Kronikë
Kosova & Rajoni

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Varhelyi: Plan investimesh 30 mld euro, të financuara nga BE! Rama: S’ka rëndësi si e quan një vend apo tjetri, jetike të zbatojmë 4 liritë e Evropës në rajon

10 Qershor 2021, 07:21| Përditesimi: 10 Qershor 2021, 22:46

  • Share

TIRANË- 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të vendosura që të ecin drejt një hapësire të përbashkët zhvillimi dhe lirie, me projekte madhore investimi dhe presin nga Bashkimi Evropian që jo vetëm t'i mbështesë por ta bëjë pjesë të unionit këtë ambicie madhore të popujve të Ballkanit.

Ky ishte mesazhi që mori sot nga Tirana komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, gjatë zhvillimit të Samitit të Lidrëve të Ballkanit në Perëndimor, për të cilin këtë herë ishte mikpritëse Shqipëria.  Varhelyi nga ana e tij dha një lajm shumë të mirë duke thënë se BE ka një plan për investime rreth 30 mld euro në rajon. Zyrtari i lartë i BE-së tha se ky do jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë dhe se do të fillohet  që t’i rikthehemi mënyrave të mëparshme dhe të kryhen takime të tjera kaq të rëndësishme në formë fizike dhe të shtyjmë përpara punën.

Nga ana e tij Kryeministri Rama tha se tashmë vendet e rajonit kanë ambicie madhore që Procesi i Berlinit të bëhet pjesë e brendshme e BE-së dhe vitin e ardhshëm Samitit të jetë i përbashkët me të gjitha vendet anëtare të unionit. Rama tha se ambicia është që avancimi dhe jetësimi i 4 lirive të e BE-së të zbatohen edhe në rajonin e Ballkanit si lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.

“Të gjithë së bashku jemi mbledhur për të shtyrë përpara një proces që nuk ka rëndësi si e quan njëri apo tjetri, por ka rëndi që të çojë përpara jetësimin e 4 lirive të Evropës në rajonin tonë”, tha Rama.

Ndërkohë që komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi pati një mesazh edhe për çështjen shumë sensitive të përcaktimit të një date për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE apo Maqedoni e Veriut-BE. Ai tha se vetë unioni po punon edhe pas kuintave për të arritur që Bullgaria të mos pengojë një vendimmarrje pozitive. Rama për këtë ccështje tha se Shqipëria dhe fqinji lindor i kanë bërë detyrat.

"Nuk i bëjmë se na i kërkojnë kryeqytetet e Evropës por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj brezave të ardhshëm. Këshilli Evropian ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje me ne dhe kjo gjë ka marrë kohën e vet", tha Rama.

Tirana ishte sot kryeqyteti i Ballkanit Perëndimor si organizatore e samitit që mblodhi drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.   Samiti u drejtua  nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Çfarë është procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014, i cili më pas u përshëndet dhe u mbështet edhe nga Parisi zyrtar. Procesi ka si synim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.

 

 

Video Konferenca e plotë

Ora 18:04
Samiti i Ballkanit Perëndimor, Majlinda Bregu: 500 milionë euro grante nga BE, investime në disa fusha

Sekretarja e Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka treguar se BE do të dhurojë 500 milionë euro grante investime në infrastrukturë, energji, digjitale për Ballkanin Perëndimor vetëm në 2021.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale duke folur për Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë, Bregu shkruan se prej 1 korrikut dhe në vijim do të punohet për të ulur tarifat e Roaming në Europë, ndërkohë që do të punohet edhe për shtrirjen e “korridorit jeshil” për mallrat e medikamentet me Europën.

"Edhe diell, edhe shi sot në Tiranë. Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar ku jemi me çka rajoni ka rënë dakord për të bërë së bashku. Folsinshpi, prej 1 Korrik dhe në vijim do të punojmë për të ulur tarifat e Roaming me Europën. korridor jeshil për mallrat e medikamentet të cilin e bëmë të mundur gjatë pandemise, por tani duhet ta shtrijmë me. 500 millionë Euro Grante nga BE investime në infrastrukturë, energji, digjitale etj VETËM në 2021", shkruan Bregu.

Ora 15:07
Kurti pranon 'minishegen': Të hyjmë në BE si rajon i përbashkët sa i përket ekonomisë dhe tregtisë! Serbia po mban peng veten duke mos njohur Kosovën

Albin Kurti, atë që ka sulmuar dhe nuk ka njohur prej kohësh 'minishengenin' Ballkanik, ka ndryshuar mendje sot në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse Kurti nuk e quan 'minishengen' pranon konceptin e tij për qarkullimin e lirshëm të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një propozim të tij se si mund të integrohen vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, teksa tha se Serbia po mban peng veten e saj duke mos njohur Kosovën. Albin Kurti ka pranuar procesin që bën funksional atë që shumë vet e quajnë “minishengen” ballkanik.

