Pasi administrata amerikane e vendosi në listë të zezë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, zyrtarët institucionalë në Serbi nuk kanë pranuar që të komentojnë këtë vendim.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Vulinin, Qeverinë serbe dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe disa anëtarë të partisë në pushtet, por ata nuk ishin të qasshëm për koment.
Ndërkaq, një pjesë e opozitës serbe ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Vulinit nga drejtimi i BIA-s.
Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), subjekt opozitare pro-evropian, deklaroi se kërkon nga kryeministrja Ana Bërnabiq, që në seancën e ardhshme të Qeverisë, ta shkarkojë menjëherë Aleksandar Vulinin nga pozita e drejtorit të BIA-s.
“Dihet që Aleksandar Vulin është kërcënim për sigurinë e Serbisë dhe rajonit dhe ishte vetëm çështje kohe që akuza të tilla të bëheshin. Fakti që një person i pakualifikuar si Vulini është në krye të BIA-s është gisht në sy për krejt botën dhe të gjithë qytetarët e Serbisë. Ai duhet të shkarkohet menjëherë”, tha përmes një deklarate Pavle Gërboviq, deputet i PSG-së.
Ai shtoi se fakti që drejtori i BIA-s është nën sanksione do të thotë se “Serbia është e kompromentuar sepse një person i tillë, që mban në pozitë të tillë, paraqet kërcënim direkt për sigurinë dhe është problem për të gjithë qytetarët”.
“Nuk duhet të lejojmë që i gjithë shteti të futet izolim”, theksoi ai.
Vulin u sanksionua për pretendime se është përfshirë në afera korruptive dhe trafikim të narkotikëve, por edhe për lidhjet e tij me Rusinë.
Lajmi kryesor:
SHBA sanksionon ish ministrin e Brendshëm serb, Aleksandët Vulin: I përfshirë në korrupsion e krim të organizuar! I sekuestrohen të gjitha pasuritë
G.MO/ReportTv.al