TIRANË- Besimtarët e krishterë, ata ortodoksë dhe katolikë, kremtojnë sot Krishtlindjen, një prej datave më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar. Ceremonia e celebrimit të Lindjes së birit të Zotit është për të krishterët një moment i veçantë, që shoqërohet me shumë urime për paqe, harmoni dhe dashuri mes njerëzve.
Për të dytin vit radhazi, mesha është afruar në kohë, për shkak të orës policore që qëndron në fuqi. Imzot George Frendo ka mbajtur meshën e tij të fundit, pasi do të largohet nga detyra, e ndërsa përcolli edhe mesazhe për më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve. Krah tij, qëndronte edhe Arqipeshkvi i ri, Arjan Dodaj.
Besimtarët pohojnë se do të qëndrojnë në kishë deri në mesnatë për t’i gjetur lindja e Krishtit në shtëpinë e tij.
-Çdo vit vijmë këtu deri kur të hapet Krishtlindja, domethënë në orën 12:00
-Pas meshës mblidhemi në familje dhe ky është kuptimi i të mbledhurit jo vetëm një familje e vogël por edhe një familje e madhe.
-Të pëlqejnë Krishtlindjet?
Po. Çfarë do bësh sonte? – nuk e di
Gëzuar, të gjithë bashkë, Zoti na dhëntë paqe e bekim në të gjithë botën
Jemi prej një viti në Tiranë, hera e dytë që vijmë.
-Nga jeni? Gjermani, Kosovë, të përzier.
-Gjermani unë dhe babi.
Mesazhe paqeje dhe bujarie kanë dhënë sot edhe krerët e besimeve fetare dhe po ashtu edhe politikanët. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, teksa uron besimtarët shkruan se dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot. Një mesazh dha sot nga Shkodra edhe Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit e Presidenti i Konferencës, i cili uri besimtarët. Presidenti Ilir Meta bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që kanë nevojë për përkrahje. Në këtë datë të veçantë për besimtarët e krishterë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se kjo është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin dhe shpresa fiton mbi vështirësitë.
Shqiptarja.com dhe Report Tv i uron të gjithë besimtarëve katolikë Gëzuar Krishtlindjet.
VIDEO-Mesha e plote
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar të gjithë besimtarët për Krishtlindje. Me një postim në Facebook, Kryemadhi uron kjo natë të tregojë dritën e vërtetë të jetës.
"Krishtlindja do të jetë e vërtetë për ty, në qoftë se në këtë natë, ti e ndjen në shpirt se je shumë i çmuar në sytë e zotit. Për shumë vjet me zemër të mirë krishtlindjet! Qoftë për ju kjo natë, nata që të tregon dritën e vërtetë të jetës tënde, dhe të ringjall shpresën se me zotin, ti nuk je vetëm, ti mund t'ja dalësh sepse zoti është me ty. Urime e bekime me zemër!", shkruan Kryemadhi.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha uron Krishtlindjen.
"Të dashur besimtarë të krishterë, në vigjilje të Krishtlindjes, ju shpreh urimet më të mira për ju dhe familjet tuaja! Të shohim me shpresë dhe besim drejt të ardhmes tonë e të fëmijëve tanë.
Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindjen! Zoti bekoftë çdo familje shqiptare", shkruan Basha.
Kartolina e urimit të kryedemokratit Lulzim Basha
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar besimtarët në prag të Krishtlindjeve. Nikolla bën thirrje për solidaritet , humanizëm e tolerancë.
