Një ditë pasi kremtoi 25-vjetorin e krijimit, institucioni i Avokatit të Popullit u rikthye të jetë ‘mollë sherri’ në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën e parafundit të kësaj legjislature Partia Demokratike kërkoi që në rend të ditës të futej urgjent votimi i Avokatit të ri të Popullit duke kërkuar që të votohej emri i saj, Besim Ndregjoni.
“Problemi i Avokatit të Popullit është një problem që shtyhet prej një viti. Kreu juaj Ramaduro nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter dhe e nderon atë detyra. Ju kërkoni të imponoheni, përmes përjashtimeve pa asnjë kriter, kandidaturat e opozitës. Për ju kandidatura nuk pranohet vetëm se ka persekutim dhe burgosje politike. Z. Ndregjoni i plotëson të gjitha kriteret. Hajde ta votojmë dhe ta mbyllim këtë punë”, tha Berisha.
Për mazhorancën, e drejta që vjen nga tradita e opozitës për të propozuar emrin për Avokat të Popullit do të respektohet por kjo duhet të vijë pas një procesi.
“Ju nuk mund të vini, o ky o ramë e vdiqëm. Peleshi në mënyrë të përsëritur, Çuçi dhe unë u kemi thënë ejani të ndërtojmë një proces. Ju mund të sillni 4 kandidatura, hiqen 2 me propozim të mazhorancës dhe shkohet me dy kandidaturat e mbetur për t’u votuar. Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota, në këtë legjislaturë nuk janë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni”, tha Balla.
“Të rinisim një proces, emri të vijë nga opozita siç është tradita. Tani jemi pas zgjedhjeve ta rimarrim, ta vazhdojmë. Nëse kemi kohë ta bëjmë brenda kësaj legjislature. Por ka mbetur edhe një seancë dhe duket se do ta rimarrim në shtator”, tha Peleshi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi dhe deputeti Dashnor Sula ngritën si problematikë shtyrjen e raportimeve të institucioneve të drejtësisë në Kuvend. Bardhi tha se ky vendim është një shkelje e Kushtetutës. Por kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se shkak është bërë mosprezenca e deputetëve.
“Duhet të vijohet me kalendarin e raportimeve të institucioneve të pavarura. Duhet të vijnë në Kuvend, dhe të ketë mundësinë për të lëshuar rekomandime për përmirësimin e punës së tyre. S’mund të mbyllni kuvendin për llogaridhënien e tyre. Vendimi juaj është shkelje flagrante e kushtetutës dhe të afateve që përcakton rregulloja e kuvendit.”, tha Bardhi.
“Ka qenë në pamundësi të drejtuesve të komisioneve për t’i përfshirë në dëgjesë për shkak të prezencës së deputetëve dhe të tjerave çështje.”, replikoi Spiropali.
Kërkesa për shumicë të cilësuar prej 84 votash për të votuar Avokatin e Popullit e ka mbajtur peng zgjedhjen e titullarit të këtij institucioni kyç kushtetues që prej 3 vitesh. Në shkurt, kur Partia Demokratike kishte sjellë disa emra por që insistonte që ish i përndjekuri politik Besim Ndregjoni të ishte Avokati i ri i Popullit, duke mos gjetur konsensusin për emrin mazhoranca dhe opozita ranë dakord që të shtyjnë për një kohë të pacaktuar votimin. Erinda Ballanca qëndron në detyrë, edhe pse mandati 5-vjeçar i ka mbaruar që prej qershorit të vitit 2022.
Në rend të ditës janë një sërë projektligjesh, mes të cilëve ndryshimet në ligjin e sportit, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH, si dhe ndryshimet për strukturën dhe klasifikimin e pagave të personelit pranë KQZ.
Kliko këtu për të lexuar rendin e ditës
Lajm ne perditesim...
Teksa Sali Berisha mori fjalën në Kuvend, nisi me akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës duke iu referuar si partia e krimit. Por në moment ndërhyri kryeparlamentarja Elisa Spiropali duke i thënë që të ketë kujdes me fjalorin. Kreu i Partisë Demokratike i tha se do të ruajë pozitën që mban si kryetare e Kuvendit.
Pjesë nga diskutimi:
Sali Berisha: Sot kreu i partisë së krimit mori..
Elisa Spiropali: Ju tërheq vëmendjen për fjalorin. Nuk është partia e krimit, por PS e Shqipërisë. Do t'ju jap vërejtje herën tjetër.
Sali Berisha: Do të ruash vendin.
Elisa Spiropali: Sigurisht do të ruaj vendin por ju lutem moderoni fjalorin.
Berisha: Kreu i partisë së krimit mori epitetin më të në fund më të merituar si Ramaduro i Evropës.
Deputeti Dash Sula shprehu gjithashtu kritika për shtyrjen e raportimeve të institucioneve të pavarura për në shtator. Ai tha se arsyeja pse shtyhen është për shkak të personave që janë në konflikt interesi me institucionet e drejtësisë, kryesisht SPAK.
