Kronikë

I mori 8 mijë euro klientit, ‘arrest shtëpie’ për avokatin Besart Logu! SPAK: I premtoi klientit se do paguante prokurorë e gjyqtarë për ta nxjerrë nga burgu!

10 Shtator, 09:40| Përditesimi: 10 Shtator, 18:58

  • Share

TIRANË- Zyrat e studios Ligjore “Logu” në Tiranë u kontrolluan nga oficerët e BKH. Aty i çoi dyshimi i SPAK se avokati i njohur Besart Logu kishte marrë 8 mijë euro nga një klient i tij italian me premtimin se do të ndikonte tek prokurorë dhe gjyqtarë të Tiranës në favor të tij për çështjen që ai akuzohej.

Prokurorja e Posaçme, Doloreza Musabelliu urdhëroi masë sigurie arrest në shtëpi, e cila u ekzekutua në orët e mëngjesit në zyrën e tij, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Nga kontrollet në terren përfshirë zyrën e Logut, Report Tv mëson se agjentët e BKH, sekuestruan celularin e tij dhe kompjuterin e punës.

Burimet nga SPAK thonë se paratë që i premtoi klientit se do i shpërndante te njerëzit e drejtësisë, Besart Logu i mbajti për vete. Të njëjtat burime thotë se 8 mijë eurot u morën për t’i lehtësuar masën e sigurisë të akuzuarit, të arrestuar për mashtrim me TVSH. Çështja ka qenë e regjistruar fillimisht në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe më pas u transferua në Tiranë, ku kishte nisur gjykimi.

Burimet thonë se rasti u hetua me metoda speciale. Pas denoncimit të klientit italiane, paratë e kërkuara u regjistruan me numër serie. Hetimet vijojnë ende dhe pritet të zgjerohen drejt zbulimit të personave të tjerë të dyshuar apo funksionarëve të drejtësisë që do të ndikoheshin nga avokati Logu për të marrë vendime në favor të klientit të tij përkundrejt ryshfetit.

Në një reagim zyrtar, avokati Besart Logu, thotë se u ndalua nga agjentët në hyrje të pallatit pasi teksa po çonte të bijën në kopsht. Ai thotë se pasi i komunikuan masën, iu bë edhe kontroll në shtëpi, ku sipas tij nuk u gjet asnjë send i paligjshëm. Duke u vetëdeklaruar i pafajshëm përballë pretendimeve të SPAK, avokati Besart Logu, thotë se nuk ka takuar asnjë zyrtar drejtësie.

"Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t'i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati", shkruan Logu. 

Besart Logu është një figurë jo pak e panjohur për publikun. Ai njihet për daljet e shpeshta televizive për analiza dhe atashimin e tij pranë PD. Aktualisht, referuar edhe të dhënave në rrjetin e tij social Facebook, Logu mban postin e zv.drejtorit në Departamentin e Drejtësisë në Partinë Demokratike.

Ora 17:33
Zbulohet klienti italian që ‘i bëri gropën’ avokatit Besart Logu për 8 mijë euro

1757518624_avokatibesartlogudhespak.jpg

Report Tv ka zbardhur identitetin e klientit italian, i cili pagoi me 8 mijë euro avokatin e tij Besart Logu, me qëllim që ky i fundit të ndikonte të drejtësia për ta liruar nga burgu.

Klienti i avokatit Logu është italiani Salvatore Castorina. Ky i fundit i arrestuar në mars 2024 si pjesë e një grupi me shqiptarë dhe italianë të cilët bashkëpunonin në Gjirokastër dhe regjistronin subjekte e lëshonin TVSH fiktive për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 3 llogari bankare me vlerë 1.3 milionë euro dhe 13 milionë lekë. 

Salvatore Castorina alias Andrea Di Dio alias Salvatore Cascino, u arrestua në Itali në mars të 2024 dhe në korrik 2024 u ekstradua në Shqipëri ku u njoh dhe me masën e arrestit në burg dhënë në mungesë nga gjykata.

Salvatore Castorina  akuzohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim“Fshehja e te ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim.

Si nisi hetimi ndaj avokatit Logu?

Më 27 nëntor 2024, SPAK regjistroi procedimin penal ndaj Besart Logut për veprat penale korrupsion pasiv i gjyqtarëve e prokurorëve dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm.

Regjistrimi i procedimit u bë në bazë të kallëzimit të vetë klientit të tij, shtetasit italian Salvatore Cascino.

Avokati Logu i kishte kërkuar 8 mijë euro klientit për të ndikuar te prokurori e gjyqtari i çështjes në Gjykatën e Tiranës për ta liruar nga burgu.

