Në Universitetin e Arteve të Bukura, aty ku ai u diplomua për regji, sot u mbajtën homazhet për gazetarin Artur Zhejin, i cili u përcoll për në banesën e fundit. Familjarë, miq, kolegë, politikanë e personalitete të artit i dhanë lamtumirën publicistit, analistit dhe një prej zërave më të veçantë të gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar, që ndërroi jetë papritur në moshën 64-vjeçare nga një arrest kardiak, në Sarandë.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe vijuan për 2 orë e gjysmë. Në hyrje të Universitetit u vendos edhe një kurorë me lule në emër të kryeministrit Edi Rama.
Ikja e tij e parakohshme bashkoi në dhimbje jo vetëm botën e medias, por edhe politikën e artin. Deputeti socialist Arben Pëllumbi e cilësoi Zhejin një figurë të rëndësishme të mendimit të lirë.
“Ditë e trishtuar për miqtë e Turit, por edhe për shtypin dhe median shqiptare. Përfaqësonte një figurë mjaft të rëndësishme në gazetari e në mendimin e lirë të këtij vendi”, tha deputeti Arben Pëllumbi.
“Pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues, që do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin. Një ikje e parakohshme”, tha ministri Blendi Gonxhja.
"Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër", tha Sali Berisha.
“Patriot që luftoi jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias, por edhe parimeve të shtetit të së drejtës”, tha Tedi Blushi.
Për miqtë e afërt, Zheji ishte mbi të gjitha një shpirt artisti dhe një erudit i rrallë. Aktori Timo Flloko e përshkroi kështu: “Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha.”
Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhej edhe me çështjen kombëtare dhe Kosovën. Këtë e kujtoi ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, që e kishte njohur prej 27 vitesh.
“Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.
Gazetari dhe publicisti, i dalluar për mprehtësinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, ndërroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festonte ditëlindjen e të birit.
Zheji vinte nga një familje e shquar në botën e artit dhe letrave. I ati Petro Zheji, i përkiste plejadës si përkthyes e dijetar, ndërsa e ëma, Besa Imami, ishte aktore.
Artur Zheji studioi për regji, e më pas punoi si dramaturg. Në vitet e para të demokracisë punoi në median italiane, për t'u rikthyer gjatë luftës së Kosovës, me emisionin “Luftë apo Paqe”. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo.
Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin "360 Gradë", një tryezë debati për çështjet të vendit dhe botës. Ai spikaste në debatin publik, dhe me guxim, shkruante për shumëçka, edhe për vdekjen, “Zonjën Madhështore, të pa korruptueshmen absolute”, siç e cilësonte në një refleksion, një vit më parë.
Rreth 2 orë e gjysmë zgjatën homazhet për gazetarin Artur Zheji, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur për shkak të një arresti kardiak. Familjarë, miq e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit në Universitetin e Arteve të Bukura.
Homazhet për gazetarin e ndjerë, Artur Zheji, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur e të parakohshme, arrijnë të prekin zemrat e të gjithë kolegëve të tij, personazhe të artit por dhe të politikës.
Aktorja e mirënjohur, Rajmonda Bulku, e prekur nga ndarja e mikut të saj, Artur Zheji, ose ashtu siç ajo e thërriste ”Tur”, ka mbajtur një deklaratë të shkurtër për media.
I lindur nga dy prindër të mrekullueshëm, ku liria dhe kultura, formuan karakterin po të lirë të Zhejit, kështu përshkruhet nga Bulku gazetari Zheji,
“Lindi nga dy prindër me shpirt të lirë, nga atdhetarë, nga një artiste të mrekullueshe Besa Imami dhe Petro Zheji, mendje ndritur, i njerëzve të shquar shqiptarë. Lindi i lirë nga këta të dy, lindi i mençur, i kulturuar. Luftoi tërë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë, të mençur. Elokuenca e tij ishte e jashtëzanshme dhe e pakrahasuar”, tha ajo.
