TIRANË- Ka nisur këtë të mërkurë rinumërimin i plotë i të gjitha votave të qarkut Tiranë. Nga kutitë e hapura gjatë ditës së parë, rezulton se numëruesit e partive në asnjë rast nuk e kanë lexuar saktë vullnetin e zgjedhësve. Por, pavarësisht gabimeve të vogla që gjeti administrata e KQZ-së gjatë rinumërimit, asnjë e dhënë nuk është e përfillshme deri tani, as për të ndryshuar ndonjë mandat, e as për të ndryshuar listën e fituesve të kandidatëve.
Hapja e 85 kutive të para, kur kanë ngelur dhe 1200 për t'u hapur, tregoi se partitë që kanë pasur numërues, PS (32), PD (16) dhe PSD (8) kanë marrë vota shtesë padrejtësisht, ose në kurriz të partive të vogla (-5 KEA e Bashës, -3 Mundësia e Shehajt, -1 Lëvizja Atdheu), ose mes votave të pavlefshme. PD duket larg shanseve për t'i marrë një deputet Partisë Mundësia, përkundrazi, numërimi i ri tregoi se Agron Shehajt i ishin vjedhur vota.
SHIFRAT PËR PARTITË
Nga rinumërimi, deri më tani rezulton që nga numërimi i parë PD-ASHM kishte përfituar 19 vota më shumë, ndërsa PS 42 vota më shumë, PSD 7 vota më shumë dhe Lëvizja Bashkë 1 vota më pak. Nga 1 votë më shumë kishin përfituar edhe Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Partia Aleanca Demokracia e Re. Pas rinumërimit që bëri KQZ te pallati “Farie Hoti” në kryeqytet, i janë zbritur nga tabela e parë dhe llogariten si vota të pavlefshme, ose janë vota që janë marrë në kurriz të partive të tjera.
“Mundësia” që humbet mandatin e dytë nëse ka 177 vota më pak, nga rinumërimi deri tani ka përfituar 3 vota më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë. Ndërkohë, 5 vota më shumë përfiton edhe partia e Lulzim Bashës dhe nga 1 votë më shumë e marrin koalicioni i Enkelejd Alibeajt dhe Lëvizja Atdheu. Diferencat janë të papërfillshme dhe nuk ndryshojnë mandatet, ndërsa nesër në 09:00 do të rinisë sërish rinumërimi për kutitë e tjera.
SHIFRAT PËR KANDIDATËT
Sa i takon betejës së brendshme të partive, të dy kampet kanë trafikuar vota brenda familjes. Ilir Alimehmeti ishte ai që kërkoi t'i hapen kutitë, por i kanë vjedhur deri tani 4 vota, dhe rivales së tij Jorida Tabaku po ashtu i janë vjedhur 11 vota, duke mos e zbutur diferencën prej 2400 votash që kanë mes tyre.
Rrjedhja e votave ka prekur një numër të madh demokratësh në Tiranë. Rinumërimi tregon se kandidates Ilda Zhulali i ishin marrë 12 vota, të cilat iu pasqyruan në tabelë pas rinumërimit. Edhe Jorida Tabaku i shtohen 10 vota më shumë pas rinumërimit, Mhill Gecajt i shtohen 9 vota, Asllan Dogjanit 5 vota apo Dhurata Çupit 4 vota. Petrit Dodës i zbriten 7 vota, Petrit Gjorgjit i zbriten 16 vota, Arjan Hoxhës i zbriten 10 vota, apo Sali Shehut që i hiqen 9 vota.
Por, pa mëkat nuk janë as socialistët. Diferenca mes Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylametit u ngushtua nga 140 në 135 vota, por ish-ministrja ngelet fituese. Fenomeni i prekjes së votës ka prekur edhe ministrat kandidatë. Në tabelën e socialistëve bie në sy se Fatmir Xhafaj ka marrë 32 vota padrejtësisht nga numërimi i parë, apo Kejsi Elezi që kishte marrë 22 vota që sí takonin.
SA ZGJAT RINUMËRIMI?
