Përfundon gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK: Jemi të pafajshëm! Prokuroria: Nën akuzë s'është organizata, e përdorën për pushtet! Shqiptarët protestë në Hagë: Padrejtësi

3 Prill 2023, 07:24| Përditesimi: 3 Prill 2023, 19:46

  • Share

HAGË- Pas më shumë se dy vjetësh që nga konfirmimi i aktakuzës, në Hagë këtë të hënë më 3 prill nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaç, Seliimi, Veseli e Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, sërish u deklaruan të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.

Në kohën kur nisi seanca, rreth 3 kilometra larg ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë të Holandës– që njihen edhe si Gjykata Speciale – shqiptarë të Kosovës e diasporës organizuan një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Por ç’ ndodhi në ditën e parë të gjyqit të ish krerëve të UÇK-së?

Në ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një ndërmarrje të përbashkët kriminale që kishte objektiv kundërshtarët, por që përfshinin edhe ata që konsideroheshin: Tradhtarë; Kolaboracionistë; Mbështetës ose anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në thelb, Prokuroria Speciale u shpreh se gjykimi nuk i shkonte në fakt Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por këtyre 4 individëve të cilët përpos se ishin drejtues kishin për qëllim që të shfrytëzonin organizatën apo nismën e tyre në luftë, për qëllime vetjake pushteti.  Prokuroria tha se do të dëshmojë se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen. Një ndër argumentet që ata mbështetën për këtë tezë të tyren ishte fakti se shumica e viktimave në fakt ishin shqiptarë.

Sipas Whiting, provat e Prokurorisë së Specializuar do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionalistë - shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe - si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”. Prokuroria argumentoi se në mesin e kundërshtarëve përfshihen edhe personat e lidhur me LDK-në, ata me përkatësi etnike apo rome.

“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit gjatë gjithë periudhës së aktakuzës synonte burgosjen, keqtrajtimin, torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, tha prokurori i specializuar.

Sipas prokurorit Whiting, motivi kryesor i kryerjes së krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “fitimi i pushtetit në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.

“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.

Disa herë gjatë ditës së parë të gjykimit, prokurorët theksuan se ky nuk është gjyq ndaj UÇK-së, por vetëm ndaj këtyre katër të pandehurve.

Prokuroria tha se gjatë kohës që e mbulon aktakuza, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë kishte pasur mbi 40 qendra të ndalimit, ku në mënyrë të paligjshme ishin ndaluar mbi 400 persona.

Sipas prokurorisë, të paktën 102 viktima ishin vrarë dhe mbi 20 konsiderohen të zhdukur. Sipas organit të akuzës, shumica e viktimave ishin shqiptarë.

Prokurori James Pace tha se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi për këto krime.

“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë”, tha ai.

Gjatë seancës që zgjati pothuajse pesë orë, prokurorët e specializuar paraqitën një sërë provash në formë të komunikatave, intervistave, dokumentarëve dhe blloqeve personale të shënimeve të disa prej të akuzuarve.

Udhëheqësi i hetuesve në ZPS, Ward Ferdinandusse, paraqiti një sërë komunikatash të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm, që tha se dëshmojnë se të akuzuarit kishin shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.

Duke cituar komunikatën numër 27, ai u shpreh:

“Aty thuhet, po citoj: Është hera e fundit që ua tërheqim vërejtjen të gjithë bashkëpunëtorëve të pushtuesit që të tërhiqen nga rruga e tyre e turpshme, përndryshe dora hakmarrëse e popullit do të godasë pamëshirshëm. Këtu mbyllet citimi. Pamëshirshëm, porosia është e qartë. Personat e akuzuar si kolaboracionistë do të viheshin në shënjestër dhe do të goditeshin”.

Prokurorët e specializuar thanë se njëri prej të akuzuarve, Jakup Krasniqi, ka pranuar se përmes komunikatave, UÇK-ja i ka paralajmëruar se “do t’i vrasë” (kolaboracionistët).

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Faktet kryesore për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, burimi: REL. 

Ora 16:47
Përfundon dita e parë e gjykimit ndaj ish krerëve të UÇK në Hagë

1680533395_we.JPG

Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ora 16:45
Avokati i 'viktimave' ndaj ish krerëve të UÇK: Gjykimi i dukej i paimagjinueshëm! Mendonin se ish komandantët ishin të fortë

1680533460_96121676984793.jpg

Avokati i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK, Simon Laws, tha se nisja e gjykimit ishte diçka “e paimagjinueshme” për ata që i cilëson viktima të ish komandantëve.

“Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.

Laws tha se pavarësisht dallimeve që kanë viktimat, “ata janë të bashkuar në dëmin që kanë pësuar”.

“Pikëllimi, dhimbja, humbja dhe padrejtësia nuk njihni dallime. Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.

Laws tha po ashtu se viktimat janë etiketuar si “tradhtarë” nga ish krerët e UÇK dhe kanë kërkuar që për secilin prej tyre, përmes fakteve, të dëshmohet e kundërta para kësaj gjykate.

“Ata e shohin veten se janë etiketuar si tradhtarë. Viktimat që ne përfaqësojmë i kundërshtojnë këto etiketime”, tha Laës.

“Por, etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.

Ora 15:53
Prokurori në Hagë lexon akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Të ndaluarit u mbajtën të lidhur me zinxhirë e u torturuan

Prokurori i Specializuar, James Pace, ka vazhduar deklaratën hyrës të prokurorisë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ai foli për rastin e ndalimit të tre personave në një qendër ndalimi në Prizren, dhe ka inkriminuar drejtpërdrejt në zhdukjen e dy "kundërshtarëve" të UÇK-së nga një qendër e pretenduar e ndalimit në Drenoc.

"Padyshim do të vëmë re një praktikë që do të dalë në provat që do të paraqiten këtu, do të shikoni sesi të ndaluarit në këto qendra të ndalimit gjatë gjithë kohës janë marrë në pyetje. Marrja në pyetje paraqet qëllimin se pse ishin shenjëstruar, pasi ata pretendoheshin se bashkëpunonin me forcat serbe apo se ishin të lidhur me të", tha ai.

Në Likoc, sipas tij, të ndaluarit u akuzuan se ishin "tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë", ngjashëm sikurse në Llapushnik dhe Jabllanicë, pretendoi Pace.

Sipas tij, Thaçi dhe Sabit Geci i cilësuan personat e ndaluar në Jabllanicë si "rugovistë" dhe kërkuar që ata të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova. Prokurori i specializuar tha se të ndaluarit u vlerësuan se ishin "kolaboracionistë".

Prokurori i specializuar, James Pace, tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme, ishin mbajtur në “kushte të rënda”.

“Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha prokurori Pace.

Ai po ashtu tha se të ndaluarit në shumë qendra të pretenduara ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e gjësendeve të tjera.

Në Llapushnik, sipas Pace, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me darë.

“Në Llapushnik dyshemeja ishte prej betoni me fekale kafshësh të shpërndara përreth”, tregoi prokurori duke thënë se disa të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike.

Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në vende të tjera panë të tjerët teksa rriheshin e merreshin në pyetje./ REL

Ora 13:53
Pjesë e protestës për ish-drejtuesit e UÇK në Hagë, vajza e Jakup Krasniqit: Çfarë pres nga gjykimi

Teksa sot ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi ka dalë sot para togave të zeza në Gjykatën Speciale, vajza e tij, Gresa i është bashkuar diasporës shqiptare në protestën në mbështetje të të akuzuarve.

Ajo i ka thënë KosovaPress-it se është në pritje të një gjykimi të drejtë. “Pres një proces te drejtë, shpresoj që do të jetë një proces i drejtë dhe sa me shpejtë të përfundojë”, tha vajza e Krasniqit. Gresa Krasniqi thekson se sot ka emocione dhe ndjenja të përziera.

“Ndjenja të përziera, emocione të përziera, megjithatë jam shumë e lumtur që sot gjendem këtu në mesin e shumë bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme të Evropës që të bashkëndjejnë për ne dhe të mbështesin çlirimtarët për të cilët sot ka filluar gjykimi”, theksoi ajo.

Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasnqi e Rexhep Selimi kanë dalë sot para trupit gjykues në Hagë ku janë deklaruar te pafajshëm, ndërkohë që ndodhen në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020. Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë kryer krime lufte.

Ora 13:25
Gjyqi në Hagë, Prokurori: Të akuzuarit shënjestruan ‘tradhtarët’ dhe ‘kolaboracionistët’ gjatë luftës

1680521207_Screenshot3.jpg

Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, tha se qëllimi kryesor i të akuzuarve, që ai i quajti “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ishte shënjestrimi i kundërshtarëve të UÇK-së, që quheshin “tradhtarë dhe kolaboracionistë”.

“Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë keqpërdoreshin ose ngatërroheshin. Personat e etiketuar kështu ndaloheshin në mënyrë arbirtrare dhe në shumë raste keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme Katër të akuzuarit keqpërdoruan postin e Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.

Ai vazhdoi të paraqiste komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, dhe theksoi se komunikata e parë është lëshuar në nëntor të vitit 1994. Sipas tij, përmes komunikatave, UÇK-ja tregonte për sulmet, por edhe paralajmëronte ata që i konsideronte “tradhtarë” dhe “kolaboracionistë” dhe bënte thirrje për “vdekje tradhtarëve”.

Ora 12:16
Ambasadori gjerman në Kosovë: Në Hagë po gjykohen individë për krime të rënda, jo UÇK-ja

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i ka dhënë një mbështetje të fuqishme Gjykatës Speciale ndërsa ka përsëritur se “UÇK-ja nuk është në gjykim”. Rohde ka thënë se e kupton demonstratën e djeshme në Prishtinë, por megjithatë ka kundërshtuar pretendimet e shtruara aty.

“Nuk është UÇK-ja që po gjykohet, por individët që që po akuzohen për krime të rënda të luftës dhe krime kundër njerëzimit, për zhdukje të personave dhe torturës.”- thotë Rohde në fjalën e tij.

“Drejtësia për viktimat mbetet e rëndësishme – s’duhet të ketë pandëshkueshmëri për askënd. Gjykata Speciale e ka mbështetjen e plotë.” – u shpreh ambasadori.

 

Ora 11:23
Gjyqi në Hagë/ Prokuroria tregon akuzat ndaj krerëve të UÇK-së: Aktakuza përfshin mbi 100 vrasje

1680511214_Screenshot2.jpg

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, ka marrë fjalën i pari në nisjen e gjykimit ndaj krerëve të UÇK-së.

Whiting në fjalën e tij ka pretenduar se Thaçi dhe të tjerët akuzohen për qindra burgosje, tortura dhe për 100 vrasje.

Nacionale sjell një pjesë të fjalimit të Prokurorit të Specializuar pa ndërhyrje:

Kishte një anë të errët të udhëheqjes së tyre. Provat do të tregojnë se rolet e tyre, mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila vinte në shënjestër persona të cilët etiketoheshin si kolaboracoionistë dhe persona që thuhej se ishin kundërshtarë të UÇK-së. Ata që perceptoheshin si kundërshtarë përfshinin persona të lidhur me LDK-në dhe persona me përkatësi etnike serbe apo rome. Kjo politikë synonte burgosjen keqtrajtimin, torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve. Aktakuza përfshin me qindra burgosje në tërë Kosovën, dhe mbi 100 vrasje. Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës. Do të nevojitet paraqitja e provave e shumë copëza mozaiku, të siguruara nga vendndodhjet e ndryshme dhe dëshmitarët të cilët do të flasin për krimet dhe strukturën e UÇK-së. Krimet ishin të shumta, si në kohë ashtu edhe në gjeografi.

Ushtarët e UÇK-së mbanin emra të koduar, mbanin maskë. Pas lufte disa dëshmitarë dhe persona të dyshuar kanë pasur interes për të fshehur strukturën dhe rolin që ekzistonin gjatë luftës. Edhe pse kjo çështje gjyqësore do të vërtetojë me shumë copëza mozaiku, sjellje kriminale është mjaft e thjeshtë. Do ta dëgjoni gjatë deklaratës hyrëse se shtabi i përgjithshëm i UCK-së ku 4 të akuzuarit ishin më të rëndësishëm, përqafoi një politikë të shprehur shumë qartë: të shënjestrimit të kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve. Katër të akuzuarit u përfshin direkt në zbatimin e kësaj politike, përfshirë këtu duke caktuar mbikëqyrjen e komandandatëve që e vunë këtë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu vërtetë në jetë.

