Champions League vijon me ndeshjet e kthimit play-off dhe sot do mësohen katër skuadrat e fundit që do jenë në grup. Qarabag pret në Azerbajxhan hungarezët e Ferencvaros në orën 18:45. Vendasit fituan 3-1 në sfidën e parë dhe janë më të avantazhuar.
Duke nisur nga ora 21:00 e gjithë vëmendja do jetë në 'Da Luz', me portugezët e Benficas që presin turqit e Fenerbahces, skuadër që drejtohet nga Mourinho. Ndeshja e një jave më parë në Stamboll u mbyll pa gola dhe gjithçka është e hapur për këtë mbrëmje.
Në Belgjikë, Club Brugge me avantazhin 3-1 të ndeshjes së parë do përballet me skocezët e Rangers. Miqtë kanë lënë jashtë ekipit për të disatën ndeshje Nedim Bajramin, me fantazistin e Kombëtares që po kërkon tjetër ekip pasi nuk bën pjesë në planet e Rangers.
Ndeshje e hapur në Danimarkë. Në kryeqytet, FC Copenhagen luan kundër zviceranëve të Basel. Përballja e parë është mbyllur 1-1 dhe miqtë do udhëhiqen nga Xherdan Shaqiri.
Shorti për përballjet në grupin e Champions League do hidhet të enjte, më 28 gusht në orën 18:00 në Monaco.
Champions League, ndeshjet e kthimit play-off:
18:45 Qarabag - Ferencvaros (3-1)
21:00
Benfica - Fenerbahce (0-0)
Club Brugge - Rangers (3-1)
FC Copenhagen - Basel (1-1)
*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para
Komente
