Vetëm 7.6 kilometra larg Tiranës, në zonën e Laknasit, atmosfera festive e Kurban Bajramit ndihet në çdo cep, ku besimtarët, me njetin e sakrificës dhe solidaritetit, presin që të therin qengjat e zgjedhur për kurban.

Ata presin në radhë të gjata me durim.

U mblodhën të thertorja për të zgjedhur kurbanin e tyre. Procesi “udhëhiqet” nga kasapët dhe veterinarët, ndërsa në mbikëqyrje janë edhe përfaqësues të komunitetit mysliman. 2 imame sqarojnë se kurbanet janë taksur për familjet në nevojë.

“Kurbanet qe kemi sot, që janë 23 kurbane shkojnë për besimtarët. Ne fakt besimtarët e xhamisë tonë kanë porositur nga një kurban, dikush 2, dikush 3. Kanë ardhur sot që bëhet therja dhe shpërndahet te nevojtarët”, tha imami Edvin Nuka.

“Edhe pse kemi 2 orë që kemi falur bajramin. Qëllimi është te solidarizohemi sa më shumë dhe të ndihmojmë te varfrit”, tha imami Amarild Durrësi.

Besimtarët thonë se ata marrin vetëm një pjesë për familjen e tyre ndërsa pjesën tjetër e dhurojnë te të varfrit.

“Tradita është se të shpërndahet, pra të festojnë të gjithë sot se nuk do të bëjë një ndryshim i madh një dash, një qengj një dele. Të asnjë familje nuk do ndikojë, por nevojtareve u a lehtëson ditën e festës”, shprehet Albert Qevani Besimtar.

Therja e kurbanit erdhi pas namazit.

“Mijëra besimtarë u mblodhën sot në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të falur namazin e Kurban Bajramit.“

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përcolli mesazhin e unitetit, dashurisë dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.

“Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javës, e xhumasë, me ditën më të bukur të vitit, atë të Kurban Bajramit, një gëzim i dyfishtë”, tha Spahiu.

Mesazhe të shumta urimi kishin edhe besimtarët.

“Gëzuar festën e bajramit. Zoti na nderoftë. Ne jemi shumë të gëzuar”

“Ne do shpërndajmë, një pjesë të vogël do e mbajmë për vete, pjesën tjetër do e shpërndajë.

“Këto janë festat tona edhe për ne është gëzimi”

Në Festën e Kurban Bajramit përkujtohet devocioni e Profetit Ibrahim ndaj Allahut dhe gatishmërinë e për të sakrifikuar djalin e tij, Ismailin. Besimtarët mendojnë se në pikën e flijimit, Zoti zëvendësoi Ismailin me një dash, i cili do të therej në vend të tij. Ky urdhër nga Zoti ishte një provë e gatishmërisë dhe përkushtimit të Profetit Ibrahim për t’iu bindur urdhrit të Zotit të tij, pa diskutim. Prandaj, Kurban Bajrami do të thotë festa e sakrificës.

Report Tv dhe Shqiptarja.com urojnë besimtarët myslimanë.

Ora 12:09
Festa e Kurban Bajramit/ Video me dron, kur besimtarët falin namazin në Durrës dhe Elbasan

 

Ashtu si në qytetet e tjera edhe në Durrës e Elbasan, besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam, që mishëron dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit.

Këto janë edhe pamjet me dron ku që në orët e para të mëngjesit, shumë prej besimtarëve u mblodhën në Xhaminë e Madhe në Durrës, por edhe në xhamitë e tjera të Durrësit, ku në orën 06:15 u  krye falja e kësaj dite të shenjtë.

Ndërsa në Elbasan falja u zhvillua në sheshin 'Gensher'. Myftiu i Elbasanit, Agim Duka përcolli ceremoninë e faljes duke uruar besimtarët por edhe duke bërë thirrje për më shumë mirësi dhe ndihmesë ndaj njëri tjetrit.

Pas përfundimit të faljes, atmosfera u mbush me përqafime, urime dhe mesazhe dashurie, paqeje e solidariteti ndërmjet besimtarëve.

Ora 10:25
Festohet Kurban Bajrami/ VIDEO me dron, mijëra besimtarë falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

 

Besimtarët myslimanë shqiptarë kremtuan sot Kurban Bajramin me një falje në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Këto janë edhe pamjet me dron nga bulevardi, ku mijëra besimtarë falën namazin nën drejtimin e kreut të KMSH, Bujar Spahia.

Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.

