Zgjedhjet e 11 majit kanë përfunduar prej gati një muaji, por certifikimi përfundimtar i tyre nuk është bërë, pasi miratimi i tabelave të KQZ-së në të 12 qarqet është kontestuar nga PD-ADSHM me ankimime dhe proceset janë nën shqyrtim në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor, duke përfshirë edhe ankimimet e kandidatëve brenda PD-së.
Juristi Kreshnik Spahiu e sheh këtë situatë të votave brenda partisë, pas ankimimeve të kandidatëve të PD-së, ku pritet të verifikohen 1280 kutitë e qendrave në qarkun e Tiranës nga KAS, si një paradoks dhe absurde, pasi do i bjerë përsipër si kosto politike dhe morale pikërisht Sali Berishës e partisë së tij.
I ftuar në “Frontline” në Report Tv mbrëmjen e sotme, ai u shpreh edhe se nëse do të konfirmohej vjedhja e votave brenda PD-së ndaj kandidatëve, atëherë edhe Partitë Europiane duhet të marrin vendimin e përjashtimit të Partisë Demokratike.
“Juridikisht hapja e kutive nuk nënkupton çudira. Ajo të çon në dy rezultate, ose konfirmim të rezultatit, ose krim zgjedhor. Pra që klasifikohen nga Kodi penal dhe Elektoral. Ka dy probleme juridiko-politike. Por të çudit se si në Tiranë, në mbi 1200 qendra votimi, ku ka mbi 2 mijë komisionerë Partia Demokratike dhe nëse janë deformuar votat në këto qendra, i bie të arrestohen 2400 komisionerë të saj. Neni 326 parashikon falsifikimin e materialeve zgjedhore dhe rezultatin e zgjedhjeve, që parashikon dënim me burg 3-7 vjet. Pra nëse Prokuroria e Posaçme konfirmon se ka pasur manipulime në këto qendra votimi, duhet t’i arrestojë të gjithë”, tha juristi.
Por ai shprehu habinë, duke bërë edhe ironi me opozitën, se si duke pasur komisionerë, jo vetëm nuk arriti të ruante votën, por edhe ta deformonte atë duke vjedhur votat e deputetëve të vetë. Dhe nëse në fund rezulton se PD ka vjedhur kandidatët e saj, atëherë për Spahiun duhet të ketë një masë penalizuese dhe politikisht ndaj saj, nëpërmjet Partive Evropiane.
“Marrim tjetrën, nëse nuk ka parregullsi dhe shkelje zgjedhore, lind pyetja se si ka mundësi që kishe kaq shumë komisionerë dhe nuk konstatove problematikat? Mirë ato parti që nuk kanë komisionerë, por ti që ke pasur komisionerë, si nuk i dallove apo kontrollove. E treta është se nëse ka pasur devijime votash brenda partisë, psh. I janë hequr Ilir Alimehmetit apo Kuçanës, atëherë i bie se kjo paska qenë e organizuar brenda partisë. Pra ka qenë në formë të organizuar nga brenda. Dhe nëse rezulton kjo, atëherë unë mendoj se Partitë Europiane duhet të përjashtojnë PD-në, pasi ajo rezulton se ka vjedhur edhe deputetët e saj. Unë parashikoj se rezultati nuk do ndryshojë, por do ketë shkelje penale tek vota preferenciale brenda partisë dhe vepra penale, por nuk do ketë ndryshim të rezultatit”, u shpreh Spahiu në analizën e tij për situatën politike pas zgjedhjeve të 11 majit.
Por a është devijuar vota e 11 majit brenda partive dhe veçanërisht PD-së, ku deri tani kanë ankimuar më shumë se 5 kandidatë?
Juristi mendon se po, por ai theksoi se kjo nuk çon në përsëritje zgjedhjesh në Tiranë, por vetëm me shpallje e rezultatit të ri nga KQZ-ja. Ai e sheh problemin më shumë juridik dhe penal për komisionerët, sesa politik.