Që prej fillimit e deri në fund të luftës, në tërë Kosovën e disa pjesë të Shqipërisë, pati një praktikë shënjestrimi të kundërshtarëve nga katër të akuzuarit. Qëllimi kriminal i përbashkët nuk ishte aspakt i fshehur. Mesazhi përsëritej vazhdimishit se kush pretendoi që ishte tradhëtarë përfshirë edhe kundërshtarët politikë, përbënte rrezik kundër UÇK-së dhe Kosovës. Kur UÇK-ja burgoste njerëz, familjarët e këtyre të fundit kishin frikë se mos t’iu ndodhte gjë se e dinin që mund të keqtrajtoheshin. Që në verën e vituit 1998, ndërkombëtarët filluan të përballeshin me krerët e UÇK-së për burgosjen dhe keqtrajtimet. Edhe ata e dinin. Që atëherë disa prej ndërkombëtarëve e dinin se çfarë po ndodhte. Të akuzuarit nuk ndaluan, sepse kjo ishte politika dhe qëllimi i tyre dhe ata ishin angazhuar për këtë. E vetmja gjë që ndryshoi pasi ndërkombëtarët bënin pyetje, është se shtabi i përgjithshëm ishte më pak i hapur në mënyrën që e deklaronin politikën.

Përse e bën këtë? Përse i kryen këto krime? Provat do të tregojnë se arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë dhe pushtet edhe në Kosovë ndaj personave që që perceptoheshin si kundërshtarë të UCK-së. Mund t’i kenë kryer krimet edhe nga frika, frika se mos kauza e tyre do të zhbëhej apo minohej. Mund t’i kenë kryer edhe nga urrejtja apo hakmarrja për shkak të krimeve që kryheshin kundër tyre. Do të shihni se ndonjëherë komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm i mbronin dhe justifikonin veprimet e UÇK-së duke theksuar rrezikun që kanosej. Tek e fundit motivi i të akuzuarve, arsyeja pse i kryen krimet as nuk përbën element të veprave penale, dhe as nuk është argument mbrojtës.

Në kohë lufteje rreziku dhe intensiteti i konfliktit mund të bëj që përdorimi i mjeteve të paligjshme për përparimin e kauzës të ngjajë i domosdoshëm. Dhe këtu hyn në lojë ligji. Pikërsisht për këtë arsye kemi ligjet e luftës. Për të frenuar insintikte më të këqija që dalin në sipërfaqe në kohë lufte. Ja pse janë ligjet e luftës. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për ndalimin arbitrar të civilëve dhe personave të paangazhuar në luftime dhe për keqtrajtimin, torturimin dhe vrasjen e tyre. Kjo bie ndesh me ligjin. Për këtë arsye kemi ngritur këtë rast, për të vendosur se askush nuk qëndron mbi ligjin.

Për viktimat dhe familjet e tyre dëmi dhe trauma që kanë pësuar është diça me të cilën jetojnë çdo ditë. E mbajnë gjithmonë në supe. Viktimat kanë të drejtë të vihet në vend drejtësia.

Kjo çështje nuk kërkon të procedojë UÇK-në, dhe nuk i akuzon të gjithë anëtarët e saj. Nëse dikush e thotë këtë e ka gabim. Është e rreme. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Se kanë kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me këto apo krimet që ngrihet aktakuza. Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me çfarë kanë bërë këta të akuzuar. Me krimet që kanë kryer gjatë luftës. Një vështirësi është atmosfera e frikësimit të dëshmitarëve që ekziston në Kosovë. Është një pjesë e arsyes pse kjo gjykatë u vendos në Hagë. Frikësimi vijon edhe sot e kësaj dite. Nuk ka dyshim se kjo atmosferë do të jetë fort e pranishme në këtë gjykim. Dëshmitarëve do t’iu duhet guxim. Ajo që nuk mund të ndodhë është që frika apo frikësimi ta pengojnë arritjen e një rezultati. Kjo nuk ka për të ndodhur.

Thaçi erdhi disa herë në Hagë fshehurazi për të dhënë dëshmi. Disa herë ai mohoi rolin e tij gjatë luftës: pretendoi se shtabi i përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të vitit 1998, dhe pas kësaj date ekzistonte vetëm në letër. Ai mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat që paraqiten në këtë gjykim tregojnë se këto pretendime ishin të rreme. Ato bien ndesh me deklaratat që Thaçi ka dhënë më herët dhe nga provat e shumta që do të paraqiten në këtë gjykim.

Ora 11:23
Protesta në Hagë, gazetari për Report Tv: Ka thirrje se Gjykata speciale është e politizuar! Të pranishëm edhe familjarë të ish krerëve të UÇK

 

Me mijëra shqiptarë që jetojnë në vendet e Evropës, sidomos nga Holanda ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale, por edhe që kanë marrë rrugën nga Shqipëria dhe Kosova janë sot në Hagë në një protestë në mbështetje të ish komandantëve të UÇK që po gjykohen për krime lufte.

