FT/ Angli 2-0 Shqipëri (Lewis-Skelly 19', Harry Kane 77')
LONDËR, Angli - Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi keq fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në Grupin K. Në "Wembley" të Londrës Shqipëria u mposht 2-0 nga vendasit e Anglisë me golat e Lewis-Skelly dhe Harry Kane.
Në ndeshjen e parë të Grupit K trajneri Sylvinho pa sesi kuqezinjtë vuajtën në prapavijë dhe nuk ndalën dot cilësinë që "Tre Luanët" kanë në këmbë. Pas tre ditësh në Tiranë vjen Andorra (24 mars ora 20:45) dhe tanët kanë detyrimin për tri pikë, kjo edhe si një formë autokritike.
Në mitikun "Wembley" ishin afro 20 mijë tifozë të Kombëtares, duke bërë që Londra të 'vishej' kuqezi, por as kjo nuk i ndihmoi djemtë në fushë. Përballja nisi me dominimin e vendasve edhe falë cilësive të padiskutueshme në emra.
Vetëm 19 minuta zgjati barazimi dhe Bellingham aistoi bukur mes shumë mbrojtësve tanë për Lewis-Skelly, teksa 18-vjeçari i Arsenal ia la topin mes këmbëve Strakoshës për të shënuar në debutim dhe për ta bërë mbrëmjen e 21 marsit 2025 të paharruar.
Në pjesën e parë tanët shtynë përpara në dy raste, por pa saktësinë dhe forcën e duhur. Për t'u përmendur edhe ndërhyrja e Berat Gjimshitit që ndali Harry Kane mbi vijë, me Strakoshën që ishte i mposhtur.
Nisja e pjesës së dytë i pa tanët me besim në fushë, por pa raste serioze. Edhe futja e Brojës në vend të Bajramit nuk rezultoi efikase për golin e barazimit, paçka se 23-vjeçari i Everton kishte tjetër ritëm.
Kur u duk se një kundërsulm mund të ishte i duhuri për ne, Harry Kane në minutën e 77-të ndali një top të bukur në zonë duke nxjerrë jashtë loje Ajetin dhe ia ndali sferën sërish në rrjetë Strakoshës. Dëmtim për gardianin tonë që u zëvendësua nga Kastrati.
Në fund Anglia fitoi 2-0 dhe kuqezinjtë duket se kanë shumë punë për t'u përmirësuar, nëse duan që ëndrra për Botërorin 2026 që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada mos mbetet në sirtar. Në ndeshjen tjetër të grupit, Letonia fitoi 0-1 në Andorrë.
Historia - Kjo ishte ndeshja e shtatë mes dy skuadrave dhe në të shtata rastet Shqipëria ka humbur. 21 gola na ka shënuar Anglia në gjithë historinë e përballjeve, kundrejt vetëm një të kuqezinjve, shënuar nga Altin Rraklli më 28 marsin e 2001 në "Qemal Stafa".
Komentet më të rëndësishme:
90+5' Mbyllet 2-0 ndeshja në Londër.
82' Probleme për Strakoshën, gardiani lë fushën i lënduar. Në vend të tij Elhan Kastrati.
78' Laçi dhe Asani i bëjnë vend Pajazitit dhe Hoxhës.
77' GOOL! Harry Kane merr bukur topin në zonë dhe e ndal pas krahëve të Strakoshës, 2-0.
69' Broja lëviz bukur, po gabon në pasim. Largon Walker. Moment i mirë për tanë.
63' Armando Broja merr vendin e N. Bajramit.
46' Nis pjesa e dytë pa zëvendësime.
45' Mbyllet 1-0 pjesa e parë.
43' Jasir Asani provon nga jashtë zone, sfera del jashtë.
40' Berat Gjimshiti ndal gjuajtjen e Harry Kane që po i drejtohej portës. me Strakoshën e mposhtur.
32' Berat Gjimshiti ndëshkohet me karton të verdhë.