“Të gjithë biem dakord se vota preferenciale është devijuar. Pyetja është se deri në cilën masë është bërë devijimi. Por çështja është se nëse nuk ka sjellë ndryshim rezultati ky devijim dhe është më i vogël se distanca mes dy deputetëve të partisë, komisionerët përsëri do shkojnë në burg. Pra mandati i deputetit nuk ndryshon, por komisionerët do shkojnë në burg. Ky proces nuk çon në përsëritje zgjedhjesh sepse rinumërimi është një rezultat i ri dhe shpërndarje mandatesh. Pra mund të ndodhë që PD të ketë marrë më shumë vota se PS dhe KQZ shpall rezultatin e ri dhe ndarjen e mandateve ku thotë se 18 mandate në Tiranë i takojnë PD. Pra nuk bëhet përsëritje zgjedhjesh, sepse rishpallet reaultati i ri nga KQZ pas rinumërimit”, tha Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu tha sot se Partia Demokratike i ‘pret’ zërat kundër që kur janë filiza dhe nuk i lë që të rriten.
Madje jo vetëm kaq, por kreu i saj Sali Berisha e pengon rrotacionin dhe bashkimin e partive të tjera për të krijuar një front të gjerë opozitar, duke e lënë sistemin bipolar.
“Nuk mendoj se do ketë krisje të PD-së, për disa arsye. E para për shkak të sistemit ka mundur të centralizojë mekanizmin politik dhe i ka prerë shkurt drutë që kur kanë qenë filiza, duke i nxjerrë jashtë partisë. Duke i nxjerrë jashtë partisë këta zëra kundër lidershipit shmang edhe çarjet brenda partisë apo fraksionet. Madje ata që kanë qenë zëra kundër janë edhe më të urryerit që edhe ne i kemi parë se si kanë kaluar, nga Lulzim Basha te Enkelejd Alibeaj. Unë mendoj se në PD nuk ndodh asgjë, sepse në atë parti ka një njeri dhe fatkeqësisht ai duhet të ishte që të mendonte për stafetën. Rruga e partisë është më e gjatë se e individit, sepse kështu është, nëse i ndodh diçka zotit Berisha, a do ulet qepeni i asaj partie, ose sikur të sëmuret dy muaj, kujt do i lihet, do drejtojë Albana Vokshi partinë? PD ka dalë nga misioni i saj dhe mund të bëhet pengesë për rrotacionin politik. Pra në zgjedhjet e vitit 2029 do jetë përsëri kjo PD që do pengojë partitë e reja në bashkim apo në forcimin dhe zgjerimin e opozitës. Prezenca e Berishës i pengon këta për zgjerim, lider opozitar dhe për të sjellë ndryshimin apo rrotacionin”, analizoi juristi për Report Tv.
Lufta brenda PD-së për devijim votash nuk kanë shumë rëndësi për kreun e PD-së, pasi për të partia nuk i preket. Për shumë vite të tjera, sipas juristit, dy krerët e PS dhe PD do vazhdojnë ta dominojnë politikën shqiptare dhe sistemin.
“Për Berishën këta janë numra, nuk ka rëndësi nëse është Alimehmeti apo Jorida Tabaku. Për Berishën kështu ndodh, vijnë rast pas rasti, Shtatori, Krishtlindjet, gjeli i detit e të tjera. Për më tepër kur ti thua jam me mision, pretendon se je i dërguar i Zotit. Një parti që mendon se e ka kryetarin e përjetshëm, do ndërhyjmë ne? E kanë zgjedhjen e tyre, mbase e kanë sukses atë formë. Edhe nëse e thotë Rama, ne nuk ndërhyjmë dot. Çështja është te sistemi elektoral, madje unë mendoj se ky është më i mirë se ai që do bëhet për 2029, se ai tjetri do bëhet më keq, më regresiv me Kodin Zgjedhor të ndryshuar, për të çimentuar rezultatin. Për sa kohë u jep zoti shëndet këta nuk lëvizin, të dy e dominojnë situatën politike dhe sistemin. Madje nuk i lënë mundësinë as fotokopjeve, teknologjisë, kompjuterit, këta vazhdojnë si në 90-ën, të fortët e lagjes, si në atë kohë dhe më e bukura është se ankohen po për këta, se i vodhën dhe nuk ruajtën votën. Këta nuk ndryshojnë, unë nuk mendoj se këta mendojnë apo se ndodh që ikën Berisha dhe vjen Flamuri dhe do ndryshojë situata apo PD-ja”, u shpreh Spahiu në analizën e tij se çfarë do ndodhë me PD-në pas zgjedhjeve dhe a largohet Berisha nga drejtimi.