Ora 09:54
Kurban Bajrami festohet edhe në Lezhë, besimtarët falin namazin në xhaminë e qytetit

 

Festa e Kurban Bajramit u kremtua edhe në Lezhë. Me mesazhe paqeje e harmonie për njëri-tjetrin si dhe lutjet për më shumë begati, dhjetra besimtarë mysliman falën namazin në xhaminë e qytetit.

Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, gjatë urimit të Kurban Bajramit, përcolli një mesazhin për paqe, solidaritet dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. Ai theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj dite dhe rolin që ka në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe besimit.

Festën e Kurban Bajramit e uruan dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe politik në Lezhë, të cilët zhvilluan vizita në myftininë e Lezhës.

Pas faljes së namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin për festën, duke vijuar me vizitat tradicionale në familje dhe tek të afërmit.

Kurban Bajrami është një nga dy festat më të mëdha të Islamit, që simbolizon sakrificën, mirësinë dhe përkushtimin ndaj Zotit.

Ora 09:20
Festa e Kurban Bajrami/ Besimtarët falin namazin në sheshin e qytetit të Beratit! Mesazhe për paqe dhe harmoni mes njëri-tjetrit

 

Qindra besimtarë myslimanë falën namazin në Pedonalen e qytetit të Beratit me rastin e Kurban Bajramit. Falja është drejtuar nga myftiu i Beratit Bilbil Talla  i cili në fjalën e tij vuri theksin te familja, si bërthama e shoqërisë, ku ndër të tjera nënvizoi se duhet të kthehet vëmendja dhe të ketë reflektim.

Më tej ai kërkoi më shumë dashuri e harmoni mes njerëzve larg veseve si alkoolit, bixhozi, drogës lakmisë për pasuri.

Pas faljes, besimtarët e pranishëm shkëmbyen mesazhe të shumta urimi ndërmjet tyre. Kurban Bajrami simbolizon sakrificën dhe mëshirën e madhe për afrimin me Zotin.

Ora 09:05
Besimtarët myslimanë të Pukës falin namazin, luten për paqe e mirësi

Herët në mëngjes, edhe besimtarët myslimanë në Pukë iu drejtuan xhamive të zonës për faljen e Kurban Bajramit.

Në qytet, falja u krye në xhaminë historike të Kodër Hanit, aty ku besimtarët teksa kujtuan sakrificën sublime të Hazreti Ibrahimit, dërguan përmes tekbirëve falenderime për krijuesin e gjithësisë.

Besimtarët myslimanë të Pukës, në ritualin e udhëhequr nga myftiu Gëzim Kopani, u lutën për paqe dhe mirësi.

Ora 08:55
Falja e namazit në xhaminë e Kukësit, Imami Fatjon Isufi dhe besimtarët myslimanë përcjellin mesazhe urimi

 

Mëngjesin e kësaj të premteje, besimtarët myslimanë në Kukës u mblodhën në xhamitë për të falur namazin e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Qindra qytetarë morën pjesë në faljen e organizuar në xhaminë kryesore të qytetit. Imami i xhamisë Fatjon Isufi, uroi të gjithë besimtarët me rastin e kësaj feste të madhe, duke theksuar rëndësinë e sakrificës, solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.

Përveç faljes së namazit, besimtarët përcollën urime dhe përshëndetje për njëri-tjetrin, duke shprehur shpresën për paqe, harmoni dhe mirëqenie në familjet e tyre dhe në gjithë shoqërinë.

Fryma e solidaritetit dhe ndihmës ndaj më të pamundurve u bë mesazhi kryesor i kësaj dite.

Ora 08:27
Elbasan/ Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit

 

Qindra besimtarë Mysliman në Elbasan falën mëngjesin e sotëm Kurban Bajramin.

E cilësuar si një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit islam, bashkë me Fiter Bajramin edhe këtë herë falja e Kurban Bajramit është kryer në sheshin “Gensher”.

Festa e Kurban Bajramit simbolizon për besimtarët e fesë islame sakrificën e bërë nga njeriu për të fituar faljen, mëshirën dhe shpërblimin e zotit.

Ora 08:20
Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit në Korçë e Pogradec

 

Falet namazi i Kurban Bajramit në qytetin e Korçës e Pogradecit.

Besimtarët myslimanë në qytetin e Korçës iu drejtuan xhamisë së vjetër historike Iljaz Bej Mirahori për të falur namazin e Kurban Bajramit.

Ndërsa besimtarët e Pogradecit u falën në të gjitha xhamitë e këtij qyteti.