Burim Zariqi, gazetar nga Kosova që po e ndjek nga afër këtë protestë, në një lidhje me Report Tv nga Haga tha se thirrjet e protestuesve janë të tilla si ‘Gjykata Speciale është e politizuar’, ‘UÇK ka bërë luftë të drejtë për lirinë e Kosovës’ etj.

Sipas Zariqit në protestë është edhe djali i ish kryetarit të parlamentit Kadri Veseli

“Ka familjarë të tjerë të ish krerë të UÇK, bashkëluftarë, ish udhëheq të institucioneve.  Protesta do të zgjasë deri në orën 13:00”, tha gazetari i RTV21.

Ora 10:52
Prokuroria: Nuk po gjykohet UÇK-ja! Shumica e viktimave ishin shqiptarë

1680511227_Screenshot1.jpg

Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta, e jo me gjithë UÇK-në.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.

Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, ka nisur deklarimin e tij. Ai tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjitshëm.

Sipas tij, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, ata kanë "mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë", por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

"Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata", theksoi Whiting.

"Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve", shtoi ai.

Ora 10:07
VIDEO /Nis gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Krasniqi: S’jam dakord me akuzat, jam i pafajshëm

Ish-kreu i UÇK-së, Jakup Krasniqi në gjykatën e Hagës, ku edhe ka nisur gjyqi ndaj tyre, u shpreh se ai është plotësisht i pafajshëm.

‘E kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Skam asnjë lidhje me akuzat që lexoi prokuroja. Akuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet. Jam krejtësisht i pafajshëm.’- u shpreh Krasniqi.

Po ashtu edhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se është i pafajshëm. Edhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u shpreh se ‘Jam i pafajshëm, më keni mbajtur të arrestuar pa të drejtë!’.

‘Jam i pafajshëm për të gjitha akuzat!’- tha edhe Rexhep Selimi.

Ora 10:03
FOTOT/ Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi të pranishëm në sallën e gjyqit

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën gjyqësore.

Ora 09:57
Nis gjyqi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin

Ora 09:19
Memli Krasniqi publikon foto nga Haga: Ish-krerët e UÇK-së do dalin fitimtarë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka publikuar fotografi nga Haga, atje ku për pak çaste pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.  Krasniqi shkruan se beson në drejtësi dhe se ish-krerët do të dalin fitimtarë.

“Krenar për dinjitetin kombëtar që manifeston UÇK-ja, bashkë me Uranin e Abelardin, jam sot në Hagë për të ndjekur nga afër fillimin e procesit gjyqësor ndaj çlirimtarëve tanë. Duke besuar në drejtësi, jemi thellësisht të bindur se edhe në këtë betejë të fundit për të vërtetën e epokës së lavdishme të lirisë sonë, ata do të dalin fitimtarë.” – ka shkruar ai.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 03/04/2023 23:16

    Edhe ne deklaratat e Prokurorit mesa kuptohet akuzat nuk kane lidhje me luften e UÇK,por shikohen ne aspektin individual dhe nje lloj lufte per pushtet.(mjafton lufta NÇ ku si tradhetare dhe kolaborocioniste u vrare pas shpine,apo me ekzekutime pa gjyqe shume patriote),biles deri ne vitin 1960 ai kishte vrare apo burgosur te gjithe antaret qe krijuan PPSH ne 42. Ne kete aspekt nuk krahasohen kater luftetaret e UÇK ne luften NÇ te mesit viteve 40. Gjate periudhes 98-99 nen kaosin e luftes jane kryer shume vrasje edhe brenda organizatave kosovare qe luftonin per çlirimin e Kosoves, ndoshta edhe per mungese informacioni apo pervoje,ne lufte ka edhe gabime,trillime apo keqkuptime. Vrasja e A.Krasniqit ne Tirane ishte nje nder keto vrasje per motive qe akoma nuk jane sqaruar, thuhet qe u vra nga F Kerrnaja, nderkohe qe viktima gezonte respektin e elites kosovare. Tek e fundit lufta ka kostot e saj,por kryesorja eshte qe Kosova eshte e lire,e pa varur dhe demokratike. Me menyren si funksionon shteti dhe demokracia ne Kosove duhet te mesojme edhe ne ketu ne Shqiperi (jane shume para nesh pothuajse ne te gjithe aspektet e funksiomimit te shtetit). Nuk ka funksionare te pa prekshem, dhe duhet te mesojme se njerezit duhet te jene te gjithe te barabarte para ligjit.