19' GOOL! Anglia kalon në epërsi me debutuesin Lewis-Skelly, lojtarin e Arsenal. Pasimi i Bellingham gjeti prapavijën tonë papërgatitur dhe Lewis-Skelly ia la topin mes këmbëve Strakoshës.
10' Ndeshja kontrollohet nga vendasit që dominojnë me mbajtjen e topit.
1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga tanët.
Pragndeshja
Lista - Simon Simoni, Andi Hadroj dhe Etnik Brruti e ndoqën ndeshjen nga tribunat e stadiumit. Në bazë të rregullores së UEFA-s, Sylvinho do duhet të ketë të gatshëm vetëm 23 futbollistë për ndeshje, me tre emrat më sipër që janë të sakrifikuarit. Duke qenë se trajneri kishte në grumbullim 26 lojtarë, një lëvizje e tillë ishte e pashmangshme. Bie në sy se edhe ish-kapiteni i Kosovës U-21, Etnik Brruti i cili u afrua me zhurmë te kuqezinjtë mbeti jashtë.
Ndeshja u gjykua nga një trupë spanjolle me kryesor Alejandro Hernandez Hernandez.
Formacionet zyrtare, Angli - Shqipëri:
Anglia (4-2-3-1): Pickford; Walker, Konsa, Burn, Lewis-Skelly; Rice, Jones; Foden, Bellingham, Rashford, Kane Trajner: Thomas Tuchel
Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani; Asani, Laçi, Bajrami; Uzuni Trajner: Sylvinho
Renditja:
Anglia fitoi 2-0 kundër Shqipërisë në Londër. Pas ndeshjes trajneri i "Tre Luanëve", Thomas Tuchel tha se Kombëtarja jonë ka një ekip të fortë.
"E sigurt që kjo nuk ishte 100% e filozofisë sonë. Ishte një kundërshtar i fortë. Nuk është një kundërshtar i lehtë për t’u mposhtur. Është një ekip që nuk mund t’i krijosh shumë. Këtë e pamë edhe në Kampionatin Europian. Kështu që jam i kënaqur me rezultatin", tha gjermani.
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli pas humbjes 2-0 që Shqipëria regjistroi në transfertë ndaj Anglisë në Londër.
“Anglia është një nga kombëtaret më të forta, kanë dy mbrojtësa qendre shumë të fortë. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë. Nuk është shumë e lehtë të vish në Wembli dhe të fitosh, unë punoj për këtë gjë. Këtu luajnë lojtarët më të mirë të botës, është e vështirë. Jam shumë i lumtur dhe krenar për gjithë lojtarët që futen në fushë. Nëse nuk shkon në fushë i organizuar, mund të pësosh edhe 5 gola.
Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Në momentin që u fut Broja bëri një punë të mirë. Aty mund të ishim afruar me barazimin, por shënuan golin e dytë dhe ne humbëm. Nëse nuk përgatit mirë ndeshje në 45 minutat e para, përfundon keq. Kishim vështirësi për t’i bërë presing kundërshtarit. Vetëm Uzuni mund të sulmojë hapësirat. Kemi gabuar në pasimin e parë për të dalë nga zona. Në momentin që del nga ky presing që bëjnë anglezët, mund të rrezikosh.
Nga krahu tjetër është një kundërshtar, një skuadër teknikisht fantastike, shumë shumë e fortë. Ishte e vështirë për mbrojtësit e krahut, Aliji po luan si qendër, jo krahu te Dinamo. Por te ne e ka bërë shpesh krahun, dua t’i bëj komplimente sepse ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Edhe Balliu i cili ka ardhur pa luajtur shumë minuta, i duhej të përballonte Rashford”, tha Sylvinho.
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti foli shkurtimisht pas humbjes 2-0 që Shqipëria regjistroi në transfertë ndaj Anglisë.
