Sot besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festojnë Krishtlindjen. Ky është viti i dytë radhazi i festuar ndryshe për shkak të situatës dhe kufizimeve të marra kundër COVID 19. Kishat e Krishtera në vendin tonë e kremtojnë në orare të ndryshme meshën me rastin e 'Lindjes së Krishtit'.
Këtë mëngjes po mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen "Ngjallja e Krishtit". Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos.
Ndërkohë që mbrëmë në Katedralen e 'Shën Palit' Imzot George Frendo ka mbajtur meshën e tij të fundit si Arqipeshkv, e ndërsa përcolli edhe mesazhe për më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve. Krah tij, qëndronte edhe drejtuesi i ri, Arjan Dodaj.
Sot dhe dje janë kremtuar Krishtlindjet në të gjitha qytetet e vendit. Në Elbasan mesha e vigjiljes së lindjes së Krishtit u mbajt në një qendër rinore pasi kisha është në rikonstruksion. Sakaq në Lushnje kjo festë bëri bashkë edhe politikën e cila uroi mbarë besimtarët e unifikuar përmes deputetëve të qytetit, Lindita Buxheli dhe Bujar Çela.
Edhe në Berat, Korçë, Gjirokastër , Durrës, Lezhë e Fier mesha u mbajt për besimtarë katolikë e ortodoksë ndërsa të pranishmit përcollën edhe urimet e tyre.
Mesazhe paqeje kanë dhënë dje edhe krerët e besimeve fetare dhe po ashtu edhe politikanët. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, teksa uron besimtarët shkruan se dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot. Një mesazh dha sot nga Shkodra edhe Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit e Presidenti i Konferencës, i cili uri besimtarët. Presidenti Ilir Meta bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që kanë nevojë për përkrahje. Në këtë datë të veçantë për besimtarët e krishterë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se kjo është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin dhe shpresa fiton mbi vështirësitë.
Në përditësim...
Besimtarët Ortodoksë sot kamë kremtuar lindjen e Krishtit. Në qytetin e Vlorës është mbajtur mesha e lindjes, e cila është kryer në Kishën Theodhorit ku merrnin pjesë besimtarë të të gjitha moshave.
Prifti i kësaj kishe Kostandin Prifti ka uruar gjithë besimtarët në këto ditë të vështira prej pandemisë pasi edhe të viti i dytë që besimtarët festojnë të kufizuar për shkak të pandemisë . Besimtarët kanë uruar në këtë ditë te veçantë për Krishtlindje te mbara dhe te gëzuara.
Qytetarët kanë dërguar urimet për të gjithë shqiptarët përmes mikrofonit të Report Tv
"Uroj gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar, me zemra të gëzuara dhe shëndet mbi të gjitha.", tha një besimtare.
"I uroj të gjithë shqiptarët gëzuar Krishtlindjen! Paçin jetë sa më të lumtura dhe të mira", u shpreh një tjetër qytetar.
Urimet më të mira vijnë për Krishtlindje nga besimtarët e qytetit të Korçës. Përmes mikrofonit të Report Tv ata u urojnë shqiptarëve një vit sa më të mbarë.
“Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet! E para njëherë është gëzimi, shpresa dhe besimi në zot dhe e dyta pastaj me një drekë të mirë.
Gëzuar të gjithë! Shumë mirë i festojmë.
Gëzuar! Uroj që atmosfera e Krishtlindjes të mbushë zemrat tona me shëndet të mirë e paqe dhe harmoni familjare. Natyrisht urimi im shkon për të gjithë shqiptarët, por mendja ime shkon sot për ata që sot ndihen të dobët, për ata që luftojnë jetën dhe sëmundje në spital, për ata që e kanë humbur dikë të dashur, për ata që e festojnë larg njëri-tjetrit jo për shkak të luftëra por për shkak të pandemisë.
Hajde gëzuar, një vit të mbarë dhe me shëndet”, thanë besimtarët për Report Tv.
Besimtarët e krishterë pas u kremtua mesha në kishën ‘Ngjallja e Krishtit’ kanë u kanë uruar të gjithë besimtarëve Krishtlindjen.
“Iu uroj shqiptarëve të jenë të lumtur, sa më shumë shëndet dhe dashuri.
Unë iu uroj besimtarëve gëzuar krishtlindjet, të kenë dashur me njëri-tjetrin.
Gëzuar të gjithë shqiptarëve.
Feja është mbi të gjitha, shëron çdo gjë. Kam dhe emrin Natalia dhe festoj sot.
Gëzuar vit i mbarë për të gjithë shqiptarët”, thanë besimtarët.
Krishtlindjet në Berat, mesha e Shenjtë kremtohet në Kishën Ortodokse dhe atë Katolike. At Johan Qako dhe Prifti Giuseppe Tossi, përcjellin mesazhet e urimit për të gjithë besimtarët. Besimtarët beratas u urojnë të gjithëve një vit të mbarë e të begatë.