Duke rikujtuar pak nga jeta e tyre, aktorja u shpreh se të dy kishin një dashuri të madhe e të pakrasueshme për Kosovën, një dashuri kjo e përcjellë fort nga gjyshërit e tyre, të cilin ishin dhe kushërinj.
“Do na mungojë shumë, shumë... jo vetëm ne që e kishim afër, që e donim dhe e vlerësonim, por të gjithë atyre që donin ta dëgjonin zërin e Turit. Zë të lirë, fjalë të drejtë, mençur, pa thyerje, dhe besoj se do ta kërkojë gjithmonë e do ta mbaj në mendje ashtu siç ishte gjithmonë, i drejtë, i mençur. Unë Turin e njoh, gjyshërit tanë janë kushërinj dhe kanë gjak Gjakove. Ne e donim shumë Kosovën të trashëguar nga dashuria e gjyshërve tanë”, tha Bulku.
“Turi, u prehsh në paqe, të deshëm shumë, dhe do të duam shumë”, përmbylli Bulku e prekur.
Përfaqësues të politikës i dhanë lamtumirën gazetarit Artur Zheji. Deputeti socialist Arben Pëllumbi tha se Zheji përfaqësonte një figurë të rëndësishme në gazetari e të mendimit të lirë të këtij vendi.
“Ditë e trishtuar për ne miqtë e Turit, por edhe për shtypin e median shqiptare. Përfaqësonte figurë mjaft të rëndësishme në gazetari, televizion, të mendimit të lirë të këtij vendi”, tha Pëllumbi.
Ministri Blendi Gonxhja tha se ikja e Zhejit ishte parakohshme.
“E njoh Zhejin si gazetar dhe si publicist. Me siguri pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues dhe do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin, por fatkeqësisht për komunitetin artdashësve dhe gazetarin, jeta është shumë e ashpër në këto ngjarje që janë kaq të papritura. Nuk dimë si ta ngushëllojmë familjen, botën që ai përfaqëson dhe që la. Ikje shumë e parakohshme”, tha Gonxhja.
Kreu i PD, Sali Berisha tha se Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij.
"Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera dhe nderimin tim të thellë për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë, i analizës, publicistikës, botimeve. Artur Zheji ishte një zë në vete në analizat e tij, në të cilat edhe po të mos ishe dakord me pikëpamjen, mënyrën civile të servirjes dhe të shtruar të mbrojtjes që ai bënte, do ta respektoje patjetër. Me këtë rast shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, shokëve dhe lutem së bashku me ta që shpirti i tij, shpirti i Artur Zhejit të gjejë paqen e merituar", tha Berisha.
Sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi tha se kjo është një humbje e madhe.
“Në emër të PL, të presidentit Meta, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zheji, komunitetit të gazetarëve për këtë humbje të madhe. Ishte një nga mediet e ndritura të kombit shqiptar, patriot që luftoi jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias, por edhe parimeve të shtetit të së drejtës. Dua të kujtoj kontributin e tij si bashkë kryetar i komitetit për mbrojtjen e kushtetutës, mbrojtjen e ligjit themeltar nga ato ndryshime falsë së cilave sot kemi një regjim autoritar. Shoqëria jonë është më e mpakur me humbjen e këtij intelektuali, kontributi i ty cilit do të nderohet dhe kujtohet me respekt”, tha Blushi.
Mes shumë personaliteteve që kujtuan figurën e Artur Zhejit, në homazhet që u mbajtën në Univeristetin e Arteve të Bukura, ishte edhe aktori Timo Flloko. AI e përshkroi Zhejin si një personalitet të jashtëzakonshëm dhe një erudit të rrallë.
"Ishte personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme. Nuk flas në prerjen politike të çështjes, apo si një analist i jashtëzakonshëm në televizione e në media. Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha. Unë i kam dhënë mësim, leksionet i përgatisja për të më shumë, sepse dijet e tij ishin të tilla sa dinte gjithçka. Ishte djali i Petro Zhejit, por Arturi ishte një bir i tij, kishte edhe një nënë të nderuar, një artiste të madhe. Kam pasur miqësi të afërt. Iku shumë shpejt”, tha Flloko.