Ceremonia filloi rreth orës 06:15 me ligjërata dhe më pas programi vijoi me faljen e namazit të Kurban Bajramit.

Ora 08:07
Festa e Kurban Bajramit/ Besimtarët myslimanë falin namazin në Shkodër

 

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Shkodër, besimtarët myslimanë kanë festuar festën e Kurban Bajramit.

Në fjalën e tij para faljes së namazit të Kurban Bajramit, zëvendës myftiu i Shkodrës, Arben Halluni, u ndal për të folur për fenomenin e largimit të shqiptarëve. Ai tha se po lënë prindërit të gjallë dhe i gjejnë të vdekur.

“Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu. Ikja nuk është zgjidhje dhe nuk mund të presim që të tjerët të na ndërtojnë kombin, sepse ne jemi përgjegjës, ashtu siç janë edhe ata që na drejtojnë”, tha Halluni.

Falja e namazit të Kurban Bajramit u organizua në sheshin pranë xhaminë Ebu Bekër në qytetin e Shkodrës.

Ora 07:58
Festa e Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë falin namazin në Durrës

 

Edhe në qytetin e Durrësit besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit.

Falja nisi në orën 06:15 në Xhaminë e Madhe, ndërsa besimtarët kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mesazhin e paqes, begatisë për çdo familje shqiptare.

Ora 07:51
Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit në Sarandë

 

Ashtu edhe si në qytetet e tjera të vendit qindra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në Sarandë.

Në orën 6:45 besimtarët u falën në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë përcollën mesazhet për paqe dhe begati mes njëri-tjetrit.

Ora 07:42
Vlorë/ Besimtarët falin namazin e Kurban Bajramit, Myftiu Hoxhllaku mesazh për paqe në botë: Jo më luftë e vrasje fëmijësh

Është zhvilluar dhe në Vlorë ditën e sotme, ceremonia e Kurban Bajramit.

Ceremonia ka filluar në orën 6:30 me lexim të Kuranit, më pas me ligjërata dhe në orën 07:00 me faljen.

Me qindra besimtarë kanë qenë të pranishëm e ditën e sotme në ambientet e Pallatit të Sportit Vlorë, për shkak se xhamia e Vlorës është e mbyllur që pas përmbytjes.

Ceremonia është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku. Ai ka uruar besimtarët në këtë ditë dhe ka bërë mesazh për paqe kudo në botë: mos të ketë luftë, mos të ketë vrasje të fëmijëve të vegjël, të pafajshëm.

“Na kanë mbytur veprimet nëpërmjet instikteve dhe na ka marrë malli të shohim njerëz që mendojnë para se të veprojnë. Kurbani nuk është thjesht të marrim një kafshë, të bëjmë bismilah, ta presim dhe të themi zoti na e pranoftë. Kurbani është që nëpërmjet tij të kujtojmë njëri-tjetrit, të ndajmë jo vetëm pjesën e dukshme, por të ndajmë shërimin dhe ndjenjat.”, tha ai.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë vlonjatë, por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Vlorë, por edhe turistë që kanë ardhur në qytet këto ditë.

Ora 07:38
Fier/ Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit! Myftiu: Kjo është dita kur ne shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit

 

Besimtarët myslimanë në Fier kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit besimtarët u falën në sheshin qendror të qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve.

Namazi u fal në orën 6:40 minuta ndërsa ceremonisë i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli. 

Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri- tjetrit dhe theksoi se kjo është dita kur ne shërojmë plagët që ne i kemi shkaktuar njëri- tjetrit.

Urimet solidarizuese ishin kryefjalë edhe e gjithë besimtarëve në këtë ditë feste, ndër më të rëndësishmet e fesë islame.

Ora 07:32
Falja e namazit të Kurban Bajramit, kreu i KMSH: Festë e dyfishtë, përkon me ditën e xhumasë! Të bashkëpunojmë për një shoqëri më të drejtë

 

Mëngjesin e sotëm, në faljen e namazit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i KMSH Bujar Spahiu përcolli një mesazh urimi. Spahiu tha se sot është një gëzim i dyfishtë, pasi Kurban Bajrami feston në ditën e xhumasë.

“Të dashur vëllezër e motra, që jeni mbledhur sot, këtu në këtë shesh për të festuar ditën më të madhe të Kurban Bajramit. Sot kremtojmë festën, një ditë që bashkon zemrat tona në adhurim, mirënjohje dhe solidaritet. Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukure e javës, e xhuma me ditën më të bukur të vitit, Kurban Bajramin, një gëzim i dyfishtë. Kurban Bajrami na rikujton sakrificën sublime të Profetit Ibrahim, paqja e zotit qoftë mbi të, i cili u përul me besim të plotë ndaj urdhrit të zotit dhe gjithësisë.”, tha Spahiu.

