30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, Kim: Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne! Basha: Bashkë që dekada e re të jetë e konsolidimit të demokracisë

15 Mars 2021, 09:37| Përditesimi: 15 Mars 2021, 16:31

  • Share

Sot shënohen 30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis ShBA dhe Shqipërisë. Më 15 mars 1991 pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh.

Ambasada e SHBA në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i ngarkuar me punë dhe i pasuar nga ambasadori i SHBA Uilliam Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.

Më 11 qershor 1991, ish-Sekretari i Shtetit Xheims A. Bejker III ishte zyrtari i parë i nivelit të lartë i SHBA, që vizitonte Shqipërinë pas periudhës së gjatë të izolimit të vendit. Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë përparuar e janë rritur.

Për 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis ShBA dhe Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar letër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Nancy Pelosi, së cilës i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë.

Në këtë ditë të rëndësishme për dy vendet edhe ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim ka shprehur urimet e saja, duke kujtuar një deklaratë të të sekretarit të SHBA-së Baker kur ka vizituar Shqipërinë në 1991 “ Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, të cilën e ka mbështetur.

Ministrja e Jashtme ka uruar gjithashtu 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, teksa theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve ka ndikuar veçanërisht në transformimin e Shqipërisë.

Nuk ka munguar as urimi i kryedemokratit Lulzim Basa i cili shprehu mirënjohjen ndaj SHBA dhe mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë.

Sipas kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA para 30 vitesh, ishte garancia më e madhe dhe jetike se komunizmi nuk do të kthehej kurrë në Shqipëri dhe se rruga e demokracisë do të ishte pa kthim.

Ora 16:29
30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Balla publikon videon nga vizita e ish-Sekretarit Amerikan në Tiranë

Sot shënohet 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA, ku kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka kujtuar këtë përmes një video nga vizita e ish-Sekretari Amerikan të Shtetit, James Baker, i cili vizitoi Tiranën, 100 ditë pasi u rivendosën marrëdhëniet Shqipëri-SHBA më 15 mars 1991.

Balla shkruan se sot është dita t’i shprehim mirënjohjen popullit të SHBA dhe të gjitha qeverive amerikane në këto 30 vite për politikën e tyre konstante në mbështetje të rrugës europiane të Shqipërisë, forcimit të shtetit ligjor dhe promovimit te vlerave të lirisë e demokracisë ndërsa thekson se deklarata e Baker “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”, është vërtetimi i marrëdhënieve sot.

“15 Mars 1991, Shqipëria rivendoste marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitonte Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës sonë me SHBA, të cilën Sekretari Baker do ta përkufizonte:“NE JEMI ME JU, JU JENI ME NE”.

Sot është dita t’i shprehim mirënjohjen popullit të SHBA dhe të gjitha qeverive amerikane në këto 30 vite për politikën e tyre konstante në mbështetje të rrugës europiane të Shqipërisë, forcimit të shtetit ligjor dhe promovimit te vlerave të lirisë e demokracisë.

Pa mbështetjen e SHBA Reforma në Drejtësi nuk do të ishte sot në këtë stad të implementimit të saj dhe se rezultatet e deritanishme janë tejet pozitive. Kundërshtarët e Reformës në Drejtësi e gjejnë përgjigjen në fjalën e mbajtur nga Sekretari Baker në Kuvendin e Shqipërisë më 22 Qershor 1991: “Ashtu siç nuk ka më kthim mbrapa në rrugën e Shqipërisë së re, nuk ka vend përgjatë asaj rruge për dhunën, nuk ka vend për kërcënimin dhe nuk ka vend për përdorimin e forcës”, shkruan Balla.

 

Ora 15:16
30 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve, Kryemadhi: Aleanca jonë strategjike me SHBA themeli i ecjes përpara të një Shqipërie ku duhet të sundojë shteti i së drejtës

Në kuadër të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHB, ka shprehur urimin e saj edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Ajo shkruan se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA para 30 vitesh, ishte garancia më e madhe dhe jetike se komunizmi nuk do të kthehej kurrë në Shqipëri dhe se rruga e demokracisë do të ishte pa kthim.

“Çdo shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë do t’i jetë mirënjohës përjetë SHBA-ve, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm për çlirimin dhe pavarësimin e saj.”, shkruan kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi u shpreh se aleanca e Shqipërisë me SHBA është themeli i ecjes përpara të një Shqipërie ku duhet të sundojë shteti i së drejtës, ku mbrohet demokracia, vota e lirë dhe liritë e të drejtat e qytetarëve dhe që ecën drejt një të ardhmeje të prosperuar ekonomike.

 

Ora 13:39
30 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve, DASH: Festojmë zgjedhjen strategjike të popullit shqiptar për të përqafuar demokracinë

1615811622_unnamed.png

Në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka ardhur edhe një mesazh nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Zëdhënësi i DASH, Ned Price, e cilëson si një zgjedhje strategjike të popullit shqiptar për të përqafuar demokracinë partneritetin me SHBA.