“Nuk ishim të frikësuar, në futboll nuk ka frikë. Anglia është e fortë kundër të gjithëve. Te 1-0 ishte mirë. Me futjen e Brojës, patëm disa raste në sulm, mungoi pasimi i fundit. Te goli i dytë përfundoi ndeshja. Nuk e kishim bërë plan që të zbrisnim aq poshtë. Ata kanë lojtarë që e fusin topin mbrapa shpinës dhe është e vështirë t’i kapësh me shpejtësinë që kanë”, u shpreh Gjimshiti.
Pas humbjes 2-0 nga Anglia në Londër, sulmuesi i Kombëtares Armando Broja foli për mediet.
"E dinim vështirësinë, Anglia ka shumë kualitet dhe luanim në shtëpinë e tyre. Ne kishim disa shanse për gol, e dimë vështirësinë. Ata kanë emra shumë të mirë. Ne mund të kishim shmangur golat që pësuam sepse nuk ishin aksione të rrezikshme. Ne kemi mundësi për më shumë.
Forma? Jam kthyer nga një dëmtim i gjatë dhe ka qenë e vështirë për mua në këtë vit. Sot më pëlqeu reagimi i trupit, kisha edhe mundësi për gola. Janë gjërat e vogla që duhet të shfrytëzojmë.
Më ka munguar shumë Kombëtarja, është shtëpia dhe zemra ime. Tifozët sot ishin të mrekullueshëm dhe do Zoti që të rikuperohem dhe mos kem dëmtime", tha Broja.
Shqipëria humbi 2-0 nga Anglia në "Wembley". Kombëtarja nuk ia doli të merrte fitoren e parë në histori kundër këtij kundërshtari, teksa "SofaScore" ka nxjerrë edhe notat. Berat Gjimshiti me notën 7,6 ishte më i miri për tanët, ndërsa Jasir Asani me notën 6,0 më pak i vlerësuari. Harry Kane dhe Dean Burn ishin më të mirët në fushë me notën 8,2.
Në fillim të ndeshjes Angli - Shqipëri në Londër, Tifozat Kuq e Zi të Kombëtares i kanë dërguar një sinjal të fortë kreut të FSHF-së, Armand Duka. "Futbolli nuk është biznes, është pasion. 21 vite prezent, nuk na largon dot", shkruhet në banderolën shpalosur në tribunë.
Kujtojmë se mes TKZ dhe FSHF-së ka një përplasje të hapur pasi institucioni i futbollit vendosi që mos ketë bileta të dedikuara për grupimin e Kombëtares, por të gjitha të dalin në shitje online.
Për fëmijët që shoqërojnë futbollistët një përplasje duarsh me ta apo me trajnerët është diçka që mbetet në kujtime. Por, në ''Wembley" trajneri i Kombëtares, Sylvinho është vendosur në lojë.
Braziliani gjatë hyrjes në stadium ka takuar disa nga fëmijët e ndodhur aty, me njërin prej tyre që e ka vendosur 'në lojë'. Trajneri e ka marrë me sportivitet dhe fokusi është në fushë, pasi në 20:45 nis ndeshja.
Kombëtarja shqiptare ka dalë në nxehmje para ndeshjes me Anglinë në Londër. Gjithçka duket gati për orën 20:45 dhe pamjet më poshtë vijnë nga dhomat e zhveshjes së ekipit Kombëtare.
England vs Albania, Wembley. Albania Team pic.twitter.com/5XPVyQbDSt
— News video (@Newsvideo13) March 21, 2025
Tifozat Kuq e Zi do jenë prezent në Londër me simbolet e tyre në mbështetje të Kombëtares, për sfidën kundër Anglisë. Paçka përplasjes me FSHF-në për biletat, TKZ ka mundur të sigurojë një sektor në "Wembley". Në stadium nuk mund të mungonte as tifozi Besmir Limani, i njohur si "fytyrë-shqiponja", për shkak të pikturës që bën kur luan ekipi.
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj ka folur për UEFA.com para ndeshjes Angli - Shqipëri.
