Ilir Meta ka reaguar nga qelia për marrjen të pandehur nga SPAK ditën e sotme, teksa qëndron prej 21 tetorit 2024 i arrestuar dhe teksa priste që t'i komunikoheshin akuzat nga SPAK.
Në një komunikim telefonik me gazetarët (audio), ai e quajti këtë akt të “organizatës në shërbim të verbër ndaj Edi Ramës”, teksa shton se “mezi pret nisjen e procesit gjyqësor, si dhe që t’i urojë për 83 mandatet që i dhanë kryeministrit me Task Forcën e tyre”.
Meta shprehet se do e fitojë këtë proces hetimor ashtu sikurse ka fituar shumë të tjerë, teksa ngriti edhe njëherë shqetësimin për "kapjen e drejtësisë" që me votimin me 69 vota të kryeprokurores Arta Marku dhe më tej vendimeve të Parlamentit kundër tij kur ishte President.
Kreu i PL-së hodhi akuza të forta edhe për tradhti e komplot nga brenda PL-së të një personi (nuk ia përmend emrin), që i ka shitur listën me 12 mijë votues të tij tek patronazhistët e PS-së, sepse sipas tij, donte të bëhej Sekretar i Përgjithshëm në vend të Tedi Blushit. Duket se Meta i referohet Endrit Braimllarit, i cili iu bashkua PS, ndonëse nuk e përmend me emër.
Deklarata e plotë e Ilir Metës nga qelia:
“Çuditërisht askush nuk është paraqitur të më shoqërojë, kam edhe hallin e avokatit tim që po humbet kohën kot. Mezi po pres të shkoj që t’i uroj për 83 mandatet që i dhanë me Task Forcën e tyre kundër opozitës, por edhe me Task-Forcën për të mos vepruar kundër terroristëve elektoralë.
Ata po presin nga Edi Rama që të jenë të përjetshëm, të përjetshëm sepse nuk i kuptojnë dot krimet intelektuale që bën Rama, si inceneratori që nuk ekziston.
Nuk kam kurrë ndër mend të kërkoj as mbylljen me procedurë, mezi po pres sallën e gjyqit ku do jeni ju, ku do ketë gazetarë ndërkombëtarë, të shikojmë edhe faktet edhe provat, e çfarë është kjo organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës. Pjesë e një votimi antikushtetues me 69 vota të një prokurori të përgjithshëm, të Arta Markut, zgjodhi atë në mënyrë të paligjshme dhe pastaj zgjodhi këta.
Nuk do të ketë kurrë kërkesë nga Ilir Meta për mbyllje me procedurë, ashtu sikurse nuk ka pasur as në të kaluarën. Ky është një proces që do fitohet ashtu siç i ka fituar presidenti Ilir Meta të gjitha proceset hetimore që bëri parlamenti kundër tij me 120 kartona si President i Republikës.
Falenderoj 8 mijë heronjtë që votuan Ilir Metën, që u rrëmbye në mënyrë terroriste, me vetëdije, me blindat e e Altin Dumanit dhe të kolegëve të tij. I falenderoj të gjithë ata shokë dhe miq që punuan, por që u tradhtuan nga një maskara që me porosinë time dhe këtë e di sekretari i Përgjithshëm i PL, i cili dorëzoi listën me 12 mijë vetash që kishin bërë shokët, miqtë, dashamirësit që votonin Ilir Metën, duke ia dorëzuar patronazhistëve, sepse priste që të bëhej sekretar i përgjithshëm në vend të Tedi Blushit, në bashkëpunim edhe me bashkëpunëtorët e tjerë".
Lajmi kryesor:
Afera CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA, SPAK merr të pandehur Metën e Kryemadhin! Kreu i PL: Organizatë në shërbim të verbër të Ramës
A.Q/SI.E./ReportTv.al