“Krishtlindja është një ndër festat më të bukura të njerëzimit. Besimtarët e krishterë ndajnë gëzimin, dashurinë, mirësinë, shpresën dhe besimin me njeri-tjetrin, por edhe me besimtarët e tjerë, me të gjithë qytetarët. Është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin, drita tret errësirën, e mira largon të keqen, shpresa fiton mbi vështirësitë. Edhe këtë vit, kjo festë e bukur kremtohet nën kufizimet e pandemisë. Bashke me urimin, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për besimtarët e krishterë si edhe besimtarët, komunitetet e institucionet e tjera fetare, për mbështetjen dhe solidaritetin ndaj qytetarëve gjatë kohëve të vështira të pandemisë. Le të mësojmë, të inspirohemi e udhëhiqemi të gjithë nga shpirti i sakrificës, tolerancës, humanizmit dhe solidaritetit. Krishtilindje të gëzuar!”, shkruan kryetarja e Kuvendit.
Në prag të Krishtlindjes, Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët e krishterë. Për Metën, lindja e Krishtit na bën më solidarë, që të kujdesemi për ata që kanë nevojë për përkrahje. Presidenti shkruan se kjo festë na bashkon ë gjithëve dhe na jep forcë përballë sfidave.
"Nga zemra u uroj sonte gëzuar Krishtlindjen besimtarëve të krishterë dhe mbarë popullit shqiptar! Mesazhi i përjetshëm i dashurisë, i dritës që nuk shuhet kurrë dhe i shpresës së pakufishme të kësaj feste, që na bashkon të gjithëve, prek dhe ngroh zemrat tona, duke sjellë më shumë lumturi dhe gëzim në çdo vatër familjare, na jep forcë përballë sfidave aktuale, na mbush me shpresë për ditët më të mira që ende nuk kanë ardhur. Lindja e Krishtit i jep kuptim jetës brenda nesh dhe besimit për një të nesërme më të mirë, në paqe, dashuri dhe mirëqenie, na frymëzon e na bën më solidarë që të mos i harrojmë, të kujdesemi dhe t’u zgjasim dorën me përulësi atyre që kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje materiale dhe shpirtërore. Ndërsa familjet dhe miqtë mblidhen sonte për të festuar, të mos harrojmë se secili prej nesh ka mundësinë të jetë një shembull i përkryer i dashurisë, në rrugën drejt shpresës, besimit për një jete të bukur, një familje të bekuar, një shoqërie të paqtë e të shëndetshme! Për shumë mot gëzuar Krishtlindjen!", shkruan Meta.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka uruar të gjithë qytetarët për festat e fundvitit. Gledis Nano shprehet se në këto vigjilje festash është pikërisht çasti kur duhet të hedhim pas lodhjen, dilemat dhe të rendim shpresëplotë drejt një viti më të mirë se ky që kaluam i cili numëroi jo pak sfida dhe arritje.
Nano shprehet se Policia e Shtetit do të gjendet në çdo arterie të Shqipërisë ndërsa thekson se të nesërmen do ta ndërtojmë së bashku për t'ja kushtuar para së gjithash fëmijëve.
"Çdo vit që largohet nuk i përngjan atij që vjen, pasi mbi pragun ku troket e ardhmja gjithësekush vijon rrugëtimin drejt ëndrrave dhe aspiratave personale. Policia e Shtetit do gjendet pranë jush në çdo arterie të Shqipërisë. Së bashku do ndajmë emocionet dhe do përcjellim urimet e fundvitit. Të nesërmen do ta ndërtojmë së bashku me një qëllim të përbashkët, për t'ja kushtuar para së gjithash fëmijëve tanë."-shprehet Gledis Nano.
Në prag të festës së krishtlindjes, mesazhin e tij ka dhënë nga Shkodra edhe Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit e Presidenti i Konferencës.
Në mesazhin e tij për festën më të rëndësishme ai ka uruar besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, duke i uruar gëzime.
“Urimi im është për të gjithë besimtarëve katolikë ortodoksë të krishterë dhe ju njerëz me vullnet të mirë. Qoftë një Krishtlindje e shenjtë me mikpritjen e sinqertë dhe të guximshme të Jezu Krishtit në jetën tonë. Gëzuar Krishtlindjen me gëzime.”, u shpreh ai.