“BE nuk është Europë, se nuk është i plotësuar me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi popull më Europian në Europë, të gjitha nismat rajonale po ngecin se mungon njohja e Kosovës nga Serbia, njohja nga Serbia do krijonte situatën në të vilën të gjitha vendet do të bashkëpunonin më shumë. Në këtë aspekt nuk mjafton vetëm tregu i përbashkët, por vlerat e BE duhet të vendosen edhe në raport me të gjitha shtet, barazia, lufta e korrupsionit, investimet në ekonomi, sundimi i ligjit e kështu me radhë, dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe ky është modeli i marrëveshjes europiane, EFTA, që ne të hyjmë si rajon i përbashkët në BE sa i përket Ekonomisë dhe Tregtisë që në fund të kësaj të dekade të ishim të gatshëm të hynim në BE. Nuk ka më më minishengen, por procesi i Berlinit”, tha Kurti.

Ora 13:59
Hapja e kufijve me BE/ Varhelyi: S’është çështje politike apo diplomatike, e vendosin vetë shtetet! Rama: Ne jemi më mirë se ato sa i përket shifrave (VIDEO)

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se hapja e kufijve nuk është çështje politike apo diplomatike, por e gjitha varet nga situata epidemiologjike e pandemisë. Ai tha se janë shtet anëtare ato që vendosin mbi bazë të kapaciteteve që ato kanë.

“Komisioni ka bërë një rekomandim se kjo si kompetence është e shteteve anëtare për të vendosur për udhëtimet jo thelbësore dhe deri më tani janë shtet anëtare që duhet të shikojnë se në ç’kushte janë ato gati për të hequr kufizimet që tashmë ekzistojnë. Faktori kyç është situata epidemiologjike, situata në Ballkanin Perëndimor është përmirësuar, ka edhe marrëveshje 2 palëshe mes vendeve. Të gjithë e kemi vuajtur këtë gjë dhe nuk besoj se është e këndshme për askënd, por e gjitha varet nga situata e pandemisë, nuk është çështje politike apo diplomatike, por për shëndetin. Me të filluar sezoni veror në fillim të korrikut, kjo çështje do të jetë pjesë e historisë”, tha Varhelyi.

Rama u përgjigj me batutë.

“Në oborrin tonë jemi më mirë se ata nga ana e situatës shëndetësore. Po t’u shkojmë ne te trau me standartet, vlera dhe sistemin që funksionin mbaron puna, por na takon ne. Kemi besim që jemi në rrugën e duhur dhe në këtë rrugë jemi me fat se ajo që ka ndryshuar në historinë tonë mes shekujve para se të shfaqet BE dhe pas shfaqjes është BE që na ka dhënë mundësinë për të lidhur fijet”, tha Rama.

Ora 13:57
Po pengohen negociatat nga Bullgaria? Varhelyi: Po punojmë edhe pas kuintave! Rama: Është çështje e brendshme e BE (VIDEO)

I pyetur nëse do të jetë Bullgaria ajo që do të pengojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për një datë për hapjen e negociatave, komisioneri Varhelyi tha se po punohet edhe pas kuintave.

"Ashtu siç e thashë ky është muaj kritik. Ne po punojmë fort edhe në këto momente prapa kuintave që të gjejmë zgjedhje. Presidenca e BE-së është e angazhuar për të gjetur zgjidhje, po ashtu është ende herët për të thënë se çdo të ndodhë. Ne duam që kjo të ndodhë", u shpreh ai.

Ndërkohë që Kryeministri Rama deklaroi se kjo tashmë është një ccështje vetëm në dorë të vendeve anëtare dhe ata e kanë vendimin.

:"Përgjigja ime mbetet po ajo që ka qenë. Ne e para ka rëndësi që detyrat tona t'i bëjmë plotësojmë. Nuk i bëjmë se na i kërkojnë kryeqytetet e Evropës por sepse na i kërkon detyrimi ndaj fëmijëve tanë dhe ndaj brezave të ardhshëm. Detyrat e shtëpisë të integrimit evropian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Këshilli Evropian ka pasur arsyet e vetme që nuk ka lidhje me ne dhe kjo gjë ka marrë kohën e vet. Sot fatmirësisht është pranuar që kjo nuk lidhet me ne. Ka një ngërç të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sigurisht që kërkohet që të zgjidhet ky ngërç për të avancuar procesi. Ne nuk kemi asnjë arsye për të thënë se ne po sakrifikohemi. Ka një pyetje legjitime se deri kur zgjat kjo histori. Por kësaj pyetje nuk po ia kërkojmë përgjigjen sot. Të presim mbledhjen e Këshillit, të shikojmë se si do shkojnë gjërat", tha Rama.

Ora 13:49
Samiti i Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Varhelyi: Plan investimesh 30 mld euro, do financohet nga BE (VIDEO)

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka bërë me dije se bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor sjellë një plan prej 30 mld eurosh investime, plan i cili do të financohet nga BE.