"Sot ne shënojmë 30 vjetorin e rivendosjes së lidhjeve diplomatike SHBA-Shqipëri. Ne festojmë zgjedhjen strategjike të popullit shqiptar për të përqafuar demokracinë dhe partneritetin e fortë që kemi ndërtuar. Ne shpresojmë se çfarë mund të arrijmë së bashku duke shkuar përpara", ka thënë ai.

 

Ora 12:39
30 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve, Basha: Mirënjohje SHBA për mbështetjen, do të punojmë së bashku që dekada e re të jetë e konsolidimit të demokracisë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka kujtuar 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve dilomatike mes Shqipërisë dhe SHBA.

Ai shkruan se kjo është një mundësi e mirë për çdo shqiptar, të ndihet krenar për arritjet e mëdha të vendin tonë me mbështetjen e SHBA dhe veçanërisht anëtarësimin e saj në NATO dhe pavarësinë e Kosovës.

Basha shton se duhet të punojmë së bashku me partnerin tonë strategjik, SHBA, që dekada e re të jetë dekada e konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe e mirëqenies së gjithë shqiptarëve.

Ora 12:37
30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Xhaçka: Partneriteti Shqipëri-SHBA, më i fortë se kurrë


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka përkujtuar 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve gjatë këtyre viteve, teksa theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve ka ndikuar veçanërisht në transformimin e Shqipërisë.

"Partneriteti ynë strategjik, i cili është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së vërtetë dhe vlerave të përbashkëta mes popujve tanë, është tani më i fortë se kurrë", shkruan ministrja në rrjetet sociale.

Ora 12:23
30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Yuri Kim kujton dhe mbështet deklaratën e Baker: Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne, gëzuar

Në kuadër të 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së ka reaguar edhe ambasadorja e Yuri Kim.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Twitter, se me rivendosjen e marrëdhënieve, kemi rilidhur zyrtarisht njerëzit e dy vendeve tona.

Kim ka kujtuar edhe një deklaratë të sekretarit të SHBA-së Baker kur ka vizituar Shqipërinë në 1991 “ Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, duke e mbështetur atë dhe duke thënë se do të jetë gjithmonë e vërtet.

Postimi i plotë i Yuri Kim në Twitter:

“Më 15 Mars 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën marrëdhëniet, duke rilidhur zyrtarisht njerëzit e dy vendeve tona. Kur Sekretari i Shtetit Baker erdhi në Shqipëri, ai deklaroi: “Ne jemi me ju, dhe ju jeni me ne!” Kjo deklaratë mbetet e vërtetë sot. Do të jetë gjithmonë e vërtetë. Gëzuar!”

Ora 11:11
30 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve, mesazhi i ambasadorit të parë të SHBA në Tiranë, Rayerson: Shqipëria është në rrugën e duhur

Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë, ambasada e SHBA në Tiranë ka zgjedhur të përshëndesë me mesazhin e ambasadorit të parë amerikan në vendin tonë, Rayerson.

Ai thotë se Shqipëria është në rrugën e duhur. 

Mesazhi i plotë i ish-ambasadorit:

