Politikë

Vendimi i parë i qeverisë 'Rama 4', Erion Veliaj shkarkohet nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës

25 Shtator, 07:27| Përditesimi: 25 Shtator, 18:11

  • Share

TIRANË -  Erion Veliaj është shkarkuar nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ky është vendimi i parë i marrë nga qeveria Rama 4, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që u drejtua nga Edi Rama. Vendimi erdhi dy ditë pasi Këshilli Bashkiak miratoi propozimin për shkarkimin e Veliajt, i arrestuar më 10 shkurt, me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë. 

Pritet të shihet lëvizja e kryeministrit nëse do ta dërgojë menjëherë vakancën në presidencë, ku Bajram Begaj duhet që të shprehet brenda 48 orëve me një dekret për datën e zgjedhjeve. Apo kryeministri do të presë afatin 15 ditor, kohë deri kur Veliaj ka të drejtën të ankimojë vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese. Një ankim i Veliajt, gjë të cilën e ka paralajmëruar, do të bllokonte çdo procedurë të ndërmarrë, nga vendimi i Këshillit Bashkiak, i Këshillit të Ministrave e deri te mbajtja e zgjedhjeve. 

"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë, shkarkohet nga kjo detyrë, me propozimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, miratuar me vendimin nr.69,  datë 23.9.2025.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. 

 

Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin  në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një  vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend. Në rast se ankimi nuk ndodh, atëherë i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, të cilat Presidenti do të duhet t’i shpallë menjëherë sapo të informohet për vakancën.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama po ecën me logjikën e faktit të kryer, pasi një ditë më parë, në takimin që mbajti me ministrat dhe deputetët e qarkut të Tiranës, përkrah kandidates për kryebashkiake Ogerta Manastirliu, Rama e konsideroi vendimin për shkarkimin si të detyrueshëm dhe njoftoi se kanë nisur punën për zgjedhjet. Ai tha se Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si “trup pa kokë” duke shtuar se opozita do të hyjë e humbur në garën për kryeqytetin. Drejtimi i fushatës i është besuar Belinda Ballukut, dhe mësohet se ka qenë një kërkesë e bërë nga Manastirliu. 

Pas arrestimit të Veliajt, bashkia e Tiranës po drejtohet nga Anuela Ristani dhe pritet që ta mbajë këtë detyrë të përkohshme deri në zgjedhjen e kryetarit të ri me votë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt, ndërsa SPAK mbylli dosjen në ngarkim të tij dhe e çoi në gjyq më 10 shtator me 13 akuza, përfshirë 9 raste për korrupsion.  Veliaj e drejtoi bashkinë e Tiranës për 10 vite, ose dy mandate e gjysmë, prej vitit 2015.

Xh.D/V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zamir: 25/09/2025 17:57

    Nuk e kuptoj kte qendrim kaq te terhequr te veliajt, nuk eshte tipi i tij. Te pakten ne respekt te atyre mijera mbeshtetesve qe ka ne tirane duhet te beje dicka, lidershipi tregohet edhe nga burgu, madje me shume nga burgu. PS ka vdekur por nuk eshte kallur, eshte koha per nje te majte te re.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?