"Zonja kryetare, ju tërheq vëmendjen shumë sinqerisht për qasjen tuaj në raport me institucionet e pavarura e pafalshme të shkelësh kushtetutën dhe rregulloren e kuvendit, ku thuhet se institucionet e pavarura jo më vonë sesa qershori i vitit pasardhës të raportojë në Kuvend hde të miratojë rezolutat e tyre, është antikushtetuese që kuvendi i ri të marrë në shqyrtim raportimin e institucioneve të pavarura në komisionet parlamentare. Pse ndodh kjo? Arsyeja është se në komisione ka persona që kanë konflikt interesi me institucionet e pavarura. Kjo shmangie është e qëllimshme. Po aludohet se keni konsultë me qytetarët për këto raporte, nuk ka ndodhur kurrë. Pse sot në këtë sesion të fundit po ndodh një praktikë e tillë. Ka qëllimshmëri për të shmangur, sidomos SPAK. “, u shpreh ai.
Ministri Taulant Balla i përgjigjet opozitës e cila kërkon votim për kandidaturën e Avokatit të Popullit. Balla tha se nuk ka pasur konsensus dhe theksoi se nuk mund të vijnë në senacë të kërkojnë një emër me këmbëngulje, por duhet të ulen dhe të ndërtojnë një proces.
“Nuk shkruhet asgjëkund që avokati i popullit i takon opozitës, por ka një rregull të pashkruar që e kemi respektuar gjithmonë, vetëm në një rast të vetëm që erdhi për pasojë të një marrëveshje politike më 17 maj 2017. Opozita ka pasur ekskluzivitietin e propozimit të një emri. Në të gjitha rastet e tjera ka pasur një proces, modeli më i mirë ka qenë ai i vitit 2012, kur grupi i PS në opozitë në atë kohë, jap një proces të hapur ku konkurruan një numër i konsiderueshëm kandidatësh dhe ka patur konsultim me grupin e mazhorancës për të rënë dakord me emrin. Ju nuk mund të vini, o ky o ramë e vdiqëm. Peleshi në mënyrë të përsëritur, Çuçi dhe unë u kemi thënë ejani të ndërtojmë një proces. Ju mund të sillni 4 kandidatura, hiqen 2 me propozim të mazhorancës dhe shkohet me dy kandidaturat e mbetur për t’u votuar. Mos harroni asnjëherë që kërkohen 84 vota, në këtë legjislaturë nuk janë. Nuk keni dashur vetë ta zgjidhni”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi iu përgjigj kërkesës së deputetit demokrat Flamur Noka për të përfshirë në rend dite votimin e kandidaturave për Avokatin e Popullit. Noka tha se kanë kaluar në kuvend të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare dhe se do të duhej të ishte përfshirë në rendin e ditës.
Por Peleshi theksoi se ka ngelur vetëm një seancë dhe më e mundshme është që të shtyhet për në shtator.
“Unë kam kërkuar që të bëjmë një proces, si gjithmonë në zgjedhjet e krerëve të institucioneve të pavarura. Të ulemi dhe të dëgjojmë propozimet e opozitës, duke respektuar edhe traditën e propozimeve që vijnë nga opozita pro maxhoranca para se të votojë ka të drejtën të njihet me të gjithë, të bëhet një diskutim dhe të arrihet në dakordësi paraprakisht. Të gjithë propozimet e ardhura, që kanë kaluar procesin deri në komisione, janë propozuar nga opozita, dhe duhet të zhvillonim bisedime. Kam bërë një bisedë me Nokën në një nga seancat, e lamë që ta rimarrim këtë temë pas zgjedhjeve. Por besoj se ka ngelur një seancë dhe duket më e mundshme të vazhdojmë në shtator. Gjithsesi ne nuk kemi kundërshtim të vazhdojmë procesin e përmbylljes së zgjedhjes së Avokatit të Popullit.", tha Peleshi.
Sali Berisha thotë në Kuvend se kryeministri Edi Rama nuk pranon kandidaturën e opozitës për Avokatin e Popullit.
“Ramaduro nuk pranon kandidaturën që paraqet opozita, ndonëse ai plotëson çdo kriter. Rregulli ka qenë që avokati propozohet nga opozita dhe ju kërkoni të impononi përmes përjashtimeve pa asnjë kriter të kandidaturave që paraqet opozita, ti impononi kandidaturën. Për ju nuk pranohet vetëm se ka vitet e persekutimit dhe burgosjes politike. Hajde ta votojmë e ta mbyllim këtë punë, është institucione që duhet të plotësohet me drejtuesin e tij”, tha Berisha.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në nisje të seancës plenare, tha se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën me shtyrjen e raportimit të institucioneve të pavarura për në legjislaturën e re.
“Konferenca e kryetarëve miratoi kalendarin e raportimeve të institucioneve kushtetuese përfshirë të drejtësisë në mënyrë të pakonsultuar dhe pa dhënë shpjegim, kuvendi dhe komisionet kanë anuluar raportimin e institucioneve të pavarura në kuvend, duke e shtyrë në legjislaturën tjetër. Ne pas datës 8 korrik nuk miratojmë dot ligje por s’na ndalon dot kushtetuta që kuvendi të vijonte punën me dëgjesat e institucioneve të pavarura.
Duhet të vijohet me kalendarin e raportimeve të institucioneve të pavarura. Duhet të vijnë në Kuvend, dhe të ketë mundësinë për të lëshuar rekomandime për përmirësimin e punës së tyre. S’mund të mbyllni kuvendin për llogaridhënien e tyre. Vendimi juaj është shkelje flagrante e kushtetutës dhe të afateve që përcakton rregulloja e kuvendit.”, tha Bardhi.
Komente