 Teksa festojmë 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike është mirë të kujtojmë veprimet e ndërmarra nga zyra në të dyja vendet tona, tolat bënë atë të mundur. Ndërsa Shqipëria nisi të dilte nga makthi i saj kriminal i vetëizolimit stalinist, njerëz të guximshëm atje lëvizën për të bërë atë rilidhje të mundur. Po ashtu, në Shtete e Bashkua, zyrtarë të mençur në Departamentin e Shtetit dhe vende të tjera të administratës sonë, vendosën të lenë menjë anë dekada të tera fyerjesh të drejtuara ndaj nesh, dhe gjithashtu të shfrytëzonim hapësirën. Shërbimi shqiptarë i Zërit të Amerikës luajti një rol kritik, qoftë në përcjelljen e informacionit të saktë në Shqipëri, ashtu edhe në monitorimin e zhvillimeve atje dhe ndarjen e atij informacioni me Uashingtonin. Ekipi i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjedhjeve të para pluraliste, në mars 1991,. Unë mbërrita në prill, me qëllimin për të ndenjur një apo dy muaj, derisa stafi i përhershëm i Ambasadës të zgjidhej dhe të caktohej. Ditën e nesërme pas ardhjes sime, shkova për një takim kortezie në Ministrinë e Jashtme. Kur atje më thanë se nuk do të lejohesha të ndiqja seancën Parlamentare, unë protestova. Kur kjo nuk pati efekt, i thash bashkëbiseduesit tim se qeveria ime protestonte. Sërish, nuk pati efekt të menjëhershëm. Megjithatë, mëngjesin e nesërm, mora një telefonatë e cila më njoftonte se mund të merrja pjesë dhe mund të edhe përkthyes tim me vete, Arrita në përfundimin se aty ku mund të kishte ndopak rezistencë do ia vlente të shtyja për ta kapërcyer. Gjatë kohës sime, gjatë fillimit të kohës sime, teksa punonim në një dhomë hoteli, unë u bëra dëshmitarë i mirëpritjes së jashtëzakonshme që iu bë Sekretari Baker gjatë vizitës së tij në qershor të 1991-it. Edhe pse shërbeva deri në tetor 1994-ës, pas dhjetorit 1991 me titullin Ambasador, një nga momentet me domethënëse ndodhi gjatë vizitës së Beker. Teksa Sekretari po fliste, unë po qëndroja, siç duhej, pranë makinave të autokolonës, pas një polici të gjatë dhe të vrazhdë. Ndërsa Baker tha “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, pash një lot të rrëshqas në faqen e atij polici. Shqiptarët, rreth 10% e popullatës së vendit, ishte atë ditë në sheshi Skënderbej për të përshëndetur ardhjen e tij. Ata treguan vetë se më në fund mund të mblidheshin për diçka të e cila besonin, në vend që të dilnin të urdhëruar nga autoritete vendase. Ndikimi politik i kësaj ishte mahnitës. Pati shumë ndryshim në Shqipëri gjatë tri vitesh e gjysmë të mia aty, pjesa më e madhe e të cilave por jo të gjitha, ishin për mirë. Katërqind vjet e pushtuar dhe gjysmë shekulli vetë-izolim duan shumë punë për t’u zhbërë, Demokracia, përfshitë dhe tonën, janë gjithnjë punë në zhvillim. Nuk pati kurrë një dyshim se të dyja vendet tona ndanë të njëjta shpresa për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, në paqe me fqinjët e saj. Në shumë biseda me figura politike në Tiranë, ishte e qartë se interesat e SHBA dhe Shqipëri nuk përplasen në asnjë pike. I kam ndjekur zhvillimet në Shqipëri prej daljes sime në pension dhe nga sa shoh vazhdoj të jem i bindur se Shqipëria është në rrugën e duhur. Pengesa, përfshirë dhe fatkeqësinë natyrore, është e pashmangshme që ndodhin. Po unë jam i sigurt se falë bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm e reciprok, ato do të kapërcehen. Uroj suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë drejtë demokracisë. Mirë u dëgjofshim! 

Ora 09:46
30 vite nga rivendosja e marrëdhënieve, Ruçi letër Pelosit: Aleanca, miqësia dhe besnikëria me SHBA  e ka bërë Shqipërinë një vend të madh  

Me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis ShBA dhe Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Nancy Pelosi.

Në letrën e tij, Ruçi i shpreh Pelosit mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë.

"Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, demokracinë më të madhe dhe më të fuqishme të të gjitha kohrave, është për Shqipërinë një arritje dhe një stimul i fuqishëm drejt zhvillimit, mirëqenies, demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të  njeriut, si edhe rritjes së kontributit për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë.

Shqiptarët, sa herë që kanë qenë të lirë të vendosin për fatet e tyre, i kanë bashkuar ato me kauzat e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mbrojtësi dhe garanti më i fuqishëm i lirisë, stabilitetit dhe paqes për të gjithë vendet dhe të gjithë popujt e botës.

Miqësia shqiptaro-amerikane ka një histori të gjatë.

Shtetet e Bashkuara mirëpritën e mbështetën emigrantët shqiptarë prej fillimit të shekullit të kaluar dhe prej kësaj mbështetjeje Diaspora shqiptare në Amerikë u fuqizua, kontribuoi dhe po vazhdon  edhe sot e kësaj dite të mbështesë zhvillimin, mirëqenien, demokratizimin dhe integrimin e Shqipërisë.

Ishte Presidenti Ëodrooë Ëilson që ndali projektin për copëtimin e Shqipërisë, në vitet e para të Shqipërisë së pavarur.

Aleanca, partneriteti, miqësia dhe besnikëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm na ka mbrojtur, por edhe ka shumëfishuar ritmet, zhvillimin dhe rolin e kontributin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, përkundrejt kufizimeve të natyrshme të një vendi të vogël.

Këtë mbështetje ne e ndjemë edhe gjatë tridhjetë viteve të fundit, kur Shqipëria, iu bashkua valës së tretë të proceseve demokratizuese globale për ta shndërruar demokracinë nga një ideal në një realitet, nën lidershipin e pagabueshëm të Shteteve të Bashkuara.

Këtë mbështetje e ndjemë edhe kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën luftën për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit më të ri në Europë, Republikës së Kosovës.

Mbështetja e Shteteve të  Bashkuara është edhe sot frymëzimi dhe siguria më e madhe e thellimit të reformave të mëdha në zhvillimin e vendit, rindërtimin e sistemit të drejtësisë, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e proceseve integruese, si anëtare e NATO-s dhe drejt negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, Kuvendi i Shqipërisë ka qenë interpret i aspiratave të shqiptarëve, i dashurisë, miqësisë dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin dhe mikun më të madh të shqiptarëve në të gjitha kohërat. Këtë mision Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të kryejë edhe në vitet e dekadat që vijnë.

Shpreh bindjen se bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të rritet e zgjerohet në vitet që vijnë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?