Në prag të festës së krishtlindjeve mesazhin e tij të urimit ka shpërndarë për të gjithë besimtarët shqiptarët Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos.
Mesazhi i plotë:
Në këto ditë festive, zakonisht përsëriten mendime, mesazhe dhe komente të ndryshme rreth paqes, dashurisë, gëzimit dhe shpresës. Sigurisht, ka dhe nga ata që preferojnë ta shkëpusin kuptimin e tyre nga thelbi i Krishtlindjes, duke i quajtur në mënyrë abstrakte “urime me rastin e festave të fundvitit”. Megjithatë, ndriçimi që sjell ngjarja çlirimtare e Ardhjes së Shpëtimtarit ndër njerëzit, shtrihet në dheun tonë të vuajtur.
Nga rrezet e shumta të Diellit të Drejtësisë, dy janë veçanërisht aktuale për kohën tonë: qëndresa paqësore e personave kryesorë në rrëfimin biblik për Lindjen dhe thelbi i kuptimit të Krishtlindjes.
Kushtet specifike, në të cilat Biri dhe Fjala e Perëndisë erdhi në botën tonë, nuk ishin komode. Pak ditë para Lindjes së Tij, Nëna e Tij bëri një udhëtim të mundimshëm nga Nazareti i Galilesë në Bethlehem të Judesë. Kur mbërritën atje, nuk u gjend për ta ndonjë shtëpi mikpritëse. Indiferenca e banorëve ishte e akullt. Madje edhe në han, “nuk kishte vend për ta atje ku kishin rënë”. Strehë gjetën në një stallë, “edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e mbështolli me shpërgënj, dhe e vuri në grazhd” (Llk. 2:7). Që nga çasti i parë, Jisu Krishti mohoi kënaqësinë dhe luksin e kësaj bote. Nuk vonoi të shfaqet shpërthimi maniak i Herodit, që u bë shkak për ikjen në dhé të huaj, në Egjipt. Por, të gjitha këto vështirësi të paparashikuara dhe kushte jo të favorshme u përballuan me qëndresë paqësore, plot me durim, zemërgjerësi dhe qetësi.
Shpëtimtari mori pjesë në të vërtetën e ashpër të jetës njerëzore, duke u përballur, ende foshnjë, me varfërinë, përndjekjen, jetën në dhé të huaj. Mesazhi është përcaktues për të gjithë ne që duam të ecim në gjurmët e Jisuit: Qëndresë paqësore në mërzitjet e shumëllojta që shfaqen në rrugën tonë, në privime, në vuajtje, në hidhërime. Qëndresë paqësore kur përballemi me armiqësinë që nuk e presim, me shpifjet, me persekutimet. Qëndresë paqësore në rrugët e ashpra të jetës si të huaj. Kjo nuk do të thotë pasivitet. Gjatë përmbushjes së misionit të Tij shpëtimtar, Jisui “i butë dhe i përulur” iu kundërvu padrejtësisë dhe ritualizmit. Ai dënoi me forcë hipokrizinë dhe djallëzinë, gjithmonë me qëndresë paqësore, madje edhe në gjendjet më të skajshme, në Pësimet e frikshme.
* *
E kremtja e ndritshme e Krishtlindjes përcakton themelin e kësaj qëndrese. Ajo forcon sigurinë, se me ardhjen e Shpëtimtarit nuk jemi vetëm, se Biri dhe Fjala e Perëndisë erdhi për të qëndruar me ne. “Emanuel” është një nga emrat e Tij kryesorë, pra, “Perëndia me ne”. Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, i Fuqisë së Epërme të Gjithësisë, konstatohen edhe në qytetërime të tjera. Por ajo që e bën unik mesazhin e krishterë, është se Vetë Perëndia i parajetshëm u bë njeri.
Kuptimin e së kremtes na e japin të përmbledhur dy thënie themelore të Etërve: “Sepse ai u bë njeri, që ne të hyjnizohemi”, thekson shën Athanasi i Madh, ndërsa shën Vasili i Madh nënvizon se Biri i Perëndisë erdhi në tokë, “për ta risjellë të gjithë njerëzimin te Vetja”. Perëndia i pafund mori natyrën njerëzore, që të na udhëhiqte drejt pikës më të lartë të zhvillimit dhe të përsosjes, në hyjnizimin sipas hirit. Bashkimi në Krishtin i natyrës hyjnore dhe asaj njerëzore, i dha njerëzimit një dinamikë të re dhe e lartësoi brenda dritës së energjive hyjnore të pakrijuara, me anë të të cilave rrezaton dashuria e Tij.
Në këtë panair festiv e ngazëllues, Kisha na fton, jo vetëm ta himnojmë Atë që po vjen, por edhe të forcojmë besimin tonë në praninë e Tij të vazhdueshme, brenda historisë së botës - si dhe brenda historisë sonë - me lutje dhe pjesëmarrje me gjithë zemër në Eukaristinë Hyjnore jetëdhënëse.
Shumë besojnë vetëm në Jisu Krishtin historik, në një person të së shkuarës, por nuk besojnë në Zotin përjetësisht të pranishëm. Besimi i krishterë i mëshon faktit se Krishti është gjithmonë me ne, jo vetëm në orët e pendimit dërrmues dhe të paqes, por edhe në ditët e hidhërimit, të dyshimit, të frikës, të shqetësimit dhe të sprovave, që pandemia e paprecedentë ka përhapur kudo në kohën tonë.
Ndërgjegjësimi për praninë e Zotit Jisu frymëzon, ngushëllon, fuqizon sigurinë se padyshim Perëndia do të ndërhyjë në çastin e duhur, kur Ai e gjykon.
Por, për të gjithë ne që besojmë, nuk mjafton të ndiejmë se nuk jemi vetëm, duhet edhe të përkujdesemi që prania hyjnore të jetë e prekshme në mjedisin tonë, me fjalën, veprat dhe dëshminë e jetës sonë.
Vëllezër dhe motra, dhurata më e bukur e Krishtlindjes për ne dhe për të tjerët rreth nesh, është të forcojmë besimin se Perëndia i së vërtetës, i dashurisë dhe i fuqisë është bashkë me ne. Biri dhe Fjala e Mishëruar e Perëndisë le të udhëheqë mendimet dhe veprimet tona, që të përballojmë me qëndresë paqësore problemet e vogla dhe të mëdha të jetës sonë.
Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, me shëndet të palëkundur dhe ndjesinë e pareshtur të pranisë së Tij.
Me dashuri të përzemërt në Krishtin Jisu,
Αnastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Ditën e djeshme, Arqipeshkvi Metropit Tiranë Durrës, Imzot George Frendo, në prag të festës së Krishtlindjeve ka dhënë edhe ai mesazhin e tij për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë.
Ai theksoi se në mesazhin e tij rëndësinë e të dhuruarit dashuri dhe ndihmë personave në nevojë. Ai shtoi se një gjë të tillë duhet të bëjnë edhe politikanët.
URON POLITIKA..PO CFARE URONI JU O TE MALLKUAR,,,,KENI LENE 690.000 SHQIPTARE NE VARFERI,,DUKE I VJEDHUR...ME TENDERA A E KONCESIONE,,,..ZOTI JU MALLKOFTE ISHALLAH NE SHTATE BREZA....PTU.PRU..
PërgjigjuNuk i duhen urimet shqiptareve nga nikolla,janullatos dhe agushi, se jane te paafte ne krye te parlamentit,prift grek me kombesi shqiptare dhe shpirt per gllaberimin evorio epirin dhe i fundit nga ky hajduti,vrasesi,gangsteri cepanak. Shqiptaret kane nevoje te bejne nje jete te lumtur sot dhe te ardhme te sigurte per femijet e tyre,qe u ka munguar qe prej 31 vitesh.
Përgjigju