Prokuroria e Posaçme thotë se e ka të dokumentuar me përgjime dhe filmime marrjen e parave nga avokati Logu, episod i ndodhur më 13 dhjetor 2024.

Që prej dhjetorit 2024 e deri më tani, ka rezultuar se avokati i ka mbajtur për vete paratë dhe nuk kanë prova që t'ua ketë dhënë funksionarëve të drejtësisë. Megjithatë hetimet vijojnë ende për dokumentimin e plotë të rastit. 

Ora 17:04
Arrestimi i avokatit Logu, SPAK: Paratë i mori në 13 dhjetor 2024, jo për shërbime avokatie, por për të ndikuar te drejtësia

1757517541_1751955486spak.jpeg

Prokuroria e Posaçme ka reaguar për arrestimin e avokatit Besart Logu, që i mori 8 mijë euro një klienti të tij për të ndikuar te gjykatësi e prokurori për ta nxjerrë nga qelia.

Në njoftim, SPAK thotë se avokati Logu i mori paratë prej 8 mijë për të ndikuar të funksionarët e drejtësisë, dhe jo për shërbime avokatie, siç pretendoi pak më herët vetë avokati në një reagim në rrjetet sociale.

Prokuroria e Posaçme bën me dije se e ka të dokumentuar me përgjime dhe filmime marrjen e parave nga avokati Logu, episod i ndodhur më 13 dhjetor 2024.

Hetimi për avokatin ishte regjistruar më herët, në datë 27 nëntor 2024, në bazë të kallëzimit nga vetë klienti i tij.

Report Tv mëson se shuma e parave prej 8 mijë, avokatit Logu iu dorëzua nga një agjent i infiltruar i BKH-së, që ishte prezantuar si i afërm i klientit italian.

Këto para, avokati i kishte premtuar se do t’i përdorte për të ndërhyrë te prokurori e gjykatësi me qëllim që ta lironte nga qelia klientin e tij.

Që prej dhjetorit 2024 e deri më tani, ka rezultuar se avokati i ka mbajtur për vete paratë dhe nuk kanë prova që t'ua ketë dhënë funksionarëve të drejtësisë. Megjithatë hetimet vijojnë ende për dokumentimin e plotë të rastit. 

Njoftimi i SPAK:

SPAK cakton masën e sigurisë kundër avokatit të akuzuar për korrupsion, Gjykata e Posaçme e miraton

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi më 9.9.2025, përmes vendimit nr.91, caktimin e masës “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit B. L., me profesion avokat, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë është kërkuar pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të cilat mbështeten në prova, se personi nën hetim ka kryer veprën penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.

Masa është ekzekutuar më 10.9.2025 me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Procedimi penal

Në datën 27.11.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 242, mbi kallëzimin e shtetasit me iniciale S.C, për veprat penale:

“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, (neni 319/ç i Kodit Penal);

“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (neni 245/1 i Kodit Penal).

Hetimet dhe gjetjet

Nga hetimet proaktive, të cilat u kryen nga hetues të Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit, rezultoi se në datën 13.12.2024, i hetuari ka marrë shumën prej 8.000 (tetë mijë) euro, (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit).  Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja kishte të bënte me veprat penale, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim“Fshehja e te ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a e 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.

Hetimet kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit e tij, S. C.. Ky premtim nuk është realizuar.

Ora 14:32
Në arrest shtëpie me urdhër të SPAK, reagon avokati Logu: S’jam përfshirë në asnjë rast korrupsioni, punën e kam bërë me devotshmëri

1757490180_besartlogu.jpg

Avokati Besart Logu

Avokati Besart Logu ka reaguar pasi me urdhër të SPAK iu caktua masa arrest në shtëpi, pas dyshimeve se i mori 8 mijë euro klientit me qëllim që të ndikonte te zyrtarë të drejtësisë për t’i lehtësuar masën e sigurisë. Në një reagim publik, Logu thoët se nuk është përfshirë në asnjë episod korrupsioni dhe se punën e ka bërë me devotshmëri. Më tej, Logu thekson se nuk është takuar me asnjë zyrtar drejtësie dhe as nuk i ka marrë paratë për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Avokati tregon se në momentin kur oficerët e BKH-së zbarkuan për ti komunikuar masën e arrestit në shtëpi, ishte në hyrjen e pallatit dhe po çonte vajzën në kopësht.