    Përgjigju
  • Donkishoti: 03/04/2023 19:49

    Gjyqi ndaj kater krereve te UÇKS,eshte gjyq ndaj çdo udheheqesi qe lufton per lirine e pavarsine e vendit te tij.Ky gjyq ,eshte nje “thike pas shpine” nga te gjithe “aleatet” qe moren pjese ne ke te lufte dhe perkrahen luften per liri e pavarsi te popullit shqiptar te Kosoves.Ky gjyq verteton perfundimisht fallsitetin dhe standartin e dyfishte te drejtesise nderkombetare. Thuhet se eshte nje gjykate speciale e zgjedhur nga vete institucionet e Kosoves,por fakti i vendosjes se saj ne Hage dhe pjesmarrja e prokuroreve te huaj dhe e stafit te vet kesaj gjykate me te huaj,verteton kurthin e madh qe iu be Kosoves,per te perdhosur vlerat e UÇKS dhe luftes se drejte te popullit te Kosoves dhe krereve te saj.Ky qendrim ,kjo farse,eshte kryesisht veper e institucioneve te brishta te Europes,qe e kanalizuan kete gjykim pikerisht ne Hage dhe per ti dhene masa diskretitimi luftes se drejte te Kosoves,qe me shume se kushdo u perkrah nga Amerika dhe jo aq nga Europa.Kreret e UÇKS ,nuk duhej te trajtoheshin si kriminele,sepse gjykimi ka marre permasat e “krimeve si ne gjyqin e Nurembergut”. Eshte e trishte çfar shohim me syte tane sot ne mes te Europes,asaj Europe qe ne kemi enderruar ne çdo çast dhe qe na ka bindur ne vlerat e saj,por kjo qasje,ky standart ndaj nesh ,shqiptareve,nuk perputhet aspak ne realtet me vlerat perendimore qe promovohen.

    Përgjigju
  • Ceco me bicak: 03/04/2023 16:03

    Ndihmat nuk i japin as per Zhelenskin e as per Ukrainen. Amerika dhe NATO kane hallin e tyre se po hyri Rusia ne Ukraine hyri edhe ne Europe ndersa per Kosoven nuk ju kercet fare pavaresisht se hiqen sikur jane dashamires dhe mbrojtjes se saj.

    Përgjigju
  • Haka Tekizoti: 03/04/2023 15:53

    Prokuror idiot. Ata luftonin pë çlirimin e popullit të tyre nga nazistët serbë dhe prokurori i akuzon se kanë kryer krime për të fituar pushtet. Formulim më idiotesk se ky zor t'i shkojë ndërmend një njeriu normal. Të fitosh pushtet kur je duke luftuar për t'u çliruar prej një pushtuesi që synonte shfarosjen e popullit të pushtuar është një absurditet që mund të lindë nē kokën e atyre që urrejnë lirinë e popujve.

    Përgjigju
  • Arben: 03/04/2023 09:38

    Zelenskit po i jepet ndihme pa kufi per mbrojtjen e integritetit territorial te Ukraines. Po ketyre heronjve te Kosoves qe mbrojten integritetin territorial te vendit te tyre, perse po i behet gjyqi? Ishte Serbia ajo qe sulmoi Kosoven, jo e kunderta! Kur je ne mbrojtje te integritetit territorial besoj qe lejohen dhe tolerohen shume gjera. Se lufta e Kosoves ishte e ligjshme, kurse e Serbise e paligjshme.

    Përgjigju
    • emri: 03/04/2023 17:33

      Zelenski i zhduk kundershtaret e tij ukrainas sepse e quan veten ne lufte, dhe i konsideron me mendjen e ij bashkepunetore te ruseve, si ti vije per mbare. keto per te cilat keta akuzohen jane si karamelet e perditshme per idiotin e Ukraines. komplet standarte te dyfishta! Sa mire ata qe jane ruso amerikane dhe fshijne prapanicen me nje gjykate si ajo e hages.

  • GOLI: 03/04/2023 08:46

    SIÇ DUKET...FEUDALIZMI-PER TI ARITUR QELIMET E VETA MATERIALE...FARE SE ÇAN PER TI GJYKUAR TE PAFAJSHMIT....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?