Ai tha se Kurban Bajrami është një ftesë për të gjithë. Kjo ditë, tha Spahiu, duhet të shihet si një dritë shprese në një kohë kur po përballemi me sfida ekonomike, sociale dhe shpirtërore.

“Kjo sakrificë na mëson edhe ne sot se besimi nuk është vetëm fjalë por vepër. Jo vetëm ritual por angazhim i sinqertë për të qenë më të drejtë, të ndershëm dhe më të mëshirshëm në çdo hap të jetës tonë. Të nderuar vëllezër e motra, feja jonë islame na mëson se besimi nuk është i plotë pa ndjeshmëri sociale, nuk është i plotësuar adhurimi ynë nëse nuk përfshihet në të edhe përgjegjësia ndaj njëri-tjetrit. Edhe shoqëria jonë s’do të jetë e drejtë nëse në themelet e saj nuk qëndrojnë vlerat hyjnore, mëshira, drejtësia, bujaria dhe ndershmëria.

Sot Kurban Bajrami është një ftesë për të gjithë, pa dallim, për punëtorin dhe fermerin që me djersën e ballit mbajnë familjet, për nënat dhe gjyshet, për të rinjtë që kërkojnë vendin e tyre në shoqëri, për mësuesit që mbjellin dituri, për mjekët dhe drejtuesit që ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Në një kohë kur sfidat ekonomike, sociale e shpirtërore prekin shumë familje, Bajrami vjen si dritë shprese. Le të mos e shohim si ditë pushimi dhe konsumi por si ditë adhurimi, ashtu siç është vërtetë, si mundësi për të rindërtuar lidhjet tona me zotin dhe njëri-tjetrin. “, tha Spahiu.

Një lutje për bëri edhe për njerëzit në Gaza, të cilët po përballen me një luftë prej kohësh.

Ora 07:26
Lushnjë/ Besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit

 

Qindra besimtarë Mysliman në qytetin e Lushnjës falën mëngjesin e sotëm Kurban Bajramin.

Si çdo herë tjetër falja u zhvillua në sheshin kryesor të qytetit.

Faljen e drejtoi Myftiu i xhamisë së Lushnjës Gramos Blliku i cili bëri thirrje për paqe begati për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Gjatë fjalës së tij teksa fliste për paqen e popullit palestinez Myftiu u përlot.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • five company: 06/06/2025 16:11

    Paqe, vjen nga ndergjegjia jone per te percuar ato vlera qe besimtaret muslimane i kane mesuar dhe lexuar nga ajetet kuranore. Dhe po ashtu ata kane mesuar se si mbrohet emri i Allah dhe profetit Muhammad PBUH,nga ofendimi, diskriminimidhe urrejtjet fetare racore dhe intelektuale. Muslimanet gjithmone i kane cilesuar si te dhunshem, ( jihadists), injorante, te prapambetur e megjithate ekuilibri mendor dhe intelektual i tolerances ndaj provokimeve dhe ofendimeve e kaloi cakun e te paimagjinueshmes ne ate te marxhinalizimit kolektiv per hir te politikes se korrupsionit dhe aferave te felliqura ku muslimanet pikerisht duhej te sprovoheshin per te ruajtur qetesine kur ofendimet dhe policet e politikes se re te " Spacit" te ndergjegjes fetare ju vune ne prove, vlerat, besimin fetar,ndergjegjen tuaj. Begatia vjen kur ti punon dhe beson ne punen qe ben. Miresia eshte reciproke. Kur dikush te refuzon per ate qe je, ate qe perfaqeson, emrin qe ti mbron dhe te debon nga vendi yt i lindjes, te vret familjaret per te qinden here dhe te torturon pikerisht se U shpreha Jihadi " Allahu Ekber" Une luftoj per te mbrojtur keto vlera dhe kete emer...!! Gezuar Kurban Bajramin"!

    Përgjigju
  • B*3: 06/06/2025 14:51

    Personalisht, me vjen shume keq qe falja behet ne rruge :( Veshjet e "besimtareve" jane veshjet tradicionale arabe. A jemi ne arabe??? Do doja qe festat tona te kishin te njejten arome si ne fillim te viteve '90 e jo si tani, me influenca arabe. Paqja qofte me ju (Salam Aleikum)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?