Në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen, zhvillohet sot Samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropian, ku marrin pjesë udhëheqës nga gjithë Evropa. Të pranishëm do jenë liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, si dhe 22 vendeve të tjera, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
BE-ja do të përfaqësohet nga Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian, i cili do të bashkëkryesojë takimin kryeministren daneze, Mette Frederiksen.
Diskutimi do të fokusohet në forcimin e Ukrainës, situatën e sigurisë në Evropë dhe mënyrat për të përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit në një kontekst gjeopolitik sfidues. Pas seancës plenare, do të zhvillohen diskutime në tryeza të rrumbullakëta mbi kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin.
Në orën 08:15, pritet të nisë mbërritja e liderëve, në 10:00 hapja e seancës plenare, në 11:30 është parashikuar fotoja familjare, ndërsa më pas do të mbahen tryeza të rrumbullakëta dhe takime dypalëshe. Seanca përmbyllëse do të mbahet në orën 15:00.
Samiti vjen një ditë pas takimit joformal të Këshillit Evropian, i cili gjithashtu kishte në fokus situatën në Ukrainë dhe mbrojtjen evropiane. Pas diskutimeve të djeshme, udhëheqësit morën pjesë në një darkë të organizuar nga Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Margrethe II në Pallatin Amalienborg.
Ky takim i Komunitetit Politik Evropian pason samitin e gjashtë që u mbajt më 16 maj në Tiranë, me temën "Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët".
Programi i samitit
Komente
