakos Mitsotakis,
Fjala e përmortshme e Shkëlqesisë së tij, Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.
Nuk e kuptoj pjesmarrjen e politikes greke!
Përgjigju