Kutitë e hapura këtë të mërkurë i takojnë Kamzës. Vetëm për qarkun e Tiranës, procesi i rinumërimit sipas KQZ mund të zgjasë rreth 10 ditë, ku në total do të hapen 1282 kuti votimi ose rreth 400 mijë fletë votimi. Për Tiranën, nuk rinumërohen kutitë e diasporës dhe as Vora e njësia numër 10 ku në zgjedhjet e 11 majit u aplikua votimi elektronik.
Pas Tiranës, do rinumërohen 587 kuti të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora). Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja. I gjithë procesi do të vijojë për gati 1 muaj.
Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit
Kurse nga rinumërimi i 11 kutive të para për kandidatët brenda partive, në PS rezulton se deri në orën 13:00, Blerina Gjylametit deri tani nuk i ka ndryshuar rezultati, kurse Olta Xhaçka dhe Fatmir Xhafaj dalin me 1 dhe 7 vota tepër.
Orlando Rakipit dhe Blendi Gonxhes rezulton se u janë hequr respektivisht 2 dhe 1 votë. Teksa Kejsi Elezi me 2 vota të shtuara, ministrja Anila denaj me 3 vota dhe ministri Ervin Hoxha me 1 votë të shtuar.
Në PD konfirmohet edhe një herë devijimi masiv i votës preferenciale brenda partisë, teksa në 11 kuti të rinumëruara Jorida Tabakut i janë hequr 6 vota në numërimin e parë dhe i janë shtuar në tabelë aktualisht. Po kështu Asllan Dogjanit i janë hequr në numërimin e parë në këto 7 kuti plotë 11 vota dhe Mhill gecajt 19 vota, që duket se kanë shkuar te kandidatët e tjerë.
Edhe Elton Roshi, kushëriri i ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, ka dël i fituar nga numërimi i parë në këto 11 kuti, pasi ka fituar 2 vota më shumë, sikurse edhe Sali Shehu me 4 vota.
Tabela momentale e rinumërimit për Tiranën në 11 kutitë e para
Ka nisur procesi i rinumërimit të 1282 kutive të qarkut të Tiranës, vendim i marrë me iniciativë nga dy anëtarët e PD-së në KAS.
Nga rinumërimi i 13 kutive të para, deri në orën 12:30 të ditës së sotme (18 qershor) rezulton se Partisë Demokratike nuk i janë llogaritur 4 vota gjatë procesit të numërimit më 11 maj dhe pas këtij rinumërimi i janë shtuar në tabelën e rezultateve. Nga 2254 vota që kishin këto 13 kuti në numërimin e parë, tani PD-së i njihen 2258, ose 4 më shumë.
Ajo që ka dalë më e fituar deri tani duket se është PS, teksa në 13 kutitë e para rezulton se ka përfituar 17 vota më shumë, të cilat pas rinumërimit që po bën KQZ te pallati “Farie Hoti” në kryeqytet, i janë zbritur nga tabela e parë.
Edhe Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës rezulton se i janë hequr 3 vota padrejtësisht në numërimin e parë, të cilat iu shtuan në rinumërim pas 13 kutive të para. Edhe Mundësisë së Agron Shehajt dhe Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit, gjithashtu i janë shtuar nga një votë secilës nga ky rinumërim.
Në momentet e para, kur procesi kishte 7 kuti të rinumëruara, ra në sy fakti se të gjitha këto parti më sipër, përfshi edhe PS-në, ishin ‘vjedhur’ nga komisionerët, që praktikisht dukej si një gabim njerëzor. Ajo që vihet re në këtë rinumërim është fakti se ka qartë gabime komisionerësh në të gjitha krahët.
Në pallatin e sportit “Farie Hoti” po rinumërohen votat për të gjithë qarkun e Tiranës. Disa prej kandidatëve po ndjekin nga afër procesin, si Asllan Dogjani, Ilir Alimehmeti një prej më të votuarve nga PD në këtë qark, por që nuk e fitoi mandatin, si edhe kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj e kandidati i tij Erald Kapri. Deri më tani, nuk ka asnjë kandidat nga PS që të ndjekë procesin.
Komente
