Bota

Hegseth drejtuar gjeneralëve të SHBA: Detyra jonë është të përgatitemi për luftë dhe ta fitojmë atë! Mjaft me ushtarakë të shëndoshë dhe me mjekra

30 Shtator, 13:38| Përditesimi: 30 Shtator, 20:26

  • Share

«Detyra jonë është të përgatitemi për luftë. Dhe ta fitojmë atë».

Kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, u dha sot një sinjal të qartë qindra gjeneralëve amerikanë që ai thirri disa ditë më parë për një takim krejtësisht të pazakontë në bazën e Marinsave në Quantico, Virxhinia.

«Paqe përmes luftës», shtoi sekretari duke folur për një «moment vendimtar»: «Epoka e Departamentit të Mbrojtjes ka marrë fund. Mirë se vini në Departamentin e Luftës», shtoi ai, duke kujtuar ndryshimin e emrit të Pentagonit, i cili u bë realitet falë një urdhri ekzekutiv të presidentit amerikan në fillim të shtatorit.

«Liderë politikë të pamend dhe të papërgjegjshëm e kanë vendosur busullën gabim dhe ne kemi humbur rrugën. U bëmë “departamenti woke”. Duhet të fshijmë dekada rënieje. Për shumë kohë kemi promovuar drejtues për arsye të gabuara: sipas racës, kuotave gjinore, të ashtuquajturave përparësi historike», tha ai. «Tani duhet të pastrojmë rrënojat. Po i japim fund luftës kundër ushtarëve».

Hegseth njoftoi se menjëherë do të hyjnë në fuqi direktiva «neutraliteti gjinor»: trupave do t’u imponohen standarde përgatitjeje mashkullore, pavarësisht gjinisë së tyre.

«Nuk bëhet fjalë për të penguar gratë të shërbejnë. Ne e vlerësojmë shumë ndikimin e grave ushtarake. Tonat janë absolutisht më të mirat në botë. Por kur flitet për punë që kërkojnë forcë fizike për të dhënë rezultate në betejë, standardet fizike duhet të jenë të larta dhe neutrale nga pikëpamja gjinore. Nëse gratë mund të shkëlqejnë, aq më mirë. Nëse jo, le të jetë kështu. Nëse kjo do të thotë që asnjë grua nuk kualifikohet për betejë, le të ndodhë. Nuk është synimi, por mund të jetë rezultati. Kjo do të thotë gjithashtu se edhe burrat e dobët nuk do të shërbejnë në betejë, sepse nuk po bëjmë lojëra. Këtu bëhet fjalë për jetë a vdekje».

«Epoka e lidershipit “politikisht korrekt”, e kujdesshme për të mos lënduar ndjenjat e askujt, mbaron këtu dhe në çdo nivel. Kjo administratë ka bërë shumë që nga dita e parë për të hequr dorë nga korrektësia politike dhe nga mbeturinat ideologjike toksike që kishin infektuar departamentin tonë. Nuk ka më muaj “identiteti”, zyra DEI (Diversitet, Barazi dhe Përfshirje), nuk ka më adhurim të ndryshimeve klimatike, ndarje, shpërqendrime apo iluzione gjinore. Kemi mbyllur punë me këtë m**dër».

«Mjaft» edhe – shtoi ai – «me mjekrat, flokët e gjatë dhe sipërfaqësitë në shprehjen individuale. Nuk mund të kemi «një ushtri plot me paganë nordikë». Është krejtësisht e papranueshme të shohësh gjeneralë e admiralë të shëndoshë në korridoret e Pentagonit në krye të komandave në gjithë vendin, në botë. Është pamje e shëmtuar, dhe nuk pasqyron atë që jemi».

Atij që nuk e aprovon këtë qasje, Hegseth i këshilloi të «bëjnë gjënë më të ndershme: të japin dorëheqjen».

Presidenti Trump pritet të flasë së shpejti me ushtarakët: përpara se të mbërrinte, ai tha se – nëse do të takojë gjeneralë që nuk i pëlqejnë – «do t’i pushoj nga puna menjëherë».

Takimi me qindra ushtarakë të lartë amerikanë – përmasat dhe motivet e tij – është diçka krejtësisht e pazakontë; shumëkush, në prag, kishte frikë se ai paralajmëronte shkurtimet e forcave të armatosura (në maj Hegseth kishte thënë se krerët ushtarakë duhet të reduktohen «minimumi» me 20% dhe se duhen «hequr» rreth 100 gjeneralë e admiralë nga afërsisht 800 që ka SHBA, si dhe dhjetëra të tjerë jashtë vendit).