Procesi i rinumërimit të të gjitha kutive të qarkut të Tiranës për zgjedhjet e 11 majit pas nismës së dy anëtarëve të KAS-it mund të sjellë edhe arrestimin e qindra komisionerëve apo numëruesve të patrtive të mëdha politike.
Juristi Kreshnik Spahiu, teksa konstaton këtë detaj, ngre edhe shqetësimin se si edhe 35 vite më pas partitë e mëdha jo vetëm vjedhin votat e shqiptarëve, duke mos i ruajtur ato, por edhe të kandidatëve të tyre brenda partisë.
“Kam kontaktuar KQZ-në dhe procedura parashikon shpalljen e një rezultati të ri pas rinumërimit. Që do të thotë se do të ketë një rezultat të ri. KQZ është e detyruar të shpallë rezultatin e ri të rinumërimit, pavarësisht konstatimeve. Gjithashtu i dërgon SPAK-ut edhe materialet apo procesverbaleve të deformuara, fletët e votimit, ia çon Prokurorisë në rrugë juridike që t’i hetojë dhe procesojë sipas shkeljeve të bëra dhe nenit 326 të Kodit Penal, që parashikojnë 3-7 vite burg sipas shkeljeve të gjetura. Nëse konstatohen këto parregullsi me devijim votash, sadoqoftë ai, qindra komisionerë të PD dhe PS në Tiranë rrezikojnë të shkojnë në burg dhe të arrestohen nga SPAK”, shpjegoi Spahiu për procesin që do të ndodhë pas vendimit të KAS për kryeqytetin, rinumërimin e të gjitha kutive.
Por Spahiu ngriti edhe shqetësimin e krizës morale të partive politike, veçanërisht PD-së, që jo vetëm nuk ruan votat e shqiptarëve me komisionerë, por vjedh edhe kandidatët e saj.
“PD ka kundërshtuar OSBE-ODIHR-in për numërimin elektronik në Tiranë. Madje bashkë me PS-në është përgjegjëse për të gjithë votat e shqiptarëve, edhe të partive që nuk kishin komisionerë, sepse ato kanë komisionerë. Çfarë pret nga këto parti që kur vjedhn deputetët e vetë, çfarë mund të bëjnë për të tjerët apo si mund të ruajnë votën e tjetrit. Mirë për të tjerët nuk ke respekt, po për deputetët e tu si ka mundësi nuk ke respekt, madje ke shkuar fshat më fshat për t’ia devijuar votën. Kjo lidhet drejtpërdrejtë me përgjegjësinë e partisë sepse edhe KQZ vetë është produkt partiak. Si mund të ndodhin këto edhe pas 35 vitesh. Si mund të garosh e të shkosh në zgjedhje në 2029 me këtë situatë, si mund ta ruajnë votën tonë këta, është absurditet. Këta kë kanë dashur e kanë bërë deputet, po nuk je në tepsinë e tyre nuk futesh dot. Loja vazhdon mes tyre, këta kanë sistemin. Tani kjo u pa qartë, PD e jo vetëm, masakroi ata që ishin në listë të hapur dhe mbrojti ata të listës së mbyllur, u duk kjo”, komentoi juristi për Report Tv.
Komente
