Arbër Abilaliaj dhe Ilir Daja

Sport

Sot luhet derbi Dinamo - Partizani, Daja: Jemi të barabartë! Abilaliaj: Duam tri pikët

27 Mars, 12:00| Përditesimi: 27 Mars, 12:04

  • Share

Këtë të enjte në orën 17:00 Dinamo dhe Partizani do luajnë në ‘Elbasan Arena’ për raundin e 31-të në Superligë. Derbi mes tyre vlen tri pikë shumë të rëndësishme për zonën ‘Final 4’, me dy skuadrat që për momentin janë brenda objektivave. Përpara ndeshjes për mediet folën dy trajnerët.

Ilir Daja i Dinamos tha se dy skuadrat janë të barabarta dhe kërkon nga të tijtë impenjim ndaj një rivali direkt.

“Ndërprerja e kampionatit nga ndeshjet e Kombëtares nga ana psikologjike është një shkarkim, që erdhi në momentin e duhur. Nga ana e ritmit, e ul pak, edhe pse ne bëmë një ndeshje miqësore për të mbajtur atë ritëm që kishim.

Dy barazime dhe një humbje me Partizanin? I vetmi ekip që kemi këtë bilanc, me të tjerët është në kahun tjetër. Derbi është ndeshje që më shumë duhet kontrolluar se motivuar, sepse lojtarët japin maksimumin. Nuk duhet të kalojnë përtej përgjegjësisë së garës, sepse në të kundërt kthehet në boomerang.

Kemi probleme me dëmtimet, na mungon edhe Bregu, por jemi mësuar tashmë me këto situata. Do kërkoj nga pjesa tjetër e ekipit ta shtojë në një përqindje më të madhe për të minimizuar mungesat e rëndësishme.

Dinamo favorite? Jemi në pozita të barabarta. Vërtet Partizanit i janë larguar lojtarë të rëndësishëm në merkaton e janarit, por dhe ne kemi 5-6 të tillë që na mungojnë, që nga kapiteni i ekipit, golashënuesi, Bregu e me radhë. Mendoj se jemi 50 me 50, pasi mendoj se kontigjenti është pak a shumë i barabartë’’, tha Daja.

Në kampin e kuq drejtori-trajner, Arbër Abilaliaj motivoi të tijtë për tri pikë.

‘’Ndërprerja e kampionatit? Sigurisht që ndërprerja na ka shërbyer goxha, duke patur parasysh që kemi patur disa futbollistë të cilët kanë qenë të dëmtuar. Një pjesë janë rikthyer, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre gëzojnë një formë shumë të mirë për momentin. 

Do të keni mungesa për takimin ndaj Dinamos?

Ende nuk i kemi konfirmuar 100% mungesat që mund të kemi. Mund të them që Kote dhe Gudjufi ende nuk janë rikuperuar plotësisht. Këta dy lojtarë janë në pikpyetje për momentin, ndërsa pjesa tjetër e grupit janë të gjithë të gatshëm.

Si e prisni sfidën? Ne kemi nevojë të madhe për t’u konfirmuar, për të konsoliduar mënyrën e lojës, për të marrë pikë. Le të themi nuk ka mënyrë më të mirë për të fituar ndaj një kundërshtari që po kalon një formë të mirë dhe ka në përbërje mjaft elementë të rëndësishëm. Duke marrë parasysh të gjitha këto, patjeter që edhe ne kemi marrë masat tona për tu futur në ndeshje dhe për të synuar fitoren deri në fund”, tha Abilaliaj.

Pas 30 javëve të luajtura, Dinamo me 51 pikë mban vendin e dytë, tre pikë pas Egnatias kryesuese. Nga ana tjetër Partizani me 44 pikë ndodhet në pozitën e katërt.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?