Ashtu si në të gjithë Shqipërinë,edhe në qytetin e Beratit,besimtarët ortodoks dhe katolikë,kanë festuar Krishtlindjet. Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales "Shën Dhimitri" në qendër të qytetit,për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjeve filloi që në orët e para të mëngjesit dhe u drejtua nga At Johan Qako. Ai uroi të gjithë shqiptarët për një vit me më shumë begati,dashuri e harmoni në çdo familje.At Johan Qako përcolli tek të gjithë mesazhin që ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin pa kushte,ashtu siç zoti na ka mësuar.
Besimtarët katolikë beratas e kryen meshën e shenjtë krishtlindjeve në Kishën Katolike "San Luca",ku mesha u mbajt nga Prifti Giuseppe Tossi. Duke kremtuar meshën e shenjtë,ai ka përcjellë në shqip edhe mesazhin e urimit për çdo familje shqiptare.
Besimtarët ortodoksë dhe katolikë beratas kanë uruar "Gëzuar Krishtlindjet" dhe kanë përcjellë për të gjitha familjet beratase mesazhin "për një vit sa më të begatë,me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin".
Pas përfundimit të meshës së shenjtë të Krishtlindjeve,besimtarët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon "lindjen e Krishtit". Sipas traditës së festës,besimtarët i marrin qirinjtë e ndezur në shtëpi,si një dritë shprese për një vit më të mbarë.
At Gregor Pelushi ka uruar Krishtlindjet për të gjithë besimtarët e krishterë ndërsa bëri thirrje për më shumë paqe e dashuri në këtë ditë të shënuar. Në një intervistë për Report TV, at Gregor Pelushi tha se kjo është një ditë e madhe që përçon vetëm mirësi.
“Kjo është festa më e madhe për të krishterët ortodoksë, nëna e festave sepse këtu zë fill krishterimi, që përgjatë këtyre viteve u ka sjell gjëra të mira njerëzimit. Dita më e gëzuar për të gjithë ne, lindja e Krishtit. Jetojmë në një kohë që përballemi me jetën dhe vështirësitë por mesazhet që na vijën këtë të premte përcjellin shpresë mirësi dashuri. Ne lutemi që çdo ditë njerëzit të jetojnë në këtë mirësi e dashuri, një periudhë për të reflektuar në marrëdhëniet me zotit dhe me njëri-tjetrin. Të ketë paqe dashuri, në marrëdhëniet familjare, por pe jo me të gjithë kombet. Është dita e madhe që përçon mirësi e dashuri.
Kjo ngjarje që ndodh nuk është historike, kjo është një ngjarje që ndodh sot, përjetimet tona nuk janë kujtime historike, por ngjarje që përjetohen sot e kalojnë historinë. Koha sot po na imponon vetminë egoizmin, ndarjen dhe mesazhet e kësaj feste janë anidote kundër këtyre gjërave. Ne sa më shumë lutemi që njerëzit të afrohen me perëndinë aq më e bukur bëhet jeta”, tha At Gregor Pelushi për Report Tv.
At Gregor Pelushi kishte edhe një mesazh për politikën shqiptare, ku bëri thirrje për dialog e paqe me njëri -tjetrin, në mënyrë që të çojmë përpara Shqipërinë.
“Ajo që ka shumë nevojë njerëzimi është paqja, prandaj sa aktuale janë mesazhet që Paqja është. Në shkrimin e shenjtë. Nëse duam të jemi njerëz që të kontribuojmë në këtë vend, duhet të priremi tek paqja, duhet të jemi të duruar të kom me njëri-tjetrin. Nuk ka asgjë që s’mund të zgjidhet. Sa më shumë paqe e dialog me njëri-tjetrin. Nuk është koha që të ndahemi nëpër llogoret tona por të bashkohemi që ky vend të eci përpara. Duhet të ecim, nuk kemi kohë sepse të tjerët po ecin me hapa të shpejtë”, përfundoi ai.
Në kishat katolike të Elbasanit është kremtuar mbrëmë Krishtlindja. Qytetarë të shumtë, duke respektuar masat anti COVID, kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë shëndet dhe që të lihet pas kjo sëmundje e mallkuar.
"Qoftë kjo Krishtlindja e fundit me këtë sëmundje të mallkuar që na mbuloi të gjithë", tha një besimtare.
"Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë shqiptarët dhe Vitin e Ri", thotë një qytetar i huaj.
"Sot ne festojmë lindjen e Jesus Krishtit. Ju uroj që bekimet e Zotit të mbushin zemrat tuaja", u shpreh një prift katolik.
Ambasada amerikane u ka uruar të krishterët në këtë ditë të shënuar. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ambasada Amerikane shkruan iu uron besimtarëve gëzim e paqe.
“Gëzuar Krishtlindjet! Ju urojmë gëzim dhe paqe në këtë sezon festash. Nga të gjithë ne këtu në Ambasadën e SHBA në Tiranë”, shkruan ambasada.
Në këtë ditë të shënuar për besimtarët e krishterë. Kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje tërmetin tragjik të 26 nëntorit. Rama ka ndarë në ‘Facebook’ një video me momente nga tërmeti, por edhe me banesat e ringritura nga rindërtimi ku banorët do t’i festojnë Krishtlindjet në shtëpi të reja.
“Mirëmëngjesi, në këtë ditë të bekuar paqeje, pushimi, reflektimi dhe shprese”, shkruan Rama.