Presidenti Donald Trump

Bota

Trump: Qytetet amerikane duhet të jenë vende stërvitjeje ushtarake

30 Shtator, 19:40| Përditesimi: 30 Shtator, 19:43

  • Share

1759254154_donaldtrump.webp

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se synon t’i përdorë qytetet amerikane si “fusha stërvitjeje” për forcat ushtarake, në një përpjekje për të përballuar, sipas tij, "armikun e brendshëm".

Në një fjalim të pazakontë përpara qindra liderëve ushtarakë nga e gjithë bota, mbajtur në bazën ushtarake Marine Corps Base Quantico në Virxhinia, Trump e përshkroi situatën në disa qytete amerikane si “shqetësime civile” dhe theksoi se "ajo nuk do të dalë jashtë kontrollit, sapo ju të përfshiheni”.

Kjo deklaratë vjen pas vendimit të tij për të vendosur trupa të Gardës Kombëtare në qytetet e Uashington DC, Los Anxhelos dhe Portland, Oregon, si pjesë e një aksioni të fortë ndaj kriminalitetit dhe përforcimit të masave të emigracionit.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë fjalës së tij, njoftoi standardet e reja fizike me nivel “mashkullor” për zyrtarët ushtarakë, duke shtuar se standardet do të jenë “uniforma, barazia gjinore dhe kritere të larta”. Ai pranoi se kjo mund të përjashtojë disa gra nga shërbimi aktiv.

Trump përsëriti kritikat e tij ndaj qyteteve të udhëhequra nga demokratët, përfshirë San Franciskon, Çikagon, Nju Jorkun dhe Los Anxhelosin, duke sinjalizuar vazhdimin e politikës së tij për përfshirjen e ushtrisë në zbatimin e ligjit.

“Ato janë vende shumë të pasigurta dhe ne do t’i rregullojmë një e nga një,” tha ai, duke shtuar se kjo do të jetë “një pjesë e rëndësishme e detyrës për disa nga ju që ndodheni këtu sot”.

"Është një luftë nga brenda. Kontrolli fizik i territorit tonë dhe i kufijve është jetik për sigurinë kombëtare. Nuk mund të lejojmë që këta njerëz të hyjnë," shtoi ai, duke iu referuar emigracionit të paligjshëm.

Në qendër të diskutimeve ishin kultura e ushtrisë amerikane, udhëheqja, stërvitja dhe, sipas Trump, "rregullimi i dekadave të kalbëzimit", përfshirë edhe programet e diversitetit dhe barazisë.


Lajmi kryesor:

Hegseth drejtuar gjeneralëve të SHBA: Detyra jonë është të përgatitemi për luftë dhe ta fitojmë atë! Mjaft me ushtarakë të shëndoshë dhe me mjekra


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?