Reagimi i plotë

Sot, rreth orës 08:30 të mëngjesit, tek po çoja vajzën në kopësht e për të nisur më pas rutinën ditore, jam ndaluar në hyrjen e pallatit nga agjentë të Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku më është komunikuar vendimi i GJKKO në lidhje me masën e sigurimit dhe të kontrollit personal, të banesës si dhe të zyrës ku ushtroj aktivitetin.

Gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo çdo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit.

Nga sa më sipër sqaroj se:

1. Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale të mundshme. Gjatë gjithë karrierës time si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë duke patur prioritet vetëm interesin e klientit dhe kjo brënda kornizave që rregullon ligji.

2. Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t'i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati.

Lajmi i keq në gjithë këtë histori është se po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit. Kjo tendencë duket edhe tek ndryshimet e Kodit Penal ku qeveria vlerëson si element penal edhe rastin kur ke marrë më shumë para nga sa ke ofruar shërbim.

Kështu, jam i gatshëm të përballem me këtë akuzë sepse jam i bindur në një të vërtetë absolute:

▪︎ Nuk kam marrë para për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

▪︎ Nuk kam takuar asnjë zyrtar drejtësie

▪︎ Si dhe nuk është marrë mbrapsht asnjë shërbim i kundraligjshëm.

Këtë e provon çështja në fjalë dhe e gjithë ecuria e saj.

I vetmi problem momental për mua është shqetësimi i krijuar tek familja e tek të njohurit të cilët gjej rastin t'i falenderoj per suportin moral që më kanë dhënë.

P.S. kur isha para agjentëve të Policisë mu kujtua skeçi i Fadil Hasës ku prokuroria politike e kohës i komunikonte akuzat dhe ai fliste me vete "Sa i rrezikshëm paskam qenë"!

Ora 12:02
Në arrest shtëpie me urdhër të SPAK, kush është Besart Logu, zv.drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në PD

1757498635_besartlogu.jpg

Avokati Besart Logu

Ndaj avokatit, Besart Logu u caktua sot masa e sigurisë arrest shtëpie me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se i ka marrë 8 mijë euro ryshfet një klienti duke i premtuar se do të ushtronte ndikimin e tij tek gjyqtarët për t’i lehtësuar masën e sigurisë. Besart Logu është një figurë jo pak e panjohur për publikun shqiptar. Ai njihet për daljet e shpeshta televizive dhe atashimin e tij pranë PD.

Aktualisht, referuar edhe të dhënave në rrjetin e tij social Facebook, Logu mban postin e zv.drejtorit në Departamentin e Drejtësisë në Partinë Demokratike. Më herët ai ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, prej korrikut 2021 deri në qershor 2025.

Logu i ka qëndruar në krah Bashës gjatë përplasjes me Berishën për partinë, por vijoi me angazhimin pranë PD edhe pse partia i mbeti ish-kryeministrit. Nga nëntori 2023 deri në mars 2024 ai ka qenë sekretar i PD në degën numër 7 në Tiranë.

Më herët ka punuar në disa studio ligjore, derisa më prill 2018 themeloi studio ligjore ‘Logu’.

Të dhënat për biografinë e Logut në profilin e tij në Facebook

Ekstrakt i regjistrit tregtar për të dhënat e studios ligjore ‘Logu’
Ora 11:04
Avokati Logu në arrest shtëpie, detaje të reja nga operacioni! I mori 8 mijë euro klientit italian që po hetohej për mashtrim me TVSH-në

1757490030_besartlogu.jpg

Avokati Besart Logu

Report Tv mëson detaje të reja nga operacioni i SPAK në Tiranë, ku është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie për avokatin Besart Logu. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Logu i ka marrë 8 mijë euro klientit italian, që po hetohej për një skemë mashtrimi me TVSH-në.

Rasti është dokumentuar me metoda speciale hetimore, ndërsa paratë e kërkuara u regjistruan me numra serie përpara dorëzimit.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Qytetari: 10/09/2025 13:38

    Ka ndonjë avokat që punon pa lekë???T

    Përgjigju
  • Kadiu: 10/09/2025 10:26

    Po ku i gjejne kaq shume Evro skipetrte???

    Përgjigju
    • Lenti: 10/09/2025 10:53

      Droga, korupsioni, vjedhja. Perse nga vijne ato para sipaa teje??

  • Qytetari: 10/09/2025 10:26

    Ca e ka Marash Logun ky? Ate njeshin e PD qe ndihmoi Joriden te rrezonte ligjin per profesionet e lira?

    Përgjigju
    • lexues: 10/09/2025 11:12

      ishte ok ai ligji?

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?