“Wembley është lloji i stadiumit që lejon një lojtar të përjetojë të gjitha emocionet më të mira që ekzistojnë. Ne jemi përmirësuar shumë dhe besoj se të gjithë lojtarët tanë e kanë vendosur mendjen te Kupa e Botës”, tha Hysaj, i cili mungon në këtë grumbullim për shkak të dëmtimit te Lazio.
Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel ka vendosur 23 futbollistët që do të jenë të gatshëm për takimin e sotëm me Shqipërinë.
Mesfushori Gibbs-White i thirrur i fundit si zëvendësues i Palmer, mbrojtësi Quansah dhe portieri Ramsdale janë lënë në tribunë për këtë sfidë.
Me tupana, veshje kombëtare dhe ato kuqezi, kjo është atmosfera rreth stadiumit "Wembley" të Londrës ku në 20:45 luhet Angli - Shqipëri e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Duket se shqiptarët po "e djegin" me festë duke krijuar një atmosferë të bukur, aq sa janë afruar për të parë këtë moment edhe tifozët vendas.
London, Wembley, England - Albania qualification World Cup 2025 pic.twitter.com/wpzQvRgH2Y
— News video (@Newsvideo13) March 21, 2025
Trajnerët Thomas Tuchel dhe Sylvinho kanë zbardhur emrat dhe rreshtimet për sfidën mes Anglisë dhe Shqipërisë e cila luhet këtë të premte në orën 20:45 në "Wembley". Myrto Uzuni ka fituar balotazhin me Manajn për sulmin, ndërsa në prapavijë Ajeti dhe Gjimshiti luajnë nga minuta e parë.
Formacionet zyrtare:
Anglia (4-2-3-1): Pickford; Walker, Konsa, Burn, Lewis-Skelly; Rice, Jones; Foden, Bellingham, Rashford, Kane Trajner: Thomas Tuchel
Shqipëria (4-2-3-1): Strakosha; Balliu, Ajeti, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani; Asani, Laçi, Bajrami; Uzuni Trajner: Sylvinho
Për ndeshjen kundër Anglisë, kombëtarja shqiptare e futbollit do ketë të veshur uniformën e tretë, atë të zezë. Duke qenë se Anglia vendase luan me fanellën e bardhë në shtëpi, ekipi ynë do duhej të luante me atë të dytën. Meqë Shqipëria uniformën e dytë e ka po të bardhë, atëherë zgjedhja e tretë në këtë rast është një zgjidhje.
Të shumtë janë ata që besojnë te fati, por këtë herë jo i zi. Shqipëria në ndeshjet e Euro 2024 zhvilloi paraqitje të mira me uniformën e tretë dhe tifozët shpresojnë që skuadra të vijojë 'traditën'.
FSHF / England - Albania , Wembley 21 march 2025 pic.twitter.com/OAZ80kOr44
— News video (@Newsvideo13) March 21, 2025
Angli - Shqipëri tanimë ka nisur, të paktën në tribuna. Dy skuadrat përballen sot në orën 20:45 në Londër, por tifozët e kombëtares shqiptare kanë shkelur të parët në "Wembley" paçka 'luftës' dhe përplasjes së tyre me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Tifozat Kuq e Zi dhe grupimet e tjera të kombëtares kanë akuzuar FSHF-në se i ka përjashtuar nga dhënia e një numri të caktuar biletash për anëtarët e tyre, çka sjell edhe zbehjen e mbështetjes së organizuar në tribuna. FSHF tha në një njoftim të dytë se të gjitha biletat do dalin online, duke mos pasur një marrëveshje mes tyre.
Paçka se FSHF "i përjashtoi" nga stadiumi, Tifozat Kuq e Zi dhe "Illyrian Elite" janë tanimë në stadium dhe po përgatisin dekorin.
Komente

Ore ky Sylvinho a ka sy në ball apo si ësht puna??Se ça do Asani në formacion se di vallaj.1. Gjujtje nuk ju bo Anglezve.Dhe pa portier të ishin ne prap sdo shënonim
Përgjigju..mbrojtja është pjesa më e mira e më e forta e jona!..nuk kemi sulmues driblues e mesfushë!
Përgjigju