Këtë të mërkurë (23 prill) në orën 21:00 Interi dhe Milani do përballen në "San Siro" për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Sfida e parë mes tyre përfundoi 1-1 dhe llogaritë janë të hapura për të dyja skuadrat, ndërsa derbi vendos fatet e sezonit.
Milani ndodhet në vendin e nëntë dhe rrezikon mos marrë pjesë në Champions League sezonin e ri, ndërsa Interi është në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve si edhe prin Serinë A së bashku me Napolin, duke ëndërruar tripletën. Përballja e sotme do jetë e pesta mes tyre këtë sezon.
Sa vlen fitimi i Kupës së Italisë? Kushdo që ngre trofeun do të marrë gjithsej 7 milionë euro. Në detaje vetëm suksesi në finale kap vlerën e 4.6 milionë eurove. Humbësi merr një çmim mjaft të mirë ngushëllimi, 2 milionë euro.
Statistikat - Në 243 ndeshje ndërmjet Interit dhe Milanit në të gjitha kompeticionet, vetëm në një rast dy skuadrat janë përballur me njëra-tjetrën përtej kohës së rregullt, në Kupën e Italisë, më 27 dhjetor 2017. Në atë rast, kuqezinjtë fituan 1-0 ndaj zikaltërve falë një goli të Patrick Cutrone (104′) në pjesën e parë të shtesës.
Bilanci në Kupë - Interi dhe Milani përballen për herë të 29-të në Kupën e Italisë: bilanci është paksa në favor të kuqezinjve që kanë marrë 10 fitore kundrejt 9-të të zikaltërve me nëntë barazime për të kompletuar tablonë.
Kjo është hera e tretë që dy skuadrat takohen në gjysmëfinale të kompeticionit, pas vitit 1985 (Milani u kualifikua në finale) dhe 2022 (kualifikimi i Interit).
Komente
