Superliga shqiptare e futbollit këtë mesjavë është në raundin e 31-të. Të mërkurën u zhvilluan dy duele, me AF Elbasanin që fitoi minimalisht në Laç, ndërsa në kryeqytet sfida mes Tiranës dhe Bylisit u nda 2-2 dhe prodhoi gjithçka.
Në ‘Air Albania’ përballja e mbijetesës mes Tiranës dhe Bylisit përfundoi 2-2 mes tensionit dhe akuzave. Arli Përgjoni kaloi miqtë në epërsi pas 26 minutave lojë, ndërsa ishte një tjetër Përgjon, këtë herë Floriani që vendosi ekuilibrat në fundin e pjesës së parë.
Fraksioni i dytë pa gjithçka dhe vendimtare ishte minuta e 67-të. Kryesori Andi Koçi akordoi një faull për Tiranën, por i thirrur në VAR e ndryshoi vendimin dhe akordoi penallti. Kaq mjaftoi që te Bylis të protestonin dhe nga tribuna presidenti Besnik Kapllanaj tërhoqi ekipin nga fusha. Minutat në vijim ishin kaotike, me miqtë që u bindën të riktheheshin në fushë.
Në minutën e 76-të Jarmouni e ktheu në gol penalltinë dhe Tirana gjeti epërsinë momentale, pasi Ilieski tetë minuta nga fundi vendosi ekuilibrat për 2-2 dhe të dyja skuadrat që luftojnë për mbijetesën ndanë nga një pikë, duke bërë që të jenë në ujëra të turbullta.
Pas ndeshjes në ‘Air Albania’ tifozët e Tiranës tentuan të futeshin në fushë dhe t’i kërkonin llogari lojtarëve për rezultatet zhgënjyese dhe 32 pikët në 31 javë kampionat, çka bëjnë që ekipi më i titulluar në Shqipëri të shohë makthe me mbijetesën. Ishte siguria që ndali hovin e tyre.
Tifozët e Tiranës ndalen nga siguria
Në Laç, vendasit u mposhtën minimalisht 0-1 nga AF Elbasani. Autogoli i Shabanit në minutën e 38-të mjaftoi që djemtë e Gvozdenovic të dilnin me tri pikë nga udhëtimi dhe të vijojnë garën për një vend mes katër ekipeve më të mira.
Sot luhen tre sfida, ku padyshim bie në sy dueli mes Dinamos dhe Partizanit që luhet në Elbasan, apo edhe sfida mes kryesuesve të Egnatias kundër Vllaznisë.
Superliga, raundi 31:
E mërkurë, 26 mars 2025
15:00 Laçi 0-1 AF Elbasani
18:00 Tirana 2-2 Bylis
E enjte, 27 mars 2025
17:00 Dinamo - Partizani
17:00 Teuta - Skënderbeu
20:00 Egnatia - Vllaznia
Renditja:
Komente
