Kosova sot zhvillon zgjedhjet lokale. Kjo është hera e dytë që qytetarët e Kosovës i drejtohen kutive të votimit pas zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara më shkurt.
Kësaj here, 2.025.105 votues do të votojnë për të zgjedhur kryetarët dhe anëtarët e 38 komunave të vendit. Numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.
Të gjitha qendrat e votimeve janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. KQZ ka nisur që ditën e djeshme shpërndarjen e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar institucionet si Policia, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje është 93, nga të cilat 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht. Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.
Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.
Lajmi në përditësim...
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në Prishtinë për zgjedhjet vendore.
Pas votimit, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin për të votuar.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona, për çerdhen, për shkollën, për ujin, për shëndetin, për shërbimet dhe për infrastrukturat në lagjet e qyteteve dhe fshatrave ku jetojmë. Përveç se qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, që ta përdorin mundësinë, ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë për të plotësuar nevojat e tyre”, u shpreh Albin Kurti.
Këtë mesazh ai e dha edhe në gjuhën serbe e angleze.
Lista Serbe, parti në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka organizuar paikat serbe në komunat e Mitrovicës së Veriut duke iu drejtuar kutive të votimit në kolektiv. Kjo turmë është udhëhequr nga kryetari i kësaj partitë, Zlatan Elek.
Lista Serbe ka drejtuar Mitrovicën e Veriut dhe 3 komunat me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq deri në vitin 2022.
Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht drejtues i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me familjen e tij, ka ushtruar të drejtën e votës në Gjollan për zgjedhjen e kryetarit të komunës.
“E shfrytëzova të drejtën time dhe votova bashkë me nënën. Një pjesë e familje tonë votuam në Gllogjan. Anita dhe Gjini në Prishtinë. Ftoj të gjithë të dalin dhe të votojnë. Këto zgjedhje kanë shumë rëndësi. Sot është dita me i marrë vendimet, votoni dhe vendosni”, tha Haradinaj për mediat.
Komente