Hegseth po përgatit gjithashtu një strategji të re kombëtare të mbrojtjes: pritshmëria është që «siguria dhe mbrojtja e brendshme» të bëhet prioritet i forcave të armatosura (tashmë të dërguara për shembull në kufirin me Meksikën), pas shumë vitesh në të cilat Kina është konsideruar rreziku kryesor për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ora 19:40
Trump: Qytetet amerikane duhet të jenë vende stërvitjeje ushtarake

1759254154_donaldtrump.webp

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se synon t’i përdorë qytetet amerikane si “fusha stërvitjeje” për forcat ushtarake, në një përpjekje për të përballuar, sipas tij, "armikun e brendshëm".

Në një fjalim të pazakontë përpara qindra liderëve ushtarakë nga e gjithë bota, mbajtur në bazën ushtarake Marine Corps Base Quantico në Virxhinia, Trump e përshkroi situatën në disa qytete amerikane si “shqetësime civile” dhe theksoi se "ajo nuk do të dalë jashtë kontrollit, sapo ju të përfshiheni”.

Kjo deklaratë vjen pas vendimit të tij për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në qytetet e Uashington DC, Los Anxhelos dhe Portland, Oregon, si pjesë e një aksioni të fortë ndaj kriminalitetit dhe përforcimit të masave të emigracionit.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë fjalës së tij, njoftoi standardet e reja fizike me nivel “mashkullor” për zyrtarët ushtarakë, duke shtuar se standardet do të jenë “uniforma, barazia gjinore dhe kritere të larta”. Ai pranoi se kjo mund të përjashtojë disa gra nga shërbimi aktiv.

Trump përsëriti kritikat e tij ndaj qyteteve të udhëhequra nga demokratët, përfshirë San Franciskon, Çikagon, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin, duke sinjalizuar vazhdimin e politikës së tij për përfshirjen e ushtrisë në zbatimin e ligjit.

“Ato janë vende shumë të pasigurta dhe ne do t’i rregullojmë një e nga një,” tha ai, duke shtuar se kjo do të jetë “një pjesë e rëndësishme e detyrës për disa nga ju që ndodheni këtu sot”.

"Është një luftë nga brenda. Kontrolli fizik i territorit tonë dhe i kufijve është jetik për sigurinë kombëtare. Nuk mund të lejojmë që këta njerëz të hyjnë," shtoi ai, duke iu referuar emigracionit të paligjshëm.

Në qendër të diskutimeve ishin kultura e ushtrisë amerikane, udhëheqja, stërvitja dhe, sipas Trump, "rregullimi i dekadave të kalbëzimit", përfshirë edhe programet e diversitetit dhe barazisë.

Ora 16:29
Trump paralajmëron udhëheqësit ushtarakë: Nëse dikush nuk më pëlqen, do ta shkarkoj menjëherë

1759242635_presidentidonaldtrump.png

Në takimin me të gjithë shefat e ushtrisë amerikane, Presidenti Donald Trump paralajmëroi sot se do të shkarkonte çdo zyrtar nëse nuk do t’i pëlqente.

"Do të takohem me gjeneralë, admiralë dhe udhëheqës të tjerë, dhe nëse nuk më pëlqen dikush, do ta pushoj menjëherë," tha Trump.

Ai pritej të mbante një fjalim gjatë një takimi të pazakontë me drejtues të lartë ushtarakë pranë Uashingtonit.

Gjatë fjalës së tij në bazën ushtarake të Quantico-s, Trump komentoi qetësinë e audiencës, e cila përbëhej nga gjeneralë dhe admiralë.

"Nuk kam hyrë kurrë në një dhomë kaq të heshtur," tha ai, duke shkaktuar të qeshura.

Udhëheqësit ushtarakë, siç është tradita, mbajnë një qëndrim jopartiak dhe ishin dëgjuar më herët në heshtje ndërsa fliste shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

Ky takim i pazakontë me të gjithë shefat e ushtrisë amerikane u bë për të rikthyer në ushtrinë amerikane rregulla strikte dhe të forta për të gjithë. Sipas Sekretarit Hegseth, ushtarët, qoftë burra apo gra, do të duhet të kalojnë testin fizik dy herë në vit dhe do të jenë të njëjtat kritere për të gjithë, pavarësisht gjinisë.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tani: 30/09/2025 18:39

    Mund te jet fundi i Amerikes, kur krijon armiqsi brenda vendit ke marre fund.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?