DURRËS- Me urdhër të SPAK, një operacion është zhvilluar në Durrës për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë lëshuar 9 urdhërarreste, mes tyre për Aleksandër Lahon, i njohur edhe si “Rrumi i Shijakut” dhe për kreun e bandës së Shijakut, Astrit Avdylaj, i cili ndodhet në burg për operacionin “Revanshi”.
Nga 9 urdhër arreste, 3 prej tyre janë ekzekutuar, duke çuar në pranga Vullnet Muçën, vëllanë e Rrumit të Shijakut, Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Loer Kume, si edhe Vlash Draçi. Ndërkohë, Astrit Avdyulajt i komunikohet masa e re e sigurisë në burg, ndërsa në kërkim është shpallur Aldo Avdylaj, ndaj të cilit ka pasur edhe më herët masë sigurie po për operacionin "Revanshi", por nuk është arrestuar.
Në kuadër të këtij operacioni, me urdhër të SPAK është ushtruar kontroll edhe në shtëpinë e Rrumit të Shijakut, por nuk është gjetur në banesë.
Kush është "Rrumi i Shijakut"?
Rrumi i Shijakut është një personazh i njohur i botës së krimit, por jo vetëm. Ai rezulton ende në kërkim nga autoritetet shqiptare, ndërsa më 23 korrik Apeli i GJKKO e dënoi përfundimisht me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.
*Raportojnë për Report Tv dhe Shqiptarja.com gazetarët, Keti Banushi, Sokol Dema dhe Aldo Mustafa
Lajmi në përditësim...
SPAK ka lëshuar urdhërarrest për Astrit Avdylajn, kreun e bandës së Shijakut, i cili aktualisht ndodhet në burg në kuadër të operacionit Revanshi. Avdylaj u arrestua më 29 qershor 2024, me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”. Avdylaj u arrestua 1 muaj pas operacionit Revanshi dhe u kap në vilën e tij në Shijak me pistoletën e mbushur. Ndaj tij rëndojnë 3 akuza për këtë çështje, "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje"", Grup i strukturuar kriminal" dhe "Pjesëmarrje në grup të strukturuar."
Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, Avdyli bashkëpunonte dhe thurte plane me grupin e ish-deputetit socialist Arben Noka dhe grupin e Ervis Martinaj për të ekzekutuar Durim Bamin. Arben Ndoka dyshonte se Durim Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka. Për kokën e Durim Bamit në ndihmë të Ervis Martinaj e Arben Ndokës shkoi dhe Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atëkohë në qeli.
Avdylajt në Shijak u bënë me emër që në vitet 90′. Në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Ky i fundit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali mori hak në 1997 duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.
Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë. Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë gjobën që kishte vënë, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me breshëri plumbash. Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin, i njohur si vrasës me pagesë. Pas Astritit, në role të tjera, janë edhe familjarët Jasmin, Flamur , Altin.
Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”. I dënuar me 16 vjet burg për vrasje, Avdyli për 10 vjet rresht kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016. Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”. Jo shumë më vonë, Avdyli do të hetohej për trafikun e drogërave të forta. Me origjinë çame, Astriti, në rrethin e zonës, njihet si I ‘Urti”, pasi punët I zgjidhte me bisedime.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, dhe në 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat. Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’. Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave në zgjedhjet e 2017. Por, ai ra sërish në pranga në 2024 për operacionin Revanshi.
Astrit Avdyli dhe Rrumi i Shijakut
Report Tv ka siguruar emrat e 6 personave ndaj të cilëve është lëshuar masë sigurie pas operacionit të SPAK për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Masë sigurie është lëshuar edhe për Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut, i cili është në kërkim edhe për ngjarje të tjera nga SPAK. Masë sigurie është lëshuar edhe për Astrit Avdylajn, kreu i bandës së Shijakut. Ai aktualisht ndodhet në burg, i arrestuar për operacionin “Revanshi”.
Enea Kume
Report Tv ka siguruar foton e Enea Kumes, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, i arrestuar mbrëmjen e djeshme me urdhër të SPAK.
Enea Kume akuzohet për tjetërsim të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.
Nga ky operacion i SPAK në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë lëshuar në total 9 masa sigurie, 3 prej të cilave janë ekzekutuar.
Deputeti i Partisë Socialiste Loer Kume ka qenë sot live në një intervistë televizive kur në media u bë publik lajmi për arrestimin e vëllait të tij, Enea Kume i akuzuar për tjetërsim pronash tek Gjiri i Lalzit.
Loer Kume ka bërë të ditur se i vëllai është arrestuar mbrëmjen e djeshme dhe se për sa kohë nuk ka një vendim fajësie, ai do të konsiderohet i pafajshëm.
Ndër të tjera, deputeti i PS-së tha se në fund secili mban vetë përgjegjësi për jetën e vet dhe vendimet që merr. Loer Kume tregon se i vëllai merrej me drejtimin e një agjencie turistike së bashku me familjarë të tjerë.
“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe.
Im vëlla ka drejtuar një biznes familjtar, një agjenci turistike së bashku me familjarë të tjerë”, u shpreh deputeti Loer Kume.
SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar sot një aksion në qytetin e Durrësit ku janë lëshuar 9 masa sigurie. Deri më tani të arrestuar janë Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume si dhe vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’ alias Aleksandër Laho, Vullnet Muça.
Vullnet Muça është shoqëruar në komisariat më datë 20 shtator pasi kërcënoi drejtorin e Spitalit të Durrësit, Renis Mullaj.
Muça kishte shkruar në zurën e drejtorit të spitalit për t’i kërkuar që t’i punësonte mbesën. Ky i fundit ka refuzuar dhe ka telefonuar policinë. Pas telefonatës policia ka shoqëruar Muçën dhe e ka akuzuar për kanosje për shkak të detyrës.
Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)
Me urdhër të SPAK po zhvillohet një operacion për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë ushtruar kontrolle edhe në shtëpinë e Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut. Ai nuk është gjetur në banesë, ndërsa autoritetet kanë pasur indicie se është kthyer nga Gjermania.
Kush është Aleksandër Laho?
Aleksandër Laho alias Pëllumbi Muharremi ose i njohur si 'Rrumi i Shijakut' është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.
Ndërkohë, Aleksandër Lahon është dënuar dhe më 23 korrik nga Apeli i GJKKO-së me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Deputeti i PS-së Loer Kume
Nga operacioni i SPAK dhe i Policisë së Shtetit i zhvilluar mëngjesin e sotëm në Durrës, ka rënë në pranga dhe Enea Kume, i cili është vëllai i deputetit të Partisë Socialite Loer Kume.
Ky i fundit është betuar në Kuvendin e Shqipërisë si deputet më 18 shtator pas marrjes së mandatit në qytetin e Durrësit. Enea Kume akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e Gjirit të Lalzit.
Komente

deputet ky ? po si? sa gjynah jemi kemi plot intelektuale dhe te nderuar qe punojne me mendjen dhe djersen e tyre se ku gjenden
Përgjigju