Në Universitetin e Arteve të Bukura u mbajtën homazhet për gazetarin Artur Zheji, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 64-vjeçare. Përveç figurës së tij si intelektual dhe analist, ai kujtohet edhe për kontributin e veçantë në trajtimin e çështjes kombëtare dhe të Kosovës.
Ish-ministri Paskal Milo kujtoi momentet e para të njohjes me Zhejin dhe bashkëpunimin e gjatë me të.
“Me Zhejin kam rreth 27 vjet që jam njohur, më ka marrë intervistë e parë në gazetar në romë, ku unë isha ministër i jashtëm dhe ai punonte për radion Radicale. Që aty vendosëm bashkëpunim miqësor që vazhdoi gjatë gjithë periudhës si ministër i jashtëm, por në mënyrë të veçantë pas vitit 2002 kur ai u përfshi në mënyrë aktive në median shqiptare si drejtues i disa programeve të rëndësishme në kanale të ndryshme shqiptare, për të arritur atë që sot opinion publik e nderon, në majat e publicistikës shqiptare. Me një stil të veçantë, fjalor tejet të përpunuar, ndërthurej mes një gazetarie ekspresive por edhe mendimi të thellë filozofik, Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.
Në homazhet për gazetarin Artur Zheji, shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj ka kujtuar figurën e tij me fjalë të ndjera, duke vlerësuar stilin e veçantë dhe elegancën që Zheji solli në debatin publik.
“Ditë e trishtuar për gazetarinë, publicistikën, miqtë e Turit. Kam pasur fatin ta njoh herët dhe të punoj me të në disa media të shkëmbej mendime herë pa shere, për artin, kulturën, letërsinë, historinë. Ishte një intelektual me interesa shumë të gjëra, tani doja të nënvizoja një gjë që ka të bëjë me Turin. Ai themeloi elegancën në analizën politike, kishte një bazament kulturor që jo shumë gazetarë e kanë dhe kjo e ndihmoi të krijonte stilin e vet autentik që bashkon thellësinë dhe elegancën, ai nuk linte asgjë pa thënë, por i thoshte në mënyrë të tillë që mos të ishin vrastare, të ishin ndikuese ,por jo vrastare, jo goditëse”, tha Zogaj.
Miq e bashkëpunëtorë i japin lamtumirën gazetarit Artur Zheji, ndërsa homazhet u mbajtën në Universitetin e Arteve të Bukura. Regjisori Kiço Londo ka shprehur dhimbjen e tij me një mesazh prekës, duke kujtuar figurën e mikut.
"Vijmë nga një ajër, nga krahinë, nga një fshat, nga një gjak. Vijmë nga i njëjti kurs, në këtë shkollë të mrekullueshme edhe sot është një ditë e thellë zie. Është një ditë ku të gjithë duhet të qajmë për dritën që humbëm, për thellësinë e mendimit që humbëm, për Artur Zhejin që jo vetëm që vinte nga një gjen gjeniu, por kishte edhe një damar të fortë gjeniu në vetvete. Dritë e trishtë që humbëm, por dita që Arturi po lë pas shprehej të na ndihmojë të bëhemi më të mirë", tha Kiço Londo.
Komente

NUK E KA RUAJTUR SHENDETIN...KA PIRE O ALKOOL DHE CIGARE....KUR KA QENE ME OPERACION NE ZEMER....CIGARJA ESHTE FATALE....DUHEJ TI BEHEJ AUTOPSIA...PER NDONJE HELMIM ..GJYNAH LA KALAMAJ...
PërgjigjuPo Arben Imami ku ishte?
PërgjigjuHumbje e madhe qe do te ndihet me shume ne fushen e publicistikes dhe moderatorit ne TV. E konsideroj nje humbje " vecanerisht te madhe" per politikanet qe do ti mungoje zedhenesi dhe hartuesi stilistik i memorandumeve dhe fjalimeve qe ne menyre " groteske" ata nuk i kuptonin por qe e vlersonin ne menyre shume speciale penen e Zhejit ne artikujt dhe editiriale.
Përgjigju