“Jam i kënaqur që shoh që ndoshta ky do jetë fillimi i fundit të krizës së pandemisë dhe se do të fillojmë që t’i rikthehemi mënyrave të mëparshme dhe të kryhen takime të tjera kaq të rëndësishme në formë fizike dhe të shtyjmë përpara punën. Ne e shohim një angazhim dhe përkushtim të udhëheqësve për të krijuar tregun e përbashkët rajonal, nuk kemi arritur aty ku dëshirojmë , por duhet të arrijmë atje deri në korrik, kur të kemi samitin e radhës. Po shikojmë rezultatet e para që po ndryshojnë jetë qytetareve me marrëveshjen për lëvizjen pa tarifën Roaming, kjo është një arritje e madhe, do ketë të tjera që të lëvizin me ID, njohja e diplomave, heqja e lejes për punë, pra të gjithë këto gjëra do të bëjnë që bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimorë t’i shërbejë qytetarëve. 30 mld euro në formë investimesh në rajon, ky nuk ka për të funksionuar nëse rajoni nuk funksionon si një i tërë, ky plan investimesh do japë rezultatet e veta nëse ky rajon punon në këtë treg rajonal. Nga ana ime, ne kemi një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani, kemi arritur marrëveshje me Këshillin dhe PE për programin e fondeve të paraaderimit, mekanizëm që do të financohet ky plan. Kemi disa çështje në tryezë, duam që të organizohet konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqëdoninë e Veriut dhe kemi këtë Samit të sotshëm që të tregojmë rezultatet, ky vit mund të jetë për Ballkanin Perëndimor”, tha Varhelyi

Ora 13:44
Rama me Varhelyi: Paketë financiare e BE-së për rajonin për zhvillim rrenjësor! Ambicia është që Procesin e Berlinit ta marrë në dorë unioni (VIDEO)

Në konferencën për shtyp bashkë me komisionerin Varhelyi, Kryeministri Rama fol për diskutimet e bëra nga liderët e rajonit në këtë samit të Tiranës.

"Është i një rëndësie të veçantë për 2 arsye, e para për një proces që duhet të ecë përpara që lidhet me lehtësimin e 4 lirive të Evropës në rajonin tonë. Dhe e dyta sepse ky proces tashmë është mbështetur me një paketë financiare në kuadër të një plani ekonomik dhe investimesh në BE që për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion nga BE është unik.

Më në fund takimi nuk ishte virtual sepse ne kemi mundësinë që t'i mirëpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese. Besoj se edhe komisioneri, edhe delegacioni nga Brukseli, ndihet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë. Tashmë gjërat janë konkrete, planet e punëve janë konkrete. Bashkimi Evropian dhe KE e kanë bërë të veten. Tani na takon neve të bëjmë tonën.

Mbetemi të vendosur për projektin e Shengenit Rajonal, i cili është një projekt strategjik, me përfitim ekonomike, sociale por edhe politike për të gjithë rajonin tonë. Sinergjia me BE-në tashmë është e plotë. Procesi i Berlinit ishte zanafilla dhe ne shpresojmë që ky proces të shkojë në duart e Komisionit Europian me dëshirën dhe ambicien që takimi i korrikut të jetë i fundit me formatin e deritanishëm dhe vitin e ardhshëm të jetë format nën kujdesin e KE me praninë edhe të vendeve të BE-së", tha Rama ndër të tjera.

Rama tha në fund se ambicia është që avancimi rajonal me 4 liritë e BE-së të njihen edhe në vetë vendet brenda unionit.

Ora 11:17
Varhelyi mbërrin me maskë te Pallati i Brigadave, Rama i kërkon ta heq...ja reagimi i tij (VIDEO)

Prej 1 qershorit, maska nuk është e detyrueshme në Shqipëri dhe këtë ia ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama komisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ky i fundit ka mbërritur me maskë në Pallatin e Brigadave, por Rama i ka thënë që ta heqë. Varhelyi nuk e ka menduar dy herë dhe e ka hequr.

Ora 11:01
Samiti i Ballkanit, Rama pret Kurtin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka pritur në takim homologun e tij kosovar, Albin Kurti. Ky i fundit, para se të mbërrinte në Tiranë bëri një ndalesë te ‘Lidhja e Prizrenit’.

Ora 10:33
Samiti i Ballkanit Perëndimor/ Rama pret në Pallatin e Brigadave Várhelyi, Đukanović dhe Brnabić (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka pritur në Pallatin e Brigadave Olivér Várhelyi, Komisioneri Europian,  Milo Đukanović, Presidentin e Malit të Zi dhe Aba Brnabić, kryeministren e Serbisë.

Ora 09:38
Samiti i Ballkanit Perëndimor, Kurti drejt Tiranës, ndalesë edhe te Lidhja e Prizrenit

Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e sotëm është nisur drejt Tiranës, ku do të takohet me udhëheqësit e shteteve të rajonit në Samiti i Ballkanit Perëndimor.

Rrugës për në Tiranë, Kurti bëri edhe një ndalës në Prizren për të nderuar ditën e kryengritjes së kombit, përvjetorin e Lidhjes që u mblodh në 10 qershor.

“Pas homazheve, vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë.”, shkruan kryeministri i Kosovës përmes rrjetit të tij social Facebook.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?