Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, mijëra vetë falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’! Spahiu: Kjo festë sjelltë begati në familjen tona

16 Qershor, 07:03| Përditesimi: 16 Qershor, 14:12

  • Share

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 festat më të rëndësishme në kalendarin e myslimanëve. Mijëra besimtarë u mblodhën sot në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:00.

Mesazhi i kreut të KMSH-së Bujar Spahiut, shkoi për më shumë dashuri e begati në familjet shqiptare, e megjithatë nuk kurseu as thirrjet për paqe në vendet e botës që janë të përfshira në luftëra si Gaza e Palestina.

'Në emër të KMSH-së, ju uroj gëzuar Kurban Bajramin, paqe dashuri. Kjo festë sjelltë begati e mirësi në familjen e vatrat tona!'- tha Spahiu.

Edhe qytetarët e fëmijët shprehin urimet për shqiptarët nëpërmjet Report TV. Edhe në rrethe qytetarët iu drejtuan herët në mëngjes xhamive e shesheve të qyteteve për faljen e “Kurban Bajramit”.

Festa e Kurban Bajramit është të përkujtojë devocionin e Profetit Ibrahim ndaj Allahut dhe gatishmërinë e për të sakrifikuar djalin e tij, Ismailin. Besimtarët mendojnë se në pikën e flijimit, Zoti zëvendësoi Ismailin, (djalin e profetit Ibrahim) me një dash, i cili do të therej në vend të tij. Ky urdhër nga Zoti ishte një provë e gatishmërisë dhe përkushtimit të Profetit Ibrahim për t’iu bindur urdhrit të Zotit të tij, pa diskutim. Prandaj, Kurban Bajrami do të thotë festa e sakrificës.

Në varësi të vendit, festimet e Kurban Bajramit mund të zgjasin diku midis dy dhe katër ditësh. Akti i Kurbanit (kurbani) kryhet pas Faljes së Bajramit (Lutjet e Bajramit), të cilat kryhen me njerëz në Xhaminë më të afërt në mëngjesin e Bajramit.

Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë besimtarët myslimanë, Gëzuar Kurban Bajramin.

Ora 14:02
Besimtarët myslimanë në Shkodër festojnë Kurban Bajramin

Besimtaret myslimane në Shkodër kanë kremtuar festën e Kurban Bajramit në sheshin kryesor të qytetit.

Myftiu i Shkodrës në fjalën e tij u ndal tek roli i familjes dhe ligjet shkatërrimtare që kerkojne të deformojnë tabanin e familjes shqiptare.

Ora 12:42
Elbasan/ Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit (VIDEO)

 

Qindra besimtarë Mysliman në Elbasan falën mëngjesin e sotëm Kurban Bajramin.

E cilësuar si një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit islam, bashkë me Fiter Bajramin edhe këtë herë falja e Kurban Bajramit është kryer në sheshin “Gensher”.

Myftiu I Elbasanit, Agim Duka përcolli ceremoninë e faljes duke uruar besimtarët por edhe duke bërë thirrje për më shumë mirësi dhe ndihmesë ndaj njeri tjetrit.

" Duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e fundit, kundrejt familjes dhe traditave tona të vyera, këshilloj të ruajmë vlerat fetare e kombëtare, të ruajmë familjen, të ndihmojmë njëri tjetrin, të punojmë për një tw ardhme më të mirë për veten tonë, interesi i vendit të mbizotwrojë mbi interesat personale, tu shtrijmë dorën e ndihmës të gjithë atyre që kanë nevojë. Allahu do të jetë në ndihmën tuaj, aq sa ju do të jeni në ndihmë të njëri tjetrit”,-tha Duka.

Besimtarët në shesh përcollën urime për këtë ditë të shenjtë ndërsa folën dhe për simbolikën e saj atë të bërjes kurban.

Festa e Kurban Bajramit simbolizon për besimtarët e fesë islame sakrificën e bërë nga njeriu për të fituar faljen, mëshirën dhe shpërblimin e zotit.

Ora 12:25
Festa e Kurban Bajramit në Lezhë/ Besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin ‘Gjergj Kastrioti’ (VIDEO)

 

Festa e Kurban Bajramit u kremtua edhe në Lezhë. Me mesazhe paqeje e harmonie për njeri tjetrin si dhe lutjet për më shume begati, dhjetra besimtare mysliman falen namazin në sheshin "Gjergj Kastrioti" në qendër të qytetit.

Teksa uroj Kurban Bajramin, Imami i Xhamisë së Lezhës Armando Hoxha përcolli mesazhin e kësaj feste mjaft të rëndësishëm për kalendarin Islam.

Pas faljes së namazit besimtaret janë shpërndare, duke uruar njeri tjetrin për festen e Kurban Bajramit, për të vijuar më pas gjatë gjithë ditës me vizita tek njëri tjetri. Kurban Bajrami është një nga dy festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë.

Ora 09:33
Festa e Kurban Bajramit, Myftiu i Fierit: Të kemi më shumë vëmendje ndaj njerëzve në nevojë (VIDEO)

 Edhe besimtarët myslimanë në Fier, kanë falur që në orët e para të mëngjesit të sotëm namazin e Kurban Bajramit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve. Namazi u fal në orën 6:00 ndërsa ceremonisë i parapriu me fjalën e tij, myftiu i Fierit Mikel Hazizolli.

Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe e harmoni mes njëri - tjetrit e veçanërisht më shumë vëmendje ndaj njerëzve në nevojë. Janë me qindra besimtarët myslimanë në Fier që i bashkohen riteve të kësaj feste të shenjtë në sheshin qendror të qytetit.

Ora 09:33
Festohet ‘Kurban Bajrami’ në Berat, besimtarët falin namazin në pedonalen e qytetit (VIDEO)

 

Lutja është kryer në pedonalen e qytetit të Beratit. Lutja filloi në orën 6 e 30 ku qindra besimtar mes tyre shumë të rinj u falën në pedonalen e qytetit. Falja e namazit u drejtua nga myftiu Beratit Bilbil Talla.

Ora 07:52
Korçë/ Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit (VIDEO)

 

Falet namazi i Kurban Bajramit në qytetin e Korçës. Besimtarët myslimane në qytetin e Korçës i janë drejtuar xhamisë së vjetër historike Iljaz Bej Mirahori për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Ceremonia filloi rreth orës 06:00 me ligjërata dhe më pas programi vijoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Ceremonia u mbyll me një lutje te përbashkët ku besimtarë të shumtë kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mesazhin e paqes, begatisë për çdo familje shqiptare.

Ora 07:52
Falet namazi i Kurban Bajramit në Lushnjë, myftiu: Besimtarët të shtrijnë dorën për paqe e begati (VIDEO)

 

Besimtarët myslimanë në Lushnje kanë falur Namazin e Kurban Bajramit në sheshin kryesor të qytetit. Faljen e namazit të Kurban Bajramit e ka drejtuar imami i xhamisë së Lushnjës Alban Puka.

Myftiu i Lushnjës Gramoz Blliku ka folur para besimtarëve për ditën e Kurban Bajramit si dite e devotshmërisë ndaj zotit dhe pajtimit. Ai kërkoi nga besimtarët të shtrijnë dorën e pajtimit për të pasur paqe begati e gëzim në familjet e tyre.

Ora 07:47
Festa e Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë falin namazin në Durrës (VIDEO+FOTO)

 Edhe në qytetin e Durrësit besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:00, ndërsa besimtarët kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mesazhin e paqes, begatisë për çdo